10 vite burg për dhunuesin Zoran Vukotiq

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiç për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës. Kryeministri Kurti paralajmëron se nuk mund të kenë amnisti për këtë krim 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dënimin e Vukotiçit e cilësoi si “lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.

“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, tha Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dënimi i Vukotiqit shënon “një moment kthese dhe shprese”, jo vetëm për viktimën, që ka dëshmuar kundër Vukotiçit, por edhe për të mbijetuarit e tjerë “që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagon pas dënimit të parë për dhunë seksuale gjatë luftës të dhënë sot nga Gjykata e Prishtinës. Gjykata dënoi sot me 10 vite burg për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë shtetasin serb, Zoran Vukotiç, ndërsa kryeministri Kurti paralajmëron se nuk mund të kenë amnisti për këtë krim.

 

 

Reagimi i Kurtit:

Dhuna seksuale gjatë viteve 1998 – 99 është përdorur si mjet lufte në vazhdimësi në Kosovë. Mijëra gra e burra, vajza e djem kanë qenë viktima të këtij krimi. Ndërkaq dy dekada pas luftës, as edhe një person nuk është dënuar për një krim të tillë.

Sot, pas 23 vitesh pandëshkueshmëri për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë dënohet dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me 10 vite burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.
Drejtësia është e domosdoshme, edhe në momente si ky kur vjen shumë vonë. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi, por edhe për përkrahjen tonë shoqërore për të luftuar stigmën që i përcjellë.
Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe nuk mund të kenë amnisti për këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori.

Leave a Comment

Your email address will not be published.