KRYEMINISTRI AVDULLAH HOTI RAPORTON NË KUVEND PËR 100 DITËSHIN E QEVERISJES

Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, Hoti  raporton para ligjvënësve rreth përballjes me pandeminë COVID-19, gjendjen sociale dhe ekonomike të qytetarëve të vendit dhe bizneseve, dialogun me Serbinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Edhe gjatë ditës së djeshme Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë plenare, ku nuk arriti të votohet projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

 

Prishtinë, 9 tetor – Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti në raportimin para deputetëve të Kuvendit për punën 100 ditëshe të qeverisë që udhëheq tha se gjatë kësaj periudhe kanë punuar në luftimin e pandemisë COVID-19, rivendosjen e miqësisë me vendet mike, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe marrjen e përgjegjësive për të çuar para procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti më tej tha se qeveria e tij është fokusuar në disa parime kryesore si fuqizimi i lirisë së shprehjes pa qenë të linçuar, avancimin e demokracisë, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe kthimin e normalitetit dhe sigurisë për qytetarët.

“Kemi rivendosur miqësinë e ndërtuar me dekada, e që ishin dëmtuar”, tha ai.

Ai më tej tha se prioritet gjatë kësaj periudhe ka qenë luftimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i dukurive negative, luftimi i krimit dhe korrupsionit, marrja e përgjegjësive për të çuar para dialogun dhe procesin integrues.

“Në luftën kundër pandemisë besoj se kemi arritur të mbajmë të mobilizuar sistemin shëndetësor dhe infrastrukturën mbështetëse për të parandaluar përhapjen e virusit dhe trajtuar rastet e prekura”, tha ai.

“Për këtë pandemi jemi sharë shumë por sot jemi bërë shembull si menaxhohet. Kosova është hequr nga lista e vendeve me rrezikshmëri. Ata persona që i kanë shtrembërua numrat e të infektuarve për ta nxjerr vendin keq duhet të turpërohen”, tha ai, e për të cilën deklaratë për reagime të deputetëve.

Ai më tej tha se pandemia COVID-19 ka ndikuar keq edhe në ekonominë e vendit.

Hoti ka folur edhe për sistemin e drejtësisë.

“Në fushën e drejtësisë, në këto 100 ditë e keni vërejt ndarjen e qartë në mes të ekzekutivit dhe gjyqësorit. Jemi të vendosur për sundim të rendit e ligjit, për sundim të së drejtës. Në këtë kontekst theksoj se lufta kundër korrupsionit dhe të gjitha dukurive të tjera që e pengojnë tregun e lirë mbetet prioritet i përhershëm”, u shpreh kryeministri në Kuvend.

Hoti tha se Qeveria tashmë ka filluar hartimin e modaliteteve të reformës apo vettingut në sistemin të drejtësisë.

“Gjatë këtyre 100 ditëve kemi pasur 0 afera korruptive, kemi treguar kujdes në menaxhim të buxhetit, dhe transparencë të plotë. Qeveria ka filluar me reforma legjislative nëpërmjet rishikimit dhe hartimit të projektligjeve, projekt-kodeve dhe koncept dokumenteve të ndryshme të drejtësisë. Përveç kësaj në përputhje me praktikat më të mira të BE-së dhe SHBA-së, Qeveria tashmë ka filluar hartimin e modaliteteve të reformës apo vettingut në sistemin e drejtësisë për rritje të llogaridhënies dhe performancës”, tha Hoti.

“Lufta kundër krimit të organizuar për këtë Qeveri është e pa kompromis, e keni parë edhe me aksionin në Karaçevë, që po vazhdon edhe sot e do të vazhdojnë edhe më tutje. Duhet thënë gjithashtu se Qeveritë e mëparshme kanë pasur hezitime, ne jemi duke e bërë këtë pa hamendje”, tha ai.

Selimi: Kjo është një qeveri kot me 100 ditë të kaluara kot

Rexhep Selimi ka ndarë kritika për Qeverinë në ditën e raportimit për 100 ditët e punës nga kryeministri Avdullah Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka ndarë kritika për Qeverinë në ditën e raportimit për 100 ditët e punës nga kryeministri Avdullah Hoti.

“Nuk kemi se si të mos fillojmë duke e ritheksuar edhe një herë që kemi të bëjmë me një qeveri kot dhe 100-ditësh të shkuar kot. Ne e kemi quajtur qeveri ilegale, nuk vjen nga opozita, por rruga me të cilën ka ardhur këtu ku është sot”, deklaroi Selimi.

“Po ashtu duam ta përsërisim pse e quajmë qeveri jolegjitime për t’ua përkujtuar se kush jeni ju. Kjo është një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve dhe pa shumicën e Parlamentit të Kosovës”, shtoi ai.

“Vendimi i parë i Qeverisë ishte heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë”, u shpreh Selimi.

 

Gashi i përgjigjet LVV-së: Me ju ishim në izolim të plotë ekonomik, politik dhe shoqëror

 

Arben Gashi u është kundërpërgjigjur kritikave nga Rexhep Selimi i Lëvizjes Vetëvendosje në raportin e 100-ditëshit të punës nga kryeministri Avdullah Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u është kundërpërgjigjur kritikave nga Rexhep Selimi i Lëvizjes Vetëvendosje në raportin e 100-ditëshit të punës nga kryeministri Avdullah Hoti.

“Sot jemi këtu para këtij Kuvendi dhe para qytetarëve të Kosovës për të treguar se si kanë rrjedhur gjërat. Po fillojmë pak ku ishim dhe ku jemi. Ishim në një izolim total ekonomik, politik, shoqëror për arsye të ndryshme”, deklaroi ai.

“Politik, sepse prishëm raportet me bashkësinë ndërkombëtare, ekonomik për shkak të pandemisë, social për shkak të vendimeve të gabuara të qeverisë, ku kishte izolim antikushtetues të Qeverisë së Kosovës”, shtoi ai.

“T’i kujtojmë pak se ku ishim. Ishim në kërcënimet me letra nga bashkësia ndërkombëtare për tërheqje të ushtrisë nga Kosova, për ngrirje fondesh në një situatë të krijuar vet për 50 ditë të gabuara. Ku jemi sot, sot jemi te një marrëveshje që na thotë se Kosova shëndrrohet në një qendër rajonale, se rrugët e Kosovës janë ato që lishin Kosovën me rajonin dhe Evropën Qëndrore”, theksoi Gashi.

Abelard Tahiri, Gashit: Duke ju dëgju, nuk e dija a po fol për Kosovën a për ndonjë vend tjetër

 

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës tha se gjatë fjalimit të shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi nuk e dinte nëse është fjala për Kosovën a për ndonjë vend tjetër.

Ai tha se ende nuk janë në dijeni me programin qeverisës të Qeverisë Hoti.

“Duke dëgjuar shefin e Grupit parlamentar të LDK-së s’disha a po fol për Kosovën a për ndonjë vend tjetër”, tha ai.

Sipas tij, me këtë raportim të Hotit nuk po njoftohen deputetët me politikat shtetërore por me punën e zyrave.

“Nuk mujsha me besu që po na njofton për sulmet e zogjve në Aeroport”,  u shpreh Tahiri.

Deputeti i PDK-së kritikoi Qeverinë Hoti se nuk i ka numrat.

“Për 100 ditë gjashtë herë nuk keni arrit ta miratoni Projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike…. Nuk po mundeni ta kaloni asnjë politikë tuajën në Kuvend”, tha ai

Më keq sipas Tahirit është që kryeministri Hoti nuk po e marr madje as mundin që të bëjë zgjidhje.

 

 

 

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.