Akademia e parë e Shkencave në Perandorinë Osmane nën drejtimin e shqiptarit më të madh të kohës

Hoxha Tahsinin shumë prej nesh e njohin vetëm se është emër rruge në kryeqytetin tonë, por kush është realisht Hoxha Hasan Tahsini dhe cila është veprimtaria e tij me bazë kombëtare dhe jo vetëm? Këto të dhëna na vijnë nga Ledian Cikalleshi, i cili ka organizuar një studim të gjerë për këtë figurë dhe kompleksitetin e saj.

“Si fillim Hasan Tahsini, ishte rilindës, filozof, matematikan, psikolog shqiptar. Dijetar i shkallës botërore dhe atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare”, shprehet Cikalleshi.

Përveç gjuhës amtare, ai zotëronte edhe disa gjuhë të huaja si turqisht, arabisht, persisht dhe frëngjisht dhe ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në Perandorinë Osmane si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (universitet).

Kështu, i ndjeri hoxhë Hasan Tahsin efendiu u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; – atë osman, – si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyjeve eprore për diturinë shqiptare.

Ai ishte i pari që mbolli dhe përhapi në Perandorinë Osmane shkencat e natyrës dhe ligjet e gjithësisë e rruzullimit, psikologjinë etj. Por, ai ishte edhe i pari që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore.

Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte atë të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.

Hasan Tahsini lindi më 7 prill 1811. Babai i tij, Osman efendi Rushiti ishte nga fshatin Ninat afër qytezës Filat të Çamërisë në Vilajetin e Janinës. Osman efendiu, familjen e mbante përherë pranë vetes, në vend-emërimet me detyrë dhe se të bijtë i mësonte vetë.

Kështu Hasan Tahsini njohuritë e para fetare dhe edukative i mori nga i ati. Më pas shkoi në Stamboll për të marrë me tepër dije. Në Stamboll ai shkoi në moshë të pjekur, ndoqi mësimet në medresenë “Fatih”, ku, ngaqë shkëlqente, drejtori-dijetari me emër, hoxhë Mustafa efendiu prej Vidìni – i dha edhe mësime të veçanta dhe cilësimin: “Tahsin” (i Pëlqyeshëm, i Lëvduar, Shembullor).

Prandaj e mbajti emrin e bashkangjitur: “Hasan Tahsin”. Në përfundim të studimeve, Tahsinin e emëruan muderriz (mësues) të filozofisë dhe të matematikës po në atë medresë.

Nga fundi i vitit 1856 për studentët turq të dërguar për inxhinierë, ushtarakë dhe ata të dërguar nga Porta e Lartë dhe vendet e tjera në Evropë, u mor një vendim shtetëror që t’iu mësohej arabisht, persisht dhe të ndihmoheshin të zgjeronin njohuritë e tyre fetare si dhe t’u mësohej turqishtja jomyslimanëve nga Sulltanati (Perandoria).

Hasan Tahsini ishte një nga emrat e parë të përshtatshëm për këtë punë. Kështu merret vendimi që Hasan Tahsinit së bashku me një nga nxënësit e shkëlqyer të Darul-muallimîn (Fakultetit Pedagogjik), Selim efendiun t’i jepej ky mision.

Qëllimi kryesor i dërgimit të tyre ishte përgatitja e kuadrove të ardhshëm në matematikë dhe shkencat natyrore për universitetin që do të hapej. Në mars të vitit 1857 arritën në Paris dhe për një kohë të shkurtër fillojnë punën si mësues në Mektebi Osmanije (mejti osmanlli) ku mësonin nxënësit turq myslimanë dhe jomyslimanë.

Siç do ta shikojmë në veprimtaritë dhe veprat që do të shkruante më vonë Hasan Tahsini, gjatë kësaj kohe me një përkushtim dhe zell të madh do të pasurohej shumë me njohuri në lëndët natyrore dhe ekzakte.

Me dërgimin e tij në Paris, Hasan Tahsini hap një faqe të re në jetën e tij, duke qenë se ishte brumosur me dijet fetare dhe filozofike dhe tani përjetonte emocionin e kalimit në shkencat moderne.

Krahas matematikës, ai mëson edhe degët e tjera si fizikën, kiminë, mekanikën, gjeologjinë. Sidomos astronomia dhe kozmografia ishin fushat e tij të preferuara.

Kur mbaron afati i caktuar për ta, Hasan efendiu bashkë me Sabit efendiun kthehen në Stamboll në vitin 1861. Në shtatorin e vitit 1862, Hasan Tahsinin e shikojmë përsëri në Paris, ku kësaj radhe ai vazhdon detyrën e imamit në Ambasadën Otomane.

Ambasadori i Parisit Xhemal Pasha, me të cilin njihej që më parë, gëzohet që e shikon përsëri hoxhë Tahsinin.

Gjatë kësaj kohe thuhet që Hasan Tahsini ishte kureshtar të njihte filozofitë materialiste që kishin kapluar Evropën dhe ai frekuentonte qarqet kulturore të Parisit dhe vendet ku shkonin të famshmit e asaj periudhe si Café Vachette duke lënë edhe përshtypje të thella me personalitetin i tij.

Hasan Tahsini njihej për neglizhencën e tij në detyrimet e fesë, kështu që çështja e imamllikut mund të ishte një lloj justifikimi për të mundësuar qëndrimin e tij në Paris.

Qëndrimi i dytë në Paris ishte më i begatshëm nga ana e përvojës dhe bagazhit kulturor për Hasan Tahsinin sesa hera e parë.

Kështu, ai pati mundësinë të njihte dhe të studionte më mirë filozofinë materialiste dhe ta përdorte atë për të shpjeguar disa aspekte të krijimit. Hasan Tahsini e quante Parisin si qendrën e qytetërimit dhe mosvajtjen atje me mosardhjen në këtë botë.

Shko në Paris, ore zotëri, në qoftë se ke mend në kokë!

Ata që nuk shkojnë në Paris, s’quhen se kanë ardhur në botë.

Megjithatë, hoxhë Hasani e vazhdon qëndrimin e tij në Paris deri në muajt e parë të vitit 1869. Kur kthehet nga Parisi, ai hap një faqe të re në jetën e tij. Bashkëkohësit e tij ishin pasuruar me para dhe tituj ndërsa ai mbeti “modest”.

Megjithatë, nga bagazhi i tij kulturor, shkencor dhe filozofik të përfituara në Evropë, jeta e tij merr një ngjyrë tjetër me ngritjen e menjëhershme në detyrë.

Kështu vetëm një muaj e gjysmë mbas kthimit nga Parisi ai shikohet si i përshtatshëm dhe me kapacitet që të drejtonte universitetin e ri që do të hapej, prandaj më 8 prill 1869 ai emërohet nga vetë sulltani “Dârulfunûn-ı Osmanî müdîri” (Rektor i Akademisë e Shkencave të Shtetit Otoman).

Akademia ishte planifikuar të hapej në muajin maj, mirëpo me shtyrjen e hapjes së tij u planifikua që gjatë muajit të Ramazanit, mbas namazit të Teravive të jepeshin konferenca të hapura për mbarë popullin.

Këto konferenca të drejtuara nga Hasan Tahsini patën një interes të madh nga mbarë populli. Mirëpo në natën e 26 me ndihmën e mikroskopit dhe teleskopit si dhe të përziera me shkencat moderne dhe filozofinë mbahet fjalimi ku diskutohet për “pafundësinë e madhe dhe të vogël”.

Me gjithë interesin e madh për këto konferenca, ku diskutoheshin tema shkencore, kishte edhe instanca të tilla fanatike të cilët nuk e pëlqenin këtë veprimtari. Ata filluan të përhapnin thashetheme që këto gjëra ishin në kundërshtim me fenë dhe besimin.

Ata e shikonin të papranueshme të studiohen fenomenet natyrore dhe të fshehtat pas tyre, si dhe të shpaloseshin argumentet dhe fuqia e Zotit duke gjetur argumente në natyrë.

Më në fund, më 20 shkurt 1870, u hap Akademia me një ceremoni të madhe ku mbajtën fjalime Hasan Tahsini dhe Xhemaludin Afgani.

Mbas 6 muaj veprimtarie edukative dhe mësimore, pikërisht në dhjetor të vitit 1870, filluan përsëri konferencat. Mirëpo, kësaj radhe reaksioni ishte më i madh.

Në ditën e dytë, ndërkohë që mbanin fjalime Hasan Tahsini dhe Xhemaludin Afgani, atmosfera kësaj radhe u ndez ashpër dhe këtë nuk e ndaloi dot as Porta e Lartë. Kështu, Porta e Lartë ndërhyri duke i dhënë fund detyrës së atyre të dyve.

Shkaku për dhënien fund të detyrës paraqitet në forma të ndryshme, por ajo që bie në sy është fjalimi i Xhemaludin Afganit ku e quante profetësinë si një lloj arti. I indinjuar thellë nga kjo gjendje ai shprehet në këtë formë me anë të një vargu të shqipëruar nga Vexhi Buharaja:

Respektohen injorantët, e kuptova,

Të fitosh dituri është krim,

Perëndi më fal për fajin e përpjekjes,

Që kam bërë për të mësuar.

Pas kësaj, pra pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që kishte arritur, pushteti i kishte caktuar një pension të vogël.

Më vonë, ai mori një vend, një medrese të vogël të papërdorshme në Stamboll dhe filloi të mbante kurse private sipas dëshirës mbi shkencat natyrore, astronomi, matematikë, frëngjisht, filozofi dhe historinë e filozofisë.

Ndërkaq, kohën e lirë e kalonte duke u thelluar në studimin dhe leximin e veprave artistike dhe në librat e shumta që kishte përgatitur më parë. Thuhet që kurset i jepte me para dhe me ato jetonte, mirëpo një nga nxënësit e tij Nexhip Asim shprehej që ai jepte mësim falas.

Megjithatë, edhe këtu nuk do ta linin rehat dhe do ta denonconin se u mësonte fëmijëve mësime që i nxirrnin nga feja. Mirëpo, me ndërhyrjen e miqve ai u shpëtoi akuzave dhe vazhdoi përpjekjet për të mësuar dhe dhënë mësim.

Armiqtë e mi, më thanë se je i pafe,

E pranojnë të shpifin menjëherë.

Edhe unë atyre u thashë se jeni fetarë,

Kështu gënjeshtrës iu përgjigja me gënjeshtër.

Pas ngjarjeve të hidhura dhe me prishjen e shëndetit, Hasan Tahsini mori një sërë udhëtimesh në Shqipëri, ndër të cilat vlen të përmendet ai i vitit 1873-1874. Gjatë këtij udhëtimi ai shkoi në Ninat, në Filat, Konispol e Delvinë.

Kudo shpërndau dhe u mësoi shqiptarëve alfabetin e vet në trajtën e një flete fluturuese. Kështu, në Filat, gjatë kohës që ai ndenji atje, mësuan prej tij të shkruajnë dhe të këndojnë shqip sipas abecesë që ai kishte formuluar vetë.

Në Delvinë, Hasan Tahsini punoi së bashku me Naim Frashërin, i cili në këtë kohë ishte me detyrën e nëpunësit të doganës në Sarandë. Në Berat, nxënës dhe bashkëpunëtor i tij ishte Jorgji Karbunara, me të cilin përpiqeshin të hapnin këtu një shkollë shqipe.

Në Tiranë ai strehohet në shtëpinë e patriotit Seit Toptani. Së bashku me Kristoforidhin që ndodhej aty, janë munduar të përhapin ndjenjat kombëtare shqiptare ndër myslimanët dhe të krishterët.

Në Shkodër takohet me patriotët e atjeshëm si Zef Jubani, Isuf Tabaku etj. Hasan Tahsini ka qenë edhe në Dibër, Manastir dhe Vlorë. Veprimtaria e tij tërhoqi vëmendjen e konsujve të huaj francezë, austrohungarezë, anglezë etj.

Siç dihet, Hoxha Tahsini ka marrë pjesë më së pari në diskutimet për hartimin e alfabetit të Xhemijeti Ilmije-i Arnavudije (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar) në vitin 1879 për të përgatitur alfabetin e gjuhës shqipe, e cila ishte rezultat i punës në Lidhjen e Prizrenit, për të përforcuar ndjenjat kulturore dhe patriotike të shqiptarëve. Mirëpo, ndaj synimeve politike të kësaj organizate thuhet që Hasan Tahsini ka qëndruar larg.

Po në atë vit, ai do të bëhej promotori i krijimit të një organizate tjetër kulturore dhe shkencore me emrin Xhemijeti Ilmije (Shoqëria Shkencore). Në vitin 1879 kjo shoqëri do të nxirrte revistën Mexhmua-i Ulum (Revista e Dijeve ose Revista “Dituria”), të cilën Hoxha Tahsini do ta mbështeste duke botuar edhe shkrimet e tij.

Me keqësimin e sëmundjes së tuberkulozit që e kish mbërthyer rëndë, duke ndier dhe afrimin e vdekjes, Hoxha Tahsini një vit mbasi ndaloi botimi i revistës Mexhmua-i Ulum, shkrimet e tij filloi t’i dërgonte në revistën Hazine-i Evrak.

Shkrimet që jepte në revistë mbanin firmën “Bir mariz” (Një i sëmurë). Munif Pasha, duke parë gjendjen në përkeqësim të Hoxha Tahsinit e mori atë në vilën e tij në Erenkoj ku ai banonte vetë.

Një ditë para vdekjes, në një reportazh të zhvilluar me të, ai shprehet për lidhjen e tij tek Allahu dhe besnikërinë ndaj Hz. Muhamedit (s.a.v.s.) dhe bën një llogari të jetës së tij të thurur me mendime filozofike. Ai do të shuhej nga kjo botë më 3 korrik 1881 në Erenkoj dhe do të varrosej në varrezat e Sahrajixhedidit në Stamboll.

Hasan Tahsini ka shkruar një numër veprash, kryesisht në gjuhën turke, në prozë dhe në poezi. Megjithatë, numri i veprave të tij që njihen sot është i vogël në krahasim me atë që përmendin bashkëkohësit e tij.

Disa nga veprat më të rëndësishme të Hasan Tahsinit janë:

Edukimi i Fëmijëve (Murebbi-i Atfal) – bashkautor me Mahmud Nedim

Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit (Psikoloji yahut Đlmi Ruh)

Bazat e Astronomisë (Esasi ilmi Heyet)

Historia e Formimit të Botës ose Krijimi (Tarihi tekvin yahut Hilkat)

Të Fshehtat e Ujit dhe të Ajrit (Esrar-ı Ab u Hava).

Përveç këtyre veprave, ai ka edhe disa libra të tjerë, përkthime, artikuj nëpër revista, poezi etj.

Bazuar në shkrimin e studimin e Ledian Cikalleshit

Bibliografia e përdoruar nga studiuesi

http://sq.wikipedia.org/wiki/Hasan_Tahsini (16.10.2010)

Ömer Faruk Akün, “Hoca Tahsin”, TDV Đslam Ansiklopedisi, vëll. 18, Stamboll 1998, f. 198-199. (Përkthimi shqip shiko: Laurant Bica, “Enciklopedia Islame – Hoxha Tahsin”, Profesor Hasan Tahsini, vëllimi II, Ëest Print, Tiranë 2009, f. 385-430)

Shih. Ömer Faruk Akün

Ömer Faruk Akün, artikulli i cituar, f. 200.

Ömer Faruk Akün, artikull i cituar, f. 201.

Laurant Bica, Profesor Hasan Tahsini, vëllimi I, Ëest Print, Tiranë 2009, f. 89-90.

Ömer Faruk Akün, artikull i cituar, f. 201-202.

 Buhariu, ilm 34, i’tisam 7; Muslimi, ilm 13; Tirmidhiu, ilm 5.

Vexhi Buharaja, “Psikologjia e Hasan Tahsinit”; Yzedin Hima, Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull, AIITC, Tiranë 2008, f. 384-426.

Vexhi Buharaja, “Astronomia”; Yzedin Hima, Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull, AIITC, Tiranë 2008, f. 349-383.

Bilal Yurtoğlu, Remzi Demir, “Unutulmus bir osmanlı düsünürü Hoca Tahsin Efendi’nin Tarihi Tekvin Veya Hilkat adlı eseri ve Heackelci evrimciliğin Türkiye’ye girisi”, Nüsha: Sarkiyat Arastirmalari Dergisi, 2001, Vëll. I, Nr: 2, f. 166-196.

Për më tepër shiko: Laurant Bica, vepër e cituar, f. 105-108; Ömer Faruk Akün, artikull i cituar, f. 203-206.

Leave a Comment

Your email address will not be published.