Lojtarët e Kosovës i vërshojnë top-ligat evropiane: katër në Serie A e tre në Ligue 1

Ligat më të forta evropiane janë bërë vatër e futbollistëve “Dardanë”. Ata kanë nisur të zënë rrënjë thuajse në çdo ligë të madhe, e më së shumti në kampionatin italian dhe në atë francez

Kampionati italian i futbollit ka nisur të vërshohet nga lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës.

Asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë lojtarë “Dardanë” në Serie A sesa që do të ketë në sezonin 2020/2021.

Në fakt, do të jenë katër futbollistë Verdhekaltër që do të paraqiten në njërën prej ligave më të forta në Evropë.

I fundit që zbarkoi në Itali ishte Vedat Muriqi, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi kosovar tash e tutje do t’i mbrojë ngjyrat e Lazios, të cilës iu bashkua nga Fenerbahçe pas eksperiencës së shkëlqyeshme në Turqi.

Paraprakisht, javë më parë në Serie A kishte zbarkuar edhe Mërgim Vojvoda.

Mbrojtësi i djathtë kosovar i ishte bashkuar Torinos nga Standard Liege.

Tek ekipi “Granata”, 25 vjeçari do ta gjejë shokun e tij të skuadrës tek Kosova, Samir Ujkani.

Kapiteni i Përfaqësueses do ta kalojë sezonin e dytë në Torino.

Dhe, futbollisti i katërt i Kosovës që do të luajë në Serie A edhe këtë vit është Amir Rrahmani.

Pasi e kaloi një sezon mjaft pozitiv në Verona, qendërmbrojtësi kosovar iu bashkua Napolit, me të cilin nënshkroi qysh në janar.

Krahas Italisë, futbollistët e ekipit kombëtar të Kosovës kanë depërtuar edhe në ligat tjera më të forta evropiane.

Në Francë do të luajnë tre lojtarë: Arbër Zeneli e Valon Berisha në Reims dhe Bersant Celina në Dijon.

Ndërkaq, në Itali luajnë edhe disa futbollistë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët luajnë për Kombëtaren shqiptare. 

Leave a Comment

Your email address will not be published.