Miqësia e familjeve Badivuku dhe Hasan Berisha – Prishtina nga Vushtrria

Miqësia e familjeve Badivuku dhe Hasan Berisha – Prishtina nga Vushtrria

Historiku
Besime (Sylejman Beg) Berisha, lindi në vitin 1881 në qytezën Vuqitërnë. Nëna e Besimes quhej Esma dhe ishte vajza e familjes fisnike Gashi, kurse babai i saj Sylejmani ishte një nga pesë vëllezërit Berisha nga Vuqitërna. Njeri nga pesë vëllezërit, Ahmeti ishte babai i Hasan Beg Berisha (Prishtina), vëllau i tretë quhej Abdullah dhe ishte babai i Zejnulla Beg Berishës. Vëllau i katërt Abdurrahmani e kishte vetëm një djalë Sabitin i cili falë zgjuarsisë së dëshmuar, ambicjeve arsimore dhe dëshirës për edukim dhe dije heret filloi shkollimin, fillimisht në vendlindje në qytezën e Vuqitërnës e pastaj në shkollat ushtarake në qytetin e Manastirit dhe në Selanik. Ai (Sabiti) ishte nxënës i dalluar dhe shkëlqente në shumë fusha. Në moshë i ri, entuziast dhe i zgjuar shpejtë krijoi shoqëri me nxënësit tjerë gjatë shkollimit. Një nga shokët e Sabitit që takoi gjatë periudhës së shkollimit dhe me të cilin u shoqërua quhej Mustafa Kemali i cili fal ambicjeve për shkollim fillimisht arriti të hynë në rrjedhat politike në Stamboll ku filloi karrierën e pas shumë betejave si në fronte dhe betejave politike arriti të largonte Sulltan Ahmetin e VI dhe në vitin 1923 u emrua Presidentit i parë i Republikës së Turqisë.
Si burrshtetas të zot dhe të shquar Mustafa Kemalin populli turk e quajti Ataturk (babai i Turqisë).
Pas përfundimit të shkollimit ushtarak rrugët e dy shokëve janë ndarë për t’vazhduar, Sabiti në gjirin familjarë në Vuqitërnë kurse Mustafa Kemal Ataturku në Stamboll. Kujtimet për një shoqëri të shkëlqyer nga jeta shkollore ka vazhdu edhe pas emrimit të Ataturkut si President i Republikës së Turqisë, me ç’rast Ataturku duke e njoftë sinqeritetin, besnikërinë dhe aftësitë e Sabitit, ja dërgon ftesën zyrtare për një pozitë të lartë në drejtimin e shtetit turk. Pasi që Sabiti ishte djalë i vetëm në familje dhe kishte obligime në udhëheqjen e punëve familjare ai refuzoi postin e ofruar nga presidenti turk, Mustafa Kemajl Ataturku.
Vllau i fundit Jusuf Pashë Berisha, ishte tregtar i dalluar i kohës i cili u shpërngul në Stamboll dhe atje jetoi deri në fund të jetës. Vllezërit Berisha kishin një motër të quajtur Nefise e cila ishte martuar për mulla Hysen Shalën i cili ka ushtru detyrën e Myftiut (kryesues fetar dhe juridik) dhe prefektit të qytetit të Vuqitërnës para pushtimit nga mbretria serbe (para viteve 1918)
*
Stërgjyshi im, Izet (Ragip) Badivuku u lind në Vuqitërnë, rreth vitit 1878, aty kaloi fëmijërinë e në moshën e pjekurisë pëlqeu dhe zgjodhi për nuse vajzën me të cilën u martua. E pëlqyera vajzë quhej Besime dhe ishte vajza e Sylejman Beg Berishës nga Vuqitërna. Besimja ishte vajza e axhës e Hasan Beg Berishës (Prishtinës).
Lidhja e miqësisë e familjeve tona asokohe u forcuan edhe më shumë me bashkimin e qiftit të ri (stërgjyshit dhe stërgjyshes) Izetit dhe Besimës. Qiftit të sapomartuar Izet ef. Badivuku dhe Besime hanmit ju lindën disa fëmijë por të gjithë fatkeqësisht ishin jetëshkurtë dhe nuk i mbijetuan sëmundjet e kohës. Duhet cekur se asokohe kryesisht mjekimi ishte me metoda dhe njohuritë, nga përvojat dhe me barna popullore prej ndonjë njohësi autodidakt me njohuri modeste në fushën e shëndetit si dhe ndonjë falltorë që shkrinte plumë për ata që besuakishin në dukurinë e m’syshit(synit t’keq).
Një ditë vere fati i buzëqeshi qiftit të ri Izet ef. dhe Besime hanmit. Nga shtëpia e tyre u dëgjua një e qarë foshnje që jehoi shumë dhe dha shpresë për një pasardhës mashkull dhe të shëndetshëm në familje që do ishte vazhdimsi në trungun familjar. Ishte njëri nga foshnjet ma me fat që jetoi dhe ktheu gëzimin dhe optimizmin në familjen e Izet ef. Badivukut në Vuqitërnë.
*
Pertev (Izet ef.) Badivuku
Ishte viti 1906, çuni i porsalindur në shtëpinë e familjes Badivuku ishte një motiv i madh për festë me daire dhe gostitje që u mbajtë në mend nga qytetarët dhe u përfol për shumë vite në qytetin e Vuqitërnës.
Asokohe nga familja Berisha e Vuqitërnës, e Besime Hanmit, konkretisht nga veprimtari i ndritur i qështjes kombëtare Hasan Beg Berisha (Prishtina) erdhi telegram urimi nga Selaniku ku ai vepronte me propozim për emër, rrall të dëgjuar në këto vise për djalin e porsalindur. Natyrisht se propozimi i mikut familjar, që gëzonte autoritet dhe famë u respektua pa asnjë rezervë. Izet efendiu dhe Besime Hanëmi djalin e porsalindur e emruan Pertev (Izet) Badivuku. (Pertev nga gjuha persishte d.m.th gur i çmuar)
Djali i vetëm i familjes Pertevi, njëherit nip i Hasan Beg Berishës (Prishtinës) gëzoi shumë kujdes dhe privilegj nga familja Badivuku si dhe familja e dajallarëve të njohur jo vetëm në qytetin e Vuqitërnës por deri në Portën e Perandorisë Osmane.
*
Gjatë viteve të sundimit Austrohungarez kjo pjesë konsideruaishte vend i lirë e posaqërisht për shqiptarët pasi që fituan të drejtën për herë të parë për administrim dhe shkollim në gjuhën shqipe. Për këtë meritori kryesor ishte Hasan Beg Berisha (Prishtina) i cili siguroi kuadrin arsimor të kohës. Babai i Pertevit, Izet (Ragip) Badivuku i njohur në rrethinë si tregtar i shquar i kohës gëzonte autoritet dhe emër respektabil nga autoritetet e kohës. Ai ushtroi disa pozita në Vuqitërnë si shef i policisë, kryetar i bashkisë dhe prefekt në kasabanë (qytetin) e atëherëshm, Vuqitërnës (emërtim Osman).
*
Gjatë kohës sa ishte nxënës Pertevi, gjyshi im (Gazmendit) ndiqte mësimet në shkollë së bashku me kalamaj tjerë dhe asokohe udhëheqësve të shkollës ju erdhi një iniciativë nga daja Hasan Beg Berisha (Prishtina) me qëllim që të formohet një bandë muzikore me ç’rast fillon një epokë e zhvillimit të artit dhe kulturës në hapësirat shkollore. Udhëheqësi i bandës muzikore të Vuqitërnës ka qenë Abdullah Hadri një pedagog i shquar me prejardhje nga Gjakova. Aty Pertevi së bashku me kusheritë Eminin, Ilijazin, dhe kalamaj tjerë vuqitërnas nisën hapat modeste në kulturë dhe art aq sa lejonin kushtet dhe situata politike. Të gjithë veglat muzikore Hasan Beg Berisha i siguroi me mjete vetanake nga austria dhe ja dhuroi shkollës ku ushtronin kalamajt vuqitërnas.
*
Duke i’u referua gjyshit Pertevit, i cili jetoi deri në vitin 1992, nga kujtimet që tregonte, posaqërisht rrëfente për dashurinë dhe kujdesin që gëzoi si djal i hasretit në gjirin familjar dhe si nip i një burri të zgjuar, human dhe autoritativ siç ishte Hasan Beg Berisha (Prishtina). Rrëfente për vizitat e shpeshta fillimisht në moshë të njomë së bashku me nanën, me Besime hanmin e pastaj në moshë djaloshare edhe vet te familja e gjyshit Sylejman Beg Berishës. Në atë pallat (saraj) në Vuqitërnë një etazh e shfrytëzonte për banim asokohe Hasan Beg Berisha me t’shoqen Ikballen dhe Sadakan. Po në këtë pallat i akomodoi edhe dy mbesat Fatimen dhe Senihan që ishin njëherit mbesat e Hysen Pashë Gjilanit për shkollimin e tyre në gjuhën shqipe, sepse në regjionin e Gjilanit shkollat ishin në gjuhën bullgare.
Vizitat e Pertevit posaqërisht takimet për festat e Bajramit dhe të Ramazanit i forconin edhe më shumë raportet dhe respektin e ndërsjellë të familjeve Badivuku dhe Berisha. Asokohe në vizita dhe ndeja, në kuvende me burra nga viset e ndryshme gjyshi tregonte se shpesh flitej dhe shqyrtohej situata aktuale si ato edukative, arsimore,
tregtare, kombtare etj.
*
Familjet Badivuku dhe Berisha shpesh organizonin edhe takime të përbashkëta lidhur me mundësitë e imponuara të kohës si për tregti dhe investime, e shpesh me reflektim në anën humane dhe në jetën sociale dhe atdhetare. Ai njihte mirë situatën dhe rrethanat sepse (Izet ef.) ishte anëtar i Komitetit Shqiptar i Degës së Lidhjes së Prizrenit në Vushtrri.
Për festa, e posaqërisht të Ramazanit dhe Bajramit shpesh nga depot e tyre niseshin qeret me kuaj të mbushurë me drithë dhe veshmbathje të cilat ju ndanin bashkqytetarëve skamnorë në Vuqitërnë dhe Mitrovicë. Familja Berisha nga pasuria kishte në Mitrovicë disa dhjetra dyqane dhe magaza që ushtronin veprimtari zejtare dhe tregtare. Në asetet e Sylejman Beg Berishës ishin në posedim tetë fshatra (qiflluke) me fillim nga fshati Plemetin deri në fshatin Zupçe të Mitrovicës.
Në Mitrovicë relacionet miqësore dhe tregtare i zhvillonin me kohanikët dhe emrat e njohur si Ibrahim Deva, Nexhib dhe Ferhat Draga, Hasan Aga, Ago Pasha që kishte pinjoll Rexhep Mitrovicën, Dervish Begu babai i Xhelal Mitrovicës, Mustafë Beg Nishliu si dhe emra tjerë të njohur mitrovicas.
*
Babai i Pertevit stërgjyshi im, Izeti efendiu, dhëndër i Sylejman Beg Berishës përveç me administrimin e qytetit të Vuqitërnës, kohën e lirë e kalonte në inkurajimin e bashkqytetarëve për shkollimin e djemve dhe vijimin në edukim muzikor. Asokohe ana ekonomike e vuqitërnasve ishte bukur modeste, por me insistimin e prefektit (Izet Ragip ef.) dhe familjes Berisha gjindeshin gjithmonë dashamirë dhe entuziast me frymë dhe qëndrime përparimtare.
*
Periudha nën administrimin austro-hungarez konsiderohej kohë e lirisë për shqiptarët. Asokohe shqiptarëve ju lejohej edhe shkollimi, administrimi dhe aktivitetet kulturo-arsimore në gjuhën shqipe.
Asokohe Pertevi një çunak i shëndosh dhe entuziast shoqërohej me djemtë e familjeve të njohur t’vuqitërnës si të familjeve Gashi, Shala, Berisha, Maxhuni etj. Situata e përgjithshme dhe politike ndikonte në jetën dhe ekzistencën e gjithë qytetarëve ku natyrisht se primare ishin punimi i tokës dhe sigurimi i drithit (bukës) vjetor. Lëvizjet, tregëtia, ushtrimi i zejeve dhe jeta asokohe zhvillohej në bërthamën, gjegjësisht në lagjet e pluhrosura të Vuqitërnës të emruara dhe mbetur nga perandoria osmane si Bajërxhiku, Karamale, Mejdanllëku, Sharampolli etj.
*
Gjyshi Pertevi moshën djaloshare e kaloi i rrethuar me rininë dhe kusherirët si dhe moshatarët nga ana e dajëve, të familjes Berisha.
Sipas tregimeve t’cilat i kam dëgjuar si i vogël nga babai dhe gjyshi im, argëtimi i kohës për ta ka qenë kalërimi, nga simboli i Vuqitërnës ura e gurit në drejtimi nga bregu i lumit Sitnica, ose nga kalaja në drejtim të lumit (rekës) Tërstena. Kujtonte gjithmonë me nostalgji ujin e kthjellët të Sitnicës dhe natyrën e gjelbër që i rrethonin. Ditët verore dhe me vapë shpesh i kalonin pranë lumit, në relaksim dhe freski nën shelnjet e gjata pranë lumit Sitnica.
Me ndërrimin e regjimit, në kohën e pushtuesve, nga mbretëria sërbe, Izet ef. së bashku me aktivistë tjerë i burgosën, maltretuan dhe vranë duke i helmuar. Pas humbjes së babait Pertevi u shpërngul në Mitrovicë dhe së bashku me djalin e Zejnullah Beg Berishës me Ismetin Begun vazhduan aktivitetet me tregti si dhe me udhëheqjen e hamamit të cilin e kishin trashëguar nga familja Berisha. Gjysma e hamamit në qytetin e Mitrovicës e cila u ndërtua me mjete vetanake i përkiste Qemajl, Ismet, Abdullah, Besim Begut, dhe motrave Shukrije dhe Nazire Berisha, kurse gjysmën tjetër i takonte familjës së Sylejman Pashë Berishës të cilën ja dhuroi bijës, Besime hanmit (nënës së Pertevit) që natyrisht se u trashëgua deri në ditët e sotme.
Koha e djalërisë Pertevin e gjente shpesh në udhëheqjen e hamamit në Mitrovicë së bashku me Qemajl Begun dhe Ismet Begun e më vonë edhe trashëgimtarët djalin Hakanin dhe vajzën Lemanën.
*
Pertevi në moshë 20 vjeç u martua me Azeminën, vajzën e fisnikut Osman agë Maxhunit nga Vuqitërna. Nga kjo martesë ju lindën katër fëmijë : vajzat Shivezati dhe Didarja dhe dy djemtë Izeti (t’cilit ja përtriu emrin e gjyshit) dhe djali tjetër Enveri.
Në vitin 1933 pas atentatit ndaj Hasan Prishtinës në Selanik Besimja me djalin Pertevin, Qemajl Zejnullah Beg Berishën, Aziz Abdylhamit haxhi Sallahu-Xërxa morrën pjesë në varrimin e Hasan Prishtinës dhe pas gjashtë muajve në gjykimin e dorasit.
*
Pas luftës së Dytë Botërore regjimi komunist kreu shumë krime dhe likuidime në mbarë Kosovë me ç’rast nuk u anashkaluan as anëtarët e familjes Badivuku.
Asokohe sistemi komunist pushkatuan kusherirët Jakup Badivuku 44 vjeç dhe djalin i tij Hilati që ishte veç 22 vjeçar. Po ashtu pushkatuan edhe dajën e babit tim Avdurrahman Osman Maxhuni si dhe shumë emra të njohur nga qyteti i Vuqitërnës. Gjyshi Pertevi pas humbjes së gruas u martua për herë të dytë me Advijen që ishte vajza e familjes Gashi nga Mitrovica me të cilën ju lindën djali Xhevdeti dhe vajza të cilës ja përtriu emrin e nënës, Besime.
*
Në vitin 1977 me ftesë nga RP e Shqipërisë gjyshi Pertevi u ftua nga kreu shtetrorë në manifestimin e rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Varrezat e Dëshmorëve në Kukës ku qëndroi një muaj në cilësinë e nipit të atdhetarit Hasan Prishtina.
Në vitin 1978 me ftesën e familjes Badivuku erdhi në vizitë Sadakaja në Kosovë ku qëndroi musafire në familjen tonë. Ishte hera e parë që takuam Sadakan vajzën e adoptuar nga Ikball dhe Hasan Berisha (Prishtina).
Ishin emocionuese takimi i zn. Sadadaka dhe familjarve tanë.
Ajo u emocionua shumë me rastin e vizitës në shtëpinë e kulturës Hasan Prishtina në Vushtrri.
Ky shkrim bazohet në kujtimet nga gjyshi Pertevi, baba Izeti dhe libri ‘Hasan Prishtina ndriçimi i jetës dhe i veprës’ i autorit Fahri S. Buçinca.

Foto 1. Sadakaja në vitin 1978 me Pertevin dhe Ilijaz Badivukun në vizitë në Vushtrri.
Foto 2. Banda muzikore e nxënësve në Vushtrri dhe tre kusherit; Emini, Pertevi dhe Ilijazi Badivuku.
Foto 3. Stërgjyshi im Izeti, gjyshi Pertevi, baba im Izeti, unë Gazmendi, biri im Valoni.

Shkruan:
Gazmend Badivuku

Leave a Comment

Your email address will not be published.