I dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell arrin sot për vizitë zyrtare në Kosovë, bashkë me një delegacion të qeverisë amerikane i udhëhequr nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler.
Vizita bëhet me qëllim të fillimit të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 4 shtator në Uashington.
“Implementimi i marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një top-prioritet për administratën Trump. Shihemi në Prishtinë dhe Beograd këtë javë”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Kryeministria ka konfirmuar se delegacioni i qeverisë amerikane do të takohet në Prishtinë me kreun e Qeverisë, Avdullah Hoti.