Pasojat e COVID-19 në Kosovë tashmë kanë filluar të ndihen shumë në ekonomi. Bizneset e fuqia punëtore është goditur shumë. Sipas Odes Ekonomike të Kosovës, deri tani janë 1 miliard euro dëme në ekonomi. Kurse, deri në fund të vitit, do të humbin mbi 30,000 vende të punës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka thënë se raporti i fundit i Bankës Botërore për Kosovën ka paralajmëruar 8.8 % tkurrje ekonomike.
Rukiqi ka thënë se deri tani janë 1 miliardë euro dëme në ekonomi, që nga shfaqja e vendeve të punës.
“Deri në fund të vitit, me këtë trend të tkurrjes ekonomike, mund t’i humbim mbi 30,000 vende të punës. Të vetmit të paprekur nga kjo krizë në ekonomi, po mbesin ata që marrin vendim dhe familjarët e tyre të punësuar, gjithandej në institucionet publike”.
Edhe sipas raportit më të ri për ekonominë në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, të publikuar sot nga Banka Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8 për qind në vitin 2020.
Në njoftimin BB-së thuhet se pandemia COVID-19 ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit.
“Qeveria është përgjigjur shpejtë duke siguruar përkrahje për firmat dhe punëtorët, megjithatë punësimi pritet të ulet ndërsa varfëria të rritet. Remitencat në rritje pritet të zbusin ndikimin e tkurrjes ekonomike. Rimëkëmbja pritet të jetë më e ngadalshme se sa është parashikuar më herët, meqenëse pandemia po zgjat më shumë se sa pritej, duke penguar kështu rritjen ekonomike në vitin 2021”, thuhet në raport.
Më tej theksohet se si një ekonomi kryesisht e bazuar në shërbime, Kosova ishte veçanërisht e ndjeshme ndaj COVID-19.
Po ashtu në raport thuhet se për të zbutur ndikimin e recesionit, qeveria duhet të vazhdojë të investojë në menaxhimin efektiv të shëndetit të shkaktuar pandemia.
Sipas BB-së, rritja e shpenzimeve për shëndetësinë dhe arsimin është me rëndësi për një rimëkëmbje ekonomike më të fortë pas pandemisë në ekonomitë e reja të Evropës dhe Azisë Qendrore.
Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.
Humbjet ekonomike që janë evidentuar deri më tani kanë të bëjnë me të hyrat tatimore dhe doganore.
Sipas të dhënave të dy institucioneve, Administratës Tatimore dhe Doganave të Kosovës janë mbi 232 milionë euro më pak të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.
Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë rreth 180 milionë euro. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbusë problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.