Gjetjet e Raportit të Progresit teknikisht e përjashtojnë Kosovën nga fondet e Planit Investiv dhe Ekonomik. Mbështetja e projekteve nga BE-ja ka një kusht, jo si në Shtëpinë e Bardhë, kur si kompromis Kosova për projekte që ishin planifikuar që më parë nga BE-ja, i dha Serbisë qasje në Ujman, e pranoi nismën po të Serbisë për mini-Shengenin ballkanik dhe po me kërkesë të Serbisë hoqi dorë nga procesi i integrimit. BE-ja nuk ka kërkuar koncesione me Serbinë, por ka bërë të qartë se fondet e alokuara në kuadër të Planit Investiv dhe Ekonomik janë të ndërlidhura me zbatimin e reformave strukturore në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, respektimit të të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike.
Nga Elmaz ISUFI
Dorëzim i Raportit të Progresit ka rastisur të bëhet në të njëjtën ditë me publikimin e Planit Investiv dhe Ekonomik të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kosova është përfshirë në katër projekte nacionale dhe dhjetë projekte rajonale të këtij plani.
Fondi prej 9 miliardë eurove i propozuar nga Komisioni Evropian për gjashtë vende duket mjaft ambicioz, sidomos për sektorë specifikë, të cilët pushtetet në Kosovë asnjëherë nuk kanë arritur t’i trajtojnë me prioritet, siç janë energjia dhe mjedisi, sektori privat – ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sistemet agro-ushqimore e zhvillimi rural, rinovimi i ndërtesave publike dhe mbështetja për të rinjtë. Sado gjithëpërfshirës e me synim integrimin e rajonit, në Kosovë, as shuma e propozuar e as destinimi i tyre nuk u vlerësua “historik”, siç u cilësua marrëveshja e zotimeve në Washington, që edhe për nga përmbajtja edhe për nga forma ishte larg premtimit të Brukselit.
Dhe, duke njohur përbërjen partiake të Qeverisë është krejt i natyrshëm qëndrimi i rezervuar. I rezervuar, sepse mbështetja e projekteve nga BE-ja ka një kusht, jo si në Shtëpinë e Bardhë, kur si kompromis Kosova për projekte që ishin planifikuar që më parë nga BE-ja, i dha Serbisë qasje në Ujman, e pranoi nismën po të Serbisë për mini-Shengenin ballkanik dhe po me kërkesë të Serbisë hoqi dorë nga procesi i integrimit.
BE-ja nuk ka kërkuar koncesione me Serbinë, por ka bërë të qartë se fondet e alokuara në kuadër të Planit Investiv dhe Ekonomik janë të ndërlidhura me zbatimin e reformave strukturore në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, respektimit të të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike.
Pushteti i tashëm, me këtë përbërje partiake ka dëshmuar të paktën 10 vjetët e fundit se më lehtë bën kompromis për sovranitetin, territorin dhe të ardhmen integruese të Kosovës sesa që u jep zgjidhje problemeve të brendshme, që ngrihen si shqetësim çdoherë nga Komisioni Evropian, shoqëria civile dhe ekspertët.
Gjetjet në Raportin e Progresit teknikisht e përjashtojnë Kosovën nga tërheqja e fondeve të Planit Investues. Fjala “Nuk ka përparim” është përmendur 34 herë në raport, kurse “Përparimi i kufizuar” i atribuohet 31 fushave, duke e renditur Kosovën në fazën e hershme të zhvillimit.
Për sistemin gjyqësor, ta zëmë është një përkufizim edhe më i keq. Në raport shkruan se ai është i cenueshëm nga ndikimi i politikës. E për korrupsionin thuhet se është shumë i përhapur dhe mbetet çështje shqetësuese. E me të njëjtën gjuhë përshkruhet edhe lufta kundër krimit të organizuar. Përveçqë që evidenton se ka pak hetime financiare, konfiskime përfundimtare të pasurive dhe dënime të formës së prerë, raporti sugjeron që të shmanget ndërhyrja politike në aktivitetet operacionale të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë.
Lista nuk përmban asnjë notë pozitive. Nëse në Planin investiv parashikohet mbështetje për sektorin privat, atëherë Raporti i Progresit thekson se ky sektor mbetet i kufizuar nga ekonomia e përhapur informale, gjyqësori i ngadaltë dhe joefikas, përhapja e lartë e korrupsionit dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi.
Arsimin e cilëson shqetësues e të paperspektivë, ndërsa të vjetruar dhe jo të besueshëm e sheh edhe sistemin e prodhimit të energjisë të bazuar në thëngjill.
***
Kryeministri Hoti është dukur në humor të mirë kur shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Szunyok, ia dorëzoi Raportin e Progresit. Protokolli mbase e detyron që mikun ta trajtojë me dashamirësi, por përtej saj ai nuk do të duhej të kishte arsye që të shfaqë “entuziazëm” për një dokument që Kosovën nuk e nxjerr mirë në asnjë fushë. Raportin, nëse jo para kamerave dhe para zyrarit nga BE-ja, në mbledhjet e radhës të Qeverisë duhet parë dhe trajtuar me trishtim. Bile, nuk do të ishte keq që për të t’u drejtohej qytetarëve, ndërsa për autorët e krimit mbi shtetin, qofshin edhe bashkëpartiakë, të flasë me emër e mbiemër.
Pavarësisht se performancën personale e kufizon në vetëm tre muaj qeverisjeje, Hoti po ashtu nuk duhet të sillet me shpërfillje ndaj gjetjeve të Raportit të Progresit, siç kanë bërë shumica e kryeministrave para tij, kur janë mjaftuar duke thënë se pajtohen me to, apo kur i kanë kualifikuar si perceptim. Nuk duhet të mos e trajtojë me seriozitet edhe Planin Investiv, porse në funksion të tij të adresojë përgjegjësitë në linjat e caktuara. Në të kundërtën, na bën të dyshojmë se ai është i dëshpëruar që “historia” nga Washingtoni po rikthehet në Bruksel. Se projekti i BE-së ka lënë nën hije pikat e marrëveshjes ekonomike të 4 shtatorit. Apo edhe fakti se vetë administrata amerikane ka thënë se BE-ja është përgjegjëse për procesin e integrimit dhe të dialogut, ndërsa vetë ajo do të luajë rolin e mbështetësit.
(Botuar në KOHA Ditore)