Gjykata Speciale nuk ka dhënë detaje nëse është ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duke thënë se derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale.
Prishtinë, 26 tetor – Gjykata nëpërmjet një përgjigje për KosovaPress, ka thënë se konfidenciale mbesin edhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e aktakuzës.
“Derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale si dhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e saj. Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nëse një aktakuzë konfirmohet ajo do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të Akuzuarit para Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.
Selim Selimi: Mund të ketë tensione
Aktakuza u publikua nga Dhomat e Specializuara me 24.06.2020, ku thuhej se Veseli e Thaçi janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se mund të ketë tensione të mëdha në rast se konfirmohet aktakuza e ngritur nga Specialja për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.Selimi thotë se deklaratat e lëshuara nga Dhomat e Specializuara për Thaçin dhe Veselin janë shqetësuese por se beson në drejtësi.
“Ky është një shqetësim dhe pakënaqësi të cilën e kam shprehur publikisht por edhe akterët tjerë se në momentin kur del një deklaratë nga Dhomat e Specializuara – deklaratë e cila është më shumë politike pasi që mendoj se Prokuroria nuk lëshon deklarata por duhet të bëjë hetime dhe të ngris aktakuza. Por kur goditet presidenti i vendin, ish-kryetari i Kuvendit është shqetësuese që të goditen në deklarata të tilla”.
“Sistemi i drejtësisë e ka punën e vet – ajo Gjykatë është e Kosovës pasi është votuar në Kuvend dhe ka amendament kushtetues dhe duhet ta bëjë punën ashtu siç e bëjnë edhe gjykatat tjera në Kosovë”.
“Tensionet do të jenë të menaxhueshme pasi ne besojmë në drejtësi dhe e dimë që lufta jonë ka qenë e pastër dhe kjo është vërtetuar në shumë raste në Hagë. Ne nuk duhet t’i frikohemi drejtësisë por normalisht sa herë që kjo drejtësi tenton ta bëjë një lloj politike atëherë duhet të jemi të shqetësuar pasi që bërja e politikës me drejtësi është një lloj shkopi social që është vendosur mbi ne”.
“Ne besojmë në drejtësi dhe kemi besuar gjithmonë në drejtësi dhe kjo drejtësi sigurisht se do të dalë njësoj sikur në rastet tjera”.
A ka rrezik që të ngritet aktakuzë edhe për Haradinajn?“Haradinaj është shpall dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, mendoj se çështja e tij është e mbyllur edhe tek Dhomat e Specializuara”.
“Mënyra misterioze se i ata i janë qasur krejt këtij rasti është për tu shqetësuar, pasi që mendoj se nuk ka nevojë për të bërë gjithë këtë misticizëm – por nëse ka prova është procedura penale që duhet përcjellur dhe jo të lëshohen deklarata e të bisedohet brenda-jashtë”.“Ftesat kur janë dërguar shumë shpesh kanë qenë të paqarta dhe nuk është ditur se a po thirret dikush si dëshmitar, si i akuzuar apo si i dyshuar. Kjo ka krijuar mjegull edhe më shumë por ne drejtësisë nuk i frikësohemi”, deklaroi Selimi.
Selimi mes tjerash tha se lufta e UÇK-së ishte fisnike dhe Dhomat e Specializuara nuk duhet të frikësohen se dikush mund t’i ikë drejtësisë pasi që të gjithë pjesëtarët e saj janë në gjendje të dëshmojnë për luftën fisnike që bënë.
Specialja ka treguar se në cilat raste mund të mos e publikojë aktakuzën kundër Thaçit e Veselit
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur që aktualisht të mos tregojnë nëse janë proceduar për gjykim akuzat ndaj Thaçit e Veselit. Siç ka bërë të ditur para më shumë se dy javësh shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, Angela Griep, kjo aktakuzë, sikur edhe të tjerat, mund të konfirmohet, por të mos bëhet publike menjëherë.
“Derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do ta hedhë poshtë ose do ta konfirmojë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar që ajo të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara për Gazetën Express.
Në rregulloren e punës së kësaj gjykate, ekzistojnë rregulla, sipas të cilave, gjyqtari i procedurës paraprake në disa raste mund të urdhërojë që aktakuza e konfirmuar të mos publikohet për një kohë.
Njëra nga rregullat e Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara specifikon se në disa rrethana, publikimi i aktakuzës mund të shtyhet.
“Në rrethana të posaçme, në rast se para konfirmimit të aktakuzës Prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për arsye të sigurisë, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit, apo të çrregullimit të procedurave, ose trazirave shoqërore, gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës, dokumenteve ose informacionit që ka lidhje me aktakuzën deri në një urdhër të dytë. Sidoqoftë, aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thotë rregulli 88, i quajtur “Statusi publik i aktakuzës”.
Presidenti nuk ka folur në lidhje me aktakuzën, ndërsa i fundit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që u pyet për këtë, ishte deputeti Mërgim Lushtaku në një konferencë për media të shtunën.
“Ne jemi Partia Demokratike e Kosovës, nuk përzihemi në drejtësi, kjo pyetje nuk është për mua, por për organet kompetente”, tha Lushtaku.
Ndërsa, avokati Arianit Koci, tha të shtunën se Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit po iu shkelen të drejtat elementare të njeriut nga Gjykata Speciale, e cila s’po tregon asgjë lidhur me aktakuzën e propozuar ndaj tyre.
“Nuk po tregohet as respekti minimal ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj figurës së Presidentit të Kosovës, e as ndaj z. Hashim Thaçi si individ, me faktin që Dhomat e Specializuara nuk japin informata se çka po ndodh me aktakuzën e deponuar me 24 prill 2020”, ka shkruar Koci, në një reagim në Facebook.
“Afati gjashtëmujor ka skaduar! Një popull i tërë po mbahet peng! Në anën tjetër, z. Thaçi po i shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë brutale”, ka shkruar Koci ndër tjerash, duke shtuar se kështu po humbet besimi në këtë gjykatë.
Më 24 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua kishte paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.
Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat e paraqitura.