Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka uruar shërim të shpejtë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, pas infektimit me coronavirus.
Hoti ka thënë se Kurtit i dëshiron që ta kalojë sa më lehtë gjendjen shëndetësore me COVID-19, transmeton Telegrafi
“Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dëshiroj që ta kaloj sa më lehtë gjendjen shëndetësore me COVID-19. Zotit Kurti dhe të gjithë të prekurve tjerë i uroj që sa më lehtë t’i përballojnë simptomat dhe t’i kthehen angazhimeve të përditshme”, ka thënë Hoti në një postim në profilin e tij në Facebook.
Kreut të LVV-së, i kanë uruar shërim të shpejtë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, Kurti sot bëri të ditur se është në vetë-izolim pasi që është infektuar me COVID-19.
“Të nderuar anëtarë të Lëvizjes e qytetarë të Republikës. Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndryshe, në Kosovë është rritur numri i rasteve me COVID-19, në 24-orët e fundit janë konfirmuar 197 raste të reja, kurse numri i viktimave ka arritur në 669.