Ismail Qemali
Kujt i takon vendi?
Njëri nga delegatët që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë, iu drejtua Ismail Qemalit:
– Më duket s’e ka vendin aty Luigj Gurakuqi, në krye të dhjetë-pesëmbëdhjetë mësuesve dhe të tri katër shkollave. Ai duhet të ishte së paku ministër i Luftës.
Ismail Qemali, duke qeshur, iu përgjigj:
– Luigj Gurakuqi, në krye të gjeneralëve të tij arsimtarë, do të luftojë kundër armikut më të tmerrshëm e më të rrezikshëm të popullit tonë qe tash sa shekuj është ulur këmbëkryq në vatrat tona; kundër errësirës dhe padijes.
Sepse duhet ta dish, mik i dashur, se një komb pa dije e arsim është gjysëm i lirë. Pra, jo ministër po kryeministër të luftës e kemi zgjedhur Gurakuqin. Më thuaj tani, kujt nga ne, përveç atij, i takonte ky vend?
Mos kini frikë, zotëri…
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Ismail Qemalin:
– Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut?
Dhe Ismail Qemali ia priti:
– Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t’i sillnin të huajt këto besime!
Ismail Qemali thoshte: “Unë shpresën nuk e kam te bejlerët e te arhondët që kërkojnë të fitojnë princllëke. Shpresa ime është në të zotët e opingave, të cilët janë të zotët e vërtetë të Shqipërisë”.
Po ti, përse fut hundët në punët tona?
Kur kryeministri i qeverisë osmane mori vesh se më 28 Nëntor 1912 shqiptarët kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe shkëputjen e saj nga osmanllinjtë, i dërgoi këtë telegram kërcënues Ismail Qemalit:
– Me ç’të drejtë guxove të shpallësh pavarësinë e Shqipërisë?
Dhe Ismail Qemali, pa vonuar, ia ktheu përgjigjen:
– Po ti, me ç’të drejtë guxon të fusësh hundët në punët tona?
Isa Boletini
Ismail Qemali kur vajti në Londër për t’u takuar me Kryeministrin e Anglisë, e shoqëronte Isa Boletini.
Isa Boletini në brez kishte vënë dy kobure.
Mirëpo, kështu të armatosur nuk e linin të hynte në kryeministri. Ismail Qemali i bëri me shenjë të dorëzonte armët.
Këtë punë e mori vesh edhe kryeministri anglez dhe në bisedim e sipër, si me të qeshur i tha Isa Boletinit:
– Sido që të jetë e çarmatosëm edhe shqiptarin.
– Shqiptarët s’ka burrë t’i çarmatosë – u përgjigj Isa Boletini dhe nxori koburen tjetër që kishte fshehur.
Themistokli Germenji
Tri dëshirat e fundit
Themistokli Gërmenjit, para ekzekutimit iu kërkua të shfaqte dëshirën e fundit. Atëherë ai tha:
– Kam tre dëshira njëherësh. Dua të këndoj një këngë burri, veshur me kostum shqiptar, nuk pranoj të më lidhin sytë në kohën e pushkatimit, dhe dua t’i jap vetë xhelatit komandën “zjarr”!
Rrapo Hekali
Bejlerët e Jugut, të shqetësuar nga luftërat e Rrapo Hekalit, i thanë njëherë:
– Pa na thuaj, ore, si do të qeveriset vendi me një tufë leckamanësh që ke grumbulluar rreth vetes?
– Njëqind herë më mirë se ç’e qeveris Sulltani me një tufë kusarësh, maskarenjsh si ju – ua përplasi në fytyrë përgjigjen Rrapo Hekali.
Shtjefën Gjeçovi
As gjuha, as kombi shqiptar nuk vriten…
Një natë para se shovinistët serbë t’i zinin pusi dhe ta vrisnin pabesisht mësuesin Shtjefën Gjeçovi, ai i mblodhi nxënësit në shkollën e tij, në fshatin Zym të Prizrenit dhe u përsëriti, si gjithmonë pas çdo mësimi, këto fjalë:
“Shqypnia asht vendi ku kena le e na jena vetëm shqiptarë. Gjuha jonë asht shqypja. Këto mos i harroni kurrë, fëmijë të dashur”.
Dhe atë mbrëmje, kur do të kthehej për në shtëpi, rojtari i shkollës i tha:
– Ruaju, zotni Shtjefën. Armiqtë të kanë vu në shenjë e nuk e durojnë këtë shkollë shqipe!
– Ani ç’ka!, – u përgjigj duke qeshur Gjeçovi – Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë…
Shahin Kolonja
Edhe këtë e dimë…
Shahin Kolonjën, publicistin e shquar e demokrat, në kohën kur ai drejtonte gazetën “Drita” të Sofjes, e pyeti një personalitet i vendit.
– A e dini se Shqipëria ka shumë armiq dhe se ju do ta keni shumë të vështirë t’i dilni zot çështjes suaj?
Dhe ai u përgjigj:
– Që Shqipëria ka pasur gjithnjë shumë armiq, këtë e dinim; që ka ende shumë armiq, prapë këtë e dimë; por që ne jemi mësuar të luftojmë e t’i mundim gjithnjë armiqtë, edhe këtë e dimë!
Sulejman Vokshi
Malet e Shqipërisë nuk mund t’i varni e as t’i vrisni
Pasi osmanllinjtë e zunë në pabesi udhëheqësin ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sulejman Vokshin, e dënuan me vdekje në litar.
Kryetari i gjyqit ushtarak të Prizrenit e pyeti:
– Ke gjë për të thënë;
Sulejman Vokshi, duke shikuar me përbuzje, i tha:
– Po, kam. Mua mund të më vrisni e të më varni, se unë, një jam, por malet e Shqipërisë, ku luftojnë trimat për liri, as nuk mund t’i varni e as t’i vrisni kurrë.
Pashko Vasa
“Të mësojmë gjuhën dhe të ruajmë atdheun”
– Çfarë të shtyu të shkruash këtë vjershë? – e pyetën Pashko Vasën kur ky e lexoi për herë të parë poezinë “Shqypni, e mjera Shqypni!”
– Dy gjëra më bënë që t’i derdh këto mendime në letër. E para, që shqiptarët për ta lexuar të përpiqen të mësojnë gjuhën shqipe, dhe e dyta, pasi ta kenë lexuar, të kuptojnë më mirë se këtij vendi i duhet dalë zot deri në pikën e fundit të gjakut. Dhe të tillë ka shumë!
Jeronim De Rada
Jo, kundër interesave të vendit tim
Në gazetën “Flamuri i Arbërit” Jeronim De Rada, poeti e patrioti i shquar arbëresh, shkruante artikuj të zjarrtë në mbrojtje të çështjes shqiptare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Një funksionar i huaj erdhi dhe e takoi dhe i premtoi shuma të mëdha mjaft që ai të mos e përdorte gazetën e tij për çështjen shqiptare.
Dhe De Rada ia përplasi në fytyrë:
– Sikur të më dhuronit gjithë botën, megjithëse jam shumë i varfër, nuk do të vihesha në shërbim të askujt, kundër interesave të vendit tim, bijtë e të cilit jemi ne.
Jakup Ferri
Trim është ai që ka të drejtë
Në janar të vitit 1880, në afërsitë e fshatrave Velikë e Pepicë, vojvoda i malit të zi, në krye të 12 mijë ushtarëve, u spraps para qëndresës së 8 mijë luftëtarëve shqiptarë të Plavës e Gucisë. Një gazetar i huaj iu afrua Jakup Ferit, njërit nga udhëheqësit e kryengritjes dhe e pyeti:
– Ju ishit më pak në numër e më keq të armatosur. Si mundët t’i thyeni malazezët?
– Kur malazezët luftuan kundër osmanllinjve, për të mbrojtur vendin e tyre, treguan trimëri të madhe dhe e thyen armikun, sepse kishin të drejtë. Ne i dërrmuam sepse sulmuan vendin tonë dhe fituam, se kishim të drejtë. Trim nuk është ai që kërkon të marrë gjënë e huaj, por ai që mbron të vetën me gjakun e tij.
Idriz Seferi
Kush është gjenerali?
Të mahnitur nga qëndresa heroike që u bënë kryengritësit kosovarë ushtrive osmane në grykën e Kaçanikut më 1910, gazetarët e huaj po kërkonin me ngulm cili ishte ai gjeneral i famshëm që i drejtonte. Kur u gjetën përpara, udhëheqësit trim Idriz Seferi, e pyetën:
– Ti je gjenerali i kësaj qëndrese të pashembullt?
Idrizi, duke fërkuar mustaqet u përgjigj:
– Si unë, këtu janë të gjithë, sepse armën kundër armikut ua ka mësuar nëna që në djep. Të gjithë shqiptarët janë gjeneralë kur luftojnë për vendin e vet, por në vend të gradave në supe kemi armët e brezit.
Hil Mosi
Edhe gratë luftojnë si burrat
Kur një gazetare angleze pa duke luftuar, në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, krah për krah burrave edhe gratë, i tha Hil Mosit:
– S’e kisha besuar që kini gra kaq trimëresha!
– Një komb trim e luftëtar si kombi shqiptar, – u përgjigj Mosi – nuk ka si të qëndrojë i tillë vetëm me burrat, në qoftë se edhe gratë nuk janë po aq trimëresha, sepse në prehrin e tyre u rritën ata që i qëndrojnë mburojë Shqipërisë!
Hasan Prishtina
Në vend të kolltukut pëlqej kryengritjen
Në valën e kryengritjeve të mëdha që shpërthyen në vitin 1911 në Kosovë, kryeministri i qeverisë osmane, Haki Pasha thirri Hasan Prishtinën, “deputetin kryengritës”, siç e quanin ata, dhe i propozoi postin e ministrit, me kusht që ai të hiqte dorë nga kryengritja.
– Parimin tim – u përgjigj ai – nuk mund ta shkel jo për një ministri, por as për postin e sulltanit. Në vend të kolltukut me turp në Stamboll, pëlqej kryengritjen me armë në dorë në malet e Kosovës.
Drejtësia serbe
Duke u gjendur ballë për ballë me ministrin e Jashtëm të qeverisë së Beogradit në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Hasan Prishtina, midis të tjerave, deklaroi.
“Për të formuar një ide të përgjithshme mbi drejtësinë serbe, mjafton të dihet se mijëra krime bëhen në mes të ditës dhe asnjë nuk ndiqet nga gjyqi. Është i vetmi vend në botë, ku njerëzit mund të vriten në sy të gjykatësve që heshtin.”
Dervish Hima
“Përsërite edhe njëherë, zoti prokuror”
Pasi e mbajtën të burgosur në Shkodër patriotin Dervish Hima se më 1909 kishte dënuar në një fjalim politikën e xhonturqve, për mungesë avokati e dërguan t’i bëjnë gjyqin në Selanik.
Duke iu drejtuar të pandehurit prokurori e pyeti:
– Faji yt ndëshkohet me vdekje. Fol, ç’ke për të thënë për ato që ke thënë?
– Përsëriti zoti prokuror ato që kam thënë.
Dhe prokurori duke hapur dosjen lexoi: “Ke thënë se xhonturqit janë më të poshtër se qeveria e Sulltan Hamitit dhe se shqiptarët duhet të ngrihen e të marrin armët kundër tyre. Ja vdekje, ja liri.” Ja ç’ke thënë. I mohon apo i ke harruar?
– As i mohoj, as nuk i kam harruar, po kisha dëshirë t’i dëgjoja edhe nga goja juaj. Kështu do të bëjnë shqiptarët. Tani ju bëni tuajën.
As gegë, as toskë, por vetëm shqiptarë!
Në mbledhjen e Manastirit në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha:
– Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezërit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s’mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh.
Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi i cili është: përparimi i kombit shqiptar!
Dedë Gjo Luli
Nuk kam frikë ta shoh armikun në sy
Dedë Gjo Luli, i kapur në befasi nga ushtria serbe, me ndihmën e Gjonmarkajve, u vendos i lidhur para togës së pushkatimit.
– Lidhjani sytë – urdhëroi ushtarët e vet kapiteni serb Gjura.
– Nuk jam tradhëtar i atdheut tim – u përgjigj krenar Dedë Gjo Luli – që të vdes me sy mbyllur pa i hedhur shikimin e fundit dheut që do të më mbajë në gji. Përkundrazi, po vdes kryelartë, se gjithë jetën kam luftuar që vendi im të jetë i lirë. Dhe ju që po shkelni sot këtë vend, të jeni të sigurtë se ky dhé nuk ju mban: ose do të hyni nën të, ose do të largoheni që këtej.
Ja pse nuk kam frikë ta shikoj armikun në sy.
Pushka top!
Kral Nikolla kërkonte ta bënte për vete Dedë Gjo Lulin. Për këtë qëllim organizoi një takim në Vrellë, në verilindje të Podgoricës. Dhe aty, duke treguar se gjoja i dhimbseshin malësorët, i tha:
– Or Dedë Gjo Luli, gryka e pushkës sate është e ngushtë, vetëm duke pasur pranë e në krah Malin e Zi të bëhet pushka si grykë topi.
Deda, krenar, ia priti aty për aty:
– Me të vërtetë o Kral, gryka e pushkës time është e ngushtë, por duke u ndodhur midis maleve shqiptare, ato ma bëjnë grykën e ngushtë të pushkës sime më të gjerë e më të fuqishme se grykën e topave të ushtrisë sate.
Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd
Kur Shkodra më 1913 mbeti nën administrimin e komisionit ndërkombëtar, në një mbledhje të organizuar në Saraj të Shkodrës, admirali anglez Sesil i tha Ded Gjo Lulit:
– Hoti dhe Gruda janë mbaruar, duhet të qëndrojnë jashtë kufijve të rinj të Shqipërisë.
Deda u përgjigj si me shpatë:
– Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd. Se atë tonin ne as e shesim as e falim, por e mbrojmë me gjak.
Bajram Curri
Nuk i takon mysafirit të thërrasë të zotin e shtëpisë
I dërguari i kryeministrit serb Pashiç erdhi fshehurazi në Shqipëri dhe arriti të bëjë një takim me Bajram Currin, që luftonte maleve. Ai, në emër të Pashiqit, i ofroi para, rrogë të madhe e poste të larta në Serbi, me kusht që të kthehej në Gjakovë e të mos e kundërshtonte pushtimin serb.
Bajram Curri iu përgjigj:
– Thuaji Pashiçit tënd se nuk ka aq para gjithë mbretëria e kralit të Serbisë sa për të blerë Bajram Currin. Dhe lidhur me kthimin në Gjakovë, thuaji se nuk i takon mysafirit të thërresë të zotin e shtëpisë. Atje do të kthehem vetë, se është vendi im.
Sami Frashëri
Kur e pyetën rilindasin dhe patriotin Sami Frashëri se si mund ta flakin tej zgjedhën turke shqiptarët, ai tha:
“Turqia me dashuri e me mirësi s’jep gjë kurrë. Prandaj edhe shqiptarëve… me hir s’u ka për të dhënë gjë. Shqiptarët duhet t’ua marrin turqve me pahir ato që duan”.
Armiqtë do ta kenë të vështirë të harrojnë
Kur e pyetën Sami Frashërin në vitin 1899 përse u jepte kaq rëndësi alfabetit të gjuhës shqipe, librave dhe përhapjes së tyre, kur kjo gjë mund t’u sillte rreziqe të mëdha nga ana e qeverisë osmane, ai u përgjigj:
– U jap rëndësi sepse nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, nuk mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e shkolla në të cilat të mësohet shqipja. Kur t’i kemi të gjitha këto, armiqtë do ta kenë të vështirë të harrojnë se populli shqiptar është zot i këtij vendi.