Të enjten në mbrëmje, në një debat në televizionin “Dukagjini“, temë e të cilit ishte tenderi 5 milionësh, Kuçi ka thënë se mund të japë dorëheqje nga pozita e ministrit, në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsionit vërteton se ai gjendet në konflikt interesi.
Prishtinë, 30 tetor – Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) është duke e hetuar ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, lidhur me tenderin për ndërtimin e Spitalit në Prizren, në vlerë prej 5 milionë erurosh, të cilin e ka fituar kompania e tij.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën “Express“ drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Havolli ka thënë se Kuçi po hetohet për konflikt interesi.
“Po, ka një kohë që Agjencia Kundër Korrupsionit është duke e hetuar ministrin Blerim Kuçi, sa i përket tenderit 5 milionësh, për çështje të konfliktit të interesit. Pasi të përfundojnë hetimet do të njoftohet edhe Prokuroria”, ka thënë Havolli.
Të enjten në mbrëmje, në një debat në televizionin “Dukagjini“, temë e të cilit ishte tenderi 5 milionësh, Kuçi ka thënë se mund të japë dorëheqje nga pozita e ministrit, në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsionit vërteton se ai gjendet në konflikt interesi.
“Në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsionit e vërteton se ekziston konflikti i interesit, unë e shqyrtoj pozitën time si ministër”, ka deklaruar ai. Por, Kuçi është larguar para kohe nga debati, kur është pyetur lidhur me çështje të tjera që kanë të bëjnë me ministrinë që e drejton ai.
“Duhet të më ftoni një herë tjetër për të biseduar për tema tjera. Sonte kam ardhur të flas vetëm për çështjen e tenderit”, ka thënë ai.