Institucionet që refuzojnë gjuhën shqipe në Maqedoni

Mosrespektimi i gjuhës shqipe vazhdon të jetë pjesë e dy prej institucioneve më të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, duke i shkaktuar andralla në vite personave fizikë e subjekteve juridikë që marrin shërbimet në to, e për të cilët gjuha e komunikimit i vështirëson aksesin dhe shfrytëzimin e informacioneve, aplikimet.., e të tjera.

Banka Popullore, Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Hyrave Publike vazhdojnë të informojnë, promovojnë saktë dhe në mënyrë të plotë në faqet e tyre zyrtare vetëm gjuhën maqedonase, pavarësisht kërkesave publike për të dhe vendosur në përdorim gjuhën shqipe që do të lehtësonte zinxhirin e komunikimeve dhe të aktiviteteve edhe për një sërë institucionesh dhe veprimtari që lidhen me to, shkruan gazeta KOHA.

Nëse DHP as që e ka vendosur logon SQ (shqip), Regjistri Qendror nuk është i rekomandueshëm për të çelur versionin skandaloz gjysma-shqip, ku më shumë has në “Error”. As Banka Popullore, që e ka ikonën “SQ” dhe posedon me më shumë material, nuk e kryen të plotë azhurnimin e informacioneve, por në vend të tyre do të gjesh “Përmbajtje të disponueshme në maqedonisht”.

Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Hyrave Publike nuk i kanë përmbushur as angazhimet e marra kohë më parë se do të vinin në funksionim edhe versionin e gjuhës shqipe. Një vit më parë (në tetorin e vitit 2019), Marija Boshkovska-Jankovski, drejtoreshë e Regjistrit Qendror, deklaroi se po punohet në azhurnimit e zgjidhjes aplikative softuerike që do të mundësonte aksesin e qytetarëve dhe subjektet afariste edhe në gjuhën shqipe. Ky institucion mesa duket është në po atë fazë, të punës për aplikimin e gjuhës shqipe në faqen e tyre. Kjo duket edhe në uebsajtin e tyre, ku nëse shtyp ikonën SQ, më shumë do të lexosh “Error” apo gjen disa tituj në një shqipe gati të pakuptueshme, si “Ndalim i përhershme për kryerje të veprimtarive të ndara”, “Vërtetim i integruar nga pangu, lizingu, fiducioni dhe shitja”…, ose nëse hap materiale – ato janë të kombinuara në dy gjuhë: shqip-maqedonisht, si për shembull – “Institucioni përgjegjës: Централен Регистар на Република Северна Македонија al”, apo edhe “Institucionet e tjera: Агенцијата за катастар на недвижности Државен завод за статистика (ДЗС)…”, raporton KOHA. Që do të thotë se marrja e shërbimeve online nuk është një formë e rekomandueshme për aplikantin, i cili duhet t’i drejtohet versionit në maqedonisht për shkak të mungesës së rëndë të seriozitetit për të shërbyer në gjuhën shqipen me procese delikate, si janë regjistrimet, plotësimi i certifikatave, e të tjera.
Ndërsa Drejtoria e të Hyrave Publike mesa duket as që e ka ndërmend të fillojë me zbatimin e gjuhës shqipe. Në uebsajtin e tyre mund të gjesh vetëm dy ikona, atë të gjuhës maqedonase dhe angleze, sipas të cilave, azhurnuhen informacionet, materialet promovuese e të tjera. Veç përdorimit të cunguar apo edhe mos-përdorimit të gjuhës shqipe, në Drejtorinë e të Hyrave Publike, por as edhe në Regjistrin Qendror, asnjë lutje apo kërkesë nuk pranohet në gjuhën shqipe.

Leave a Comment

Your email address will not be published.