Fillon hetimi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Prokurori i përgjithshëm, William Barr, ka autorizuar prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara që të nisin hetime për parregullsitë në procesin e votimit, pavarësisht se nuk ka të dhëna për të mbështetur pretendimet e presidentit Donald Trump se ai ka humbur zgjedhjet ndaj demokratit Joe Biden për shkak të mashtrimeve të përhapura zgjedhore.

 

Si përgjigje ndaj kërkesës së prokurorit Barr, mediat amerikane kanë raportuar se udhëheqësi i Degës për Krime Zgjedhore në Departamentin e Drejtësisë ka njoftuar përmes një emaili se do të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ka lexuar “politikat e reja dhe degëzimet në lidhje me të”, shkruan agjencia Reuters.

Trumpi nuk është duke pranuar assesi humbjen ndaj demokratit Biden, që sipas projeksioneve kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë votat elektorale të mjaftueshme për të qenë president i ri i vendit.

Çfarë thanë Obama dhe Trump 4 vite me parë pas zgjedhjeve në SHBA

Në disa postime të reja në “Facebook”, ai është shprehur i bindur se rezultatet përfundimtare do t’ia japin edhe një mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ai ka thënë se republikanët po shënojnë ngritje të përkrahjes derisa po numërohen votat në disa prej shteteve të fundit. Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen javën e ardhshme.

Të shtunën, Bideni u shpall fitues, ndërsa Trumpi vazhdon të përsërisë se “ka pasur mashtrime” në zgjedhje dhe se ai është fituesi i vërtetë. Mediat amerikane raportojnë se ka edhe një numër zyrtarësh të lartë të Partisë Republikane që po e mbështesin presidentin Trump për ta vazhduar betejën gjyqësore kundër demokratit Joe Biden, i cili tashmë ka krijuar ekipin e transicionit të pushtetit.

Barr, mbrojtës i ngushtë i Trumpit, është akuzuar nga demokratët për politizim të sistemit gjyqësor disa herë gjatë udhëheqjes së tij. Fushata e Bidenit ka thënë se Barr është duke nxitur sugjerime të paargumentuara të Trumpit për mashtrime.

“Këto janë ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij janë duke i bërë në mënyrë të pasuksesshme çdo ditë, teksa paditë e tyre janë duke u dërguar nga një gjykatë në tjetrën”, ka thënë Bob Bauer, këshilltar i lartë i Bidenit.

Vendimi i Barrit vjen teksa administrata Trump i ka bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë që të hetojë pretendimet për mashtrime, në kohën kur ekipi i Trumpit ka nisur padi nëpër disa shtete. Gjyqtarët kanë hedhur poshtë paditë në Michigan dhe Georgia, derisa ekspertët kanë thënë se përpjekjet ligjore të Trumpit kanë pak mundësi të ndryshojnë rezultatin zgjedhor.

Në letrën e tij dërguar prokurorëve federalë në të gjitha Shtetet e Bashkuara, Barr ka theksuar se Departamenti i Drejtësisë jodomosdo ka të dhëna për rastet e mashtrimit në zgjedhjet e fituara nga presidenti i zgjedhur Biden.

Mirëpo ai ka larguar kufizimet paraprake, që parandalonin prokurorët federalë nga nisja e hetimeve të tilla, të cilat normalisht kryhen nga shtetet.

“Marrë parasysh se votimi në zgjedhjet aktuale është kryer, unë ju autorizoj që të kërkoni rreth pretendimeve substanciale rreth votimeve dhe parregullsive me vota, para se të kryhet certifikimi i zgjedhjeve në juridiksionin tuaj në disa raste”, ka thënë Barr përmes një letre.

Biden: Turp për Trumpin që nuk pranon rezultatin

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është “turp” që presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.
Joe Biden tha, të martën, se asgjë nuk do ta ndalë transferimin e pushtetit në SHBA, megjithëse presidenti Donald Trump pretendon pa prova se zgjedhjet u karakterizuan nga mashtrime dhe disa prej aleatëve të tij republikanë mbështesin proceset ligjore të hapura për këtë qëllim.

I pyetur nga gazetarët se cili është plani i tij nëse administrata Trump nuk bashkëpunon në tranzicionin e pushtetit, Biden tha: “Do të ishte mirë sikur ta kishim bashkëpunimin e administratës, por nuk është vendimtar. Ne do të bënim pikërisht atë që po bëjmë, edhe sikur ta pranonte humbjen”.

Z. Trump, ndërkohë, shkroi në Twitter se në fund të fundit do të fitonte garën që të gjitha rrjetet kryesore televizive kanë parashikuar se ai ka humbur.

Siç ndodh çdo katër vjet, media amerikane projektoi fituesin e zgjedhjeve. Asnjë nga rezultatet shtet për shtet nuk është certifikuar akoma, disa numërime votash po vazhdojnë dhe rezultati do të vendoset vetëm pasi Kolegji Zgjedhor i SHBA-së të mblidhet në 14 dhjetor.

Udhëheqësit botërorë, përfshirë shumicën e aleatëve amerikanë, e kanë uruar presidentin Biden për fitoren në zgjedhje.

Biden tha, të martën, se ka biseduar me gjashtë liderë botërorë “për t’iu treguar se Amerika është rikthyer”.

Sipas disa njoftimeve, Biden, ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Një javë pas zgjedhjeve në ShBA, presidenti Donald Trump, mbetet ende i mbyllur në Shtëpinë e Bardhë, duke insistuar në një realitet tjetër, në të cilin ai do të fitojë dhe do të bllokojë mundësinë e demokratit Joe Biden për të përgatitur tranzicionin.

Sidoqoftë, puna ka nisur për ndërtimin e platformës jashtë Capitol Hillit, që do të përdoret për inaugurimin e presidentit pas pak më shumë se dy muajsh. E në këto kushte, shumëkush, kujton tani nëntorin e 2016, kur presidenti Barak Obama, po përgatiste dorëzimin e detyrës tek Donald Trump. Kanë kaluar katër vite që nga takimi i Obamës dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

‘Unë pata mundësinë të kem një bisedë të shkëlqyer me presidentin e zgjedhur Trump. Folëm për shumë çështje, për politikën e brendshme dhe të jashtme. Unë besoj se ëhstë e rëndësishme për të gjithë ne, pavarësisht partisë, pavarësisht preferencave politike, që të jemi bashkë, të punojmë bashkë, të përballemi me sfidat e shumta që na presin, bashkë. Dhe mbi të gjitha, dua të theksoj se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi t’ju ndihmojmë drejt suksesit, sepse nëse ju keni sukses atëherë edhe vendi ka sukses’- tha Obama.

Dhe Trump, u përgjigj me mirësjellje.

‘Ky ishte një takim që do të zgjaste për 10 ose 15 minuta dhe ne duhej të njiheshim me njëri tjetrin. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë kam respekt të madh. Takimi zgjati për thuajse një orë e gjysmë dhe mund të kishte zgjatur akoma më shumë madje. Zoti president, ishte një nder i madh të isha me ju dhe pres që të jemi bashkë edhe shumë herë të tjera në të ardhmen’- tha Trump.

Tani, mbetet për tu parë nëse një takim i tillë do të zhvillohet edhe mes presidentit Trump dhe presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

 

Çka tjetër mund të bëjë Donald Trump para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë?

 

Mes pritjeve që gjykatat amerikane të zgjidhin të gjitha dilemat në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, Donald Trump zëvendësoi Ministrin e Mbrojtjes dhe emëroi një të ri, i cili hapi çështjen e të drejtave dhe kompetencave të presidentit në largim.

Deri në inaugurimin zyrtar të Joe Bidenit, më 20 janar, kanë mbetur edhe pak më shumë se dy muaj, gjatë të cilave mund të ndiqnin lëvizje të tjera jo aq të parëndësishme të presidentit në fuqi, siç ishte shkarkimi i shefit të Pentagonit.

Formalisht dhe ligjërisht, Trump është presidenti i Shteteve të Bashkuara deri në largimin e tij, më 20 janar, dhe ai mund të marrë të gjitha aktet dhe vendimet që mund të kishte marrë para 3 nëntorit, pra ditës së zgjedhjeve.

Ajo periudhë midis zgjedhjeve dhe ardhjes së një presidenti të ri është specifike për sa i përket legjitimitetit që presidenti ka nëse nuk zgjidhet, megjithëse kjo nuk ishte një situatë e zakonshme.

Presidenti i fundit, i tillë, ishte George W. Bush, në vitin 1992, i cili nuk u rizgjodh. Që nga ajo kohë deri më sot, të gjithë presidentët amerikanë janë “rizgjedhur, kështu që çështja e legjitimitetit nuk është ngritur.

Në atë rast, presidentët kryesisht shmangën marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme, por “ia lanë” ato pasardhësit në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo periudhë quhet “lame dack” në anglisht dhe është e vlefshme për një periudhë në të cilën presidenti është mjaft “i dobët”, duke pasur parasysh se të gjithë e dinë se nuk do të jetë më presidenti i Shteteve të Bashkuara nga janari i vitit të ardhshëm.

Trump ndoshta do të dëshirojë të lërë një trashëgimi dhe do të përpiqet të marrë ndoshta disa vendime të rëndësishme në këtë periudhë.

Në thelb, Trump mund të marrë disa vendime të rëndësishme gjatë kësaj periudhe.

Nuk përjashtohen befasi të tjera kur bëhet fjalë për Trumpin, siç është mundësia e mos mirëpritjes së shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë dhe lënia e tij një “Zyrën Ovale”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.