Ndarja e Shqipërisë së Jugut dhe marrja e saj nga Greqia !

Në numrin e kaluar ne përzgjodhëm për të botuar për herë të parë një dokument i cili ndër të tjera fliste për një implikim në zhvillimet e ngjarjeve në Shqipëri të 1942 të gjeneralit jugosllav, Drazha Mihajlovic.

Përfshirja e një fraksioni të ndikimit jugosllav me ngjyrime nacionaliste dhe pro mbretërore në Shqipëri me kërkesat e Shërbimit Sekret Anglez botohet për herë të parë, duke na dhënë një panoramë më të plotë të prapaskenave që luheshin në ngjarjet e vitit 1942 në Shqipëri.

Shërbimi Sekret Anglez, tashmë me krijimi e një zyre tepër sekrete ‘SOE’ e cila varej drejtpërdrejt nga kryeministri Churchill, kishte si qëllim hapjen e një sërë vatrash zjarri në Ballkan në prapavijat italiane.

Anglezët ishin të përqendruar në objektivin e tyre në mbrojtje të rrugë- kalimeve detare të Lindjes dhe këto rrugë-kalime kishin si pikë strategjike Greqinë. Si rrjedhim, Qeveria britanike e kishte mëse të domosdoshme që të kishte si aleat të fortë Qeverinë greke, e cila edhe pse në mërgim, luante një rol shumë të rëndësishëm pranë Kurorës Britanike me lidhjet e saja shumëvjeçare.

Për këtë arsye, ‘SOE’, organizata super sekrete e Shërbimit Britanik ishte e kushtëzuar nga vendimet politike të Ministrisë së Jashtme Angleze, e cila bënte edhe politikën Zyrtare të Qeverisë Britanike.

Në dokumentin që botojmë sot për herë të parë për publikun shqiptar, shihet qartë se zyra ‘SOE’ e Londrës kërkon disa opsione për të operuar në Shqipëri për përmbushjen e objektivave të saja, krijimin e vështirësive ushtarake në prapavijat italiane.

Dokumenti i hartuar për Zyrën e Londrës vetëm një vit pas dështimit të operacionit të parë ushtarak të organizuar dhe financuar nga anglezët dhe jugosllavët në prill të 1941, ku një grup shqiptarësh të udhëhequr nga vëllezërit Kryeziu, Haxhi Lleshi, Mustafa Gjinishi dhe Abaz Kupi me mbështetjen e rreth 200 ushtarëve jugosllavë dhe të oficerit anglez, Oakley-Hill, na bën të besojmë se anglezët kërkonin alternativa të reja për të përfshirë edhe Shqipërinë në një mundësi kryengritje anti-italiane.

Gjithsesi, ky dokument sjell për herë të parë edhe një fakt shumë të rëndësishëm historik. Një fakt, i cili është thënë shpesh nga personazhe të rëndësishëm të asaj periudhe si nga pala komuniste, si nga pala mbretërore, por që për herë të parë shihet i shkruar në një dokument zyrtar të Shërbimit Sekret Britanik. Ndarja e Shqipërisë së Jugut dhe marrja e saj nga Greqia.

Dokumenti i botuar është mjaft i qartë se Ministria e Jashtme Britanike refuzonte të njihte një Shqipëri të pavarur pas lufte, por edhe për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë midis Qeverisë britanike dhe asaj greke për ndarjen e Shqipërisë së pas luftës.

Ky dokument ka mjaft rëndësi për të kuptuar atmosferën e prapaskenave që shoqëronin ngjarjet e kësaj periudhe në Shqipëri, por edhe për të kuptuar mjaft qartë dyshimin që oficerët britanikë do të gjenin për rolin e tyre në ngjarjet që do të pasonin aktivitetin e tyre në 1943-‘44.

Ky dokument mjaft sekret, i cili i është drejtuar një zyrtari të lartë të ‘SOE’ në Londër, konfirmon se në fakt dyshimi që Enver Hoxha dhe shtabi i tij kishin për një marrëveshje të fshehtë midis Qeverisë angleze dhe asaj greke për Jugun e Shqipërisë ka qenë i drejtë.

Fakti i dytë shumë i rëndësishëm që del nga ky dokument është pjesëmarrja e gjeneralit Mihailovich në zhvillimet shqiptare me kërkesën e anglezëve.

Në numrin e kaluar, hipoteza se gjenerali jugosllav ka pasur një rrjet agjenturor në Shqipëri me kërkesën e anglezëve mund të jetë dukur paksa jo realiste, botimi i dokumentit të sotëm nuk lë asnjë dyshim se anglezët i kanë kërkuar Mihailovich që të krijonte mundësitë për trazira në prapavijat italiane në Shqipëri.

Ky implikim i gjeneralit jugosllav. i njohur si mbështetës i Monarkisë mund t’i japë edhe shpjegimin e duhur disa prej mistereve të vrasjeve të liderëve mjaft të hershëm të lëvizjes komuniste në vitet 1942–’43, dhe në veçanti atyre që vinin nga Shkodra.

Është shumë interesant fakti se disa prej liderëve komunistë të Shkodrës janë vrarë në rrethana shumë misterioze, të cilat lënë për të dyshuar si në rrethanat, si dhe shpjegimet që janë dhënë për këto ngjarje.

A mundet që eliminimi i liderëve komunistë të Shkodrës të ketë qenë një përplasje midis rrjetit informativ të gjeneralit Mihailovich, të përkrahur nga anglezët dhe rrjetit të komunistëve jugosllavë të mbështetur nga Moska? Kjo hipotezë mbetet për t’u parë nga botimi i dokumenteve në vazhdim.

Leave a Comment

Your email address will not be published.