Detyrimi i karantinës për pasagjerët që udhëtojnë me avion nuk rekomandohet, pasi nuk është një masë efektive e shëndetit publik, ka deklaruar agjencia shëndetësore e BE.
Udhëzimet e reja nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA), theksuan se përhapja e SARS-CoV-2 tek udhëtarët vlerësohet të jetë më e ulët se përhapja në përgjithësi e popullsisë, ose midis kontakteve të rasteve të konfirmuara.
Sipas udhëzimeve, përhapja e COVID-19 midis udhëtarëve besohet të jetë në më pak se 1 për qind.
“Provat e disponueshme nuk mbështesin karantinën dhe testimin e udhëtarëve si një masë efektive të shëndetit publik, e cila do të zvogëlojë ndjeshëm transmetimin e përgjithshëm në popullatë.
“Në situatën aktuale epidemiologjike, karantina ose testimi sistematik për udhëtarët ajrorë SARS-CoV-2 nuk rekomandohet”.
Raporti i përbashkët argumentoi se udhëtarët nuk duhet të trajtohen “si një popullsi me rrezik të lartë” nëse nuk kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar COVID-19 dhe se duhet t’iu nënshtrohen të njëjtave rregulla si popullata lokale.
Zyra Evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të enjten se “nuk rekomandon testimin si një mjet për të parandaluar transmetimin përtej kufijve”.
“Ajo që ne rekomandojmë është që vendet të shikojnë të dhënat mbi transmetimin si brenda vendeve të tyre ashtu edhe përtej kufijve të tyre dhe të rregullojnë udhëzimet e udhëtimit në përputhje me rrethanat,” tha dr. Catherine Smallwood, zyrtarja e e Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së.
Këshilli i Aeroporteve Ndërkombëtare në Evropë, e ka mirëpritur raportin dhe u kërkoi vendeve anëtare “të heqin menjëherë masat e karantinës dhe kufizimet e tjera të udhëtimit”.
Ata thanë në një deklaratë se karantina dhe kufizimet e tjera të udhëtimit COVID-19 kanë çuar në “kufizime të pashembullta të lirisë së lëvizjes dhe lirisë për të ofruar shërbime”. Trafiku ajror i pasagjerëve evropianë është fundosur me 91 për qind në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019-n.
Sipas tyre, një qasje më e harmonizuar, e koordinuar është e nevojshme në nivelin evropian në mënyrë që të rritet qartësia dhe parashikueshmëria për udhëtarët dhe për të rimëkëmbur sektorin.
Këshilli i Aeroporteve Ndërkombëtare, ACI në Evropë mbështet testimin e shpejtë.
Udhëzimet për industrinë e aviacionit u lëshuan në të njëjtën ditë kur Komisioni Evropian zbuloi strategjinë e tij “Qëndrimi i sigurt nga COVID-19 gjatë dimrit”.
Brukseli theksoi se një qasje e koordinuar në të gjithë BE-në është thelbësore, për të shmangur një tjetër ndezje të pandemisë vdekjeprurëse gjatë periudhës së pushimeve.
Në lidhje me çështjen e udhëtimit, i cili pritet të rritet në të gjithë rajonin para Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, Komisioni tha se kërkesat për karantinë mund të ndodhin kur situata epidemiologjike në rajonin e origjinës është më e keqe se destinacioni.
Organi ekzekutiv i BE-së ka bërë thirrje për një qasje të harmonizuar për muaj me radhë, por vendet anëtare, në pjesën më të madhe, kanë zbatuar kufizimet e tyre të udhëtimit për njerëzit që vijnë nga brenda, ose jashtë bllokut.