Duke folur për proceset aktuale politike në vend dhe në rajon, Dr. Skender Asani potencoi nevojën e një qasjeje tepër pragmatike në raportet maqedono-bullgare dhe sipas tij, ky është një proces afatgjatë, që kërkon durim dhe fleksibilitet nga të dyja palët. Ai me këtë rast mori si shembull modelin franko-gjerman të tejkalimit të kontesteve të hapura
Shkup, 4 dhjetor – Të enjten pasdite Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e nderoi me vizitën e tij, Shkëlqesia e Tij, z. Siril Bomgartner, ambasador i porsaemëruar i Francës në Maqedoninë e Veriut, i shoqëruar nga këshilltari i parë, njëkohësisht zëvendësambasador, z. Stanislas Mrozek, si dhe përkthyesi z. Ardian Ramadani, njëkohësisht hulumtues në këtë institucion. Ai me këtë rast shprehu kënaqësinë që ndodhet në një institucion serioz dhe jo rastësisht, siç tha ai, në agjendën e vizitave të tij të para këtu në Shkup kishte zgjedhur pikërisht ITSHKSH.
Ambasadori Bomgartner faleminderoi nikoqirin, Dr. Skender Asanin, drejtor i ITSHKSH, i shoqëruar nga Emin Azemi, udhëheqës i departamentit të letërsisë, për mundësinë që të njihet më nga afër me një institucion shkencor, i cili, siç tha ai, ka dëshmuar se është i hapur për vlera dhe për ide që i bëjnë njerëzit më të përkushtuar në qëllimet e përbashkëta, për një shoqëri pa barriera etnike, fetare e gjuhësore.
Diplomati francez premtoi një bashkëpunim të frytshëm me ITSHKSH, duke qenë i hapur për ide e projekte të cilat mund të realizohen vitin që vjen.
Drejtori i ITSHKSH, Dr. Skender Asani, pasi foli për rolin dhe rëndësinë e Francës në avancimin e vlerave kulturore e shkencore në përmasa globale, e njoftoi ambasadorin Siril Bomgartner me profilin dhe me gamën e aktiviteteve shkencore e hulumtuese që ka ndërmarr ITSHKSH viteve të fundit. Ai me këtë rast i prezantoi edhe disa vepra dhe publikime që hedhin dritë mbi periudha e ngjarje nga e kaluara, të cilat janë trajtuar me një përkushtim serioz nga ana e hulumtuesve shkencorë të ITSHKSH-së.
Dr. Asani pasi elaboroi rëndësinë e themelimit të ITSHKSH, potencoi se detyrë parësore e tij kishte qenë depolitizomi i këtij institucioni, si dhe hapja pa komplekse ndaj të gjitha temave që ndikojnë në ofrimin e njerëzve përmes ideve e projekteve. Kjo ka qenë edhe arsyeja që puna e ITSHKSH, tha Dr. Skender Asani, të përfshihet në dy raportet e State Departmentit Amerikan mbi liritë fetare, me ç ‘rast veçohet kontributi i qenësishëm i ITSHKSH në trajtimin e temave mbi Holokaustin.
Duke folur për proceset aktuale politike në vend dhe në rajon, Dr. Skender Asani potencoi nevojën e një qasjeje tepër pragmatike në raportet maqedono-bullgare dhe sipas tij, ky është një proces afatgjatë, që kërkon durim dhe fleksibilitet nga të dyja palët. Ai me këtë rast mori si shembull modelin franko-gjerman të tejkalimit të kontesteve të hapura, një proces ky që ka zgjatur një kohë të gjatë, por pasi që të dy shtetet u morën vesh që të hapin zyra në Berlin dhe Paris, të cilat pastaj do të mbulonin problematikat e hapura nga ana e ekipeve të përziera të ekspertëve të të dy vendeve.
Ambasadori francez Siril Bomgartner përshëndeti idetë e prezantuara nga ana e drejtorit të ITSHKSH, Dr. Skender Asani dhe e inkurajoi atë për të vazhduar në ofrimin e zgjidhjeve që janë të dobishme për të sotmen dhe të ardhmen.
Në fund të takimit, ambasadori francez Siril Bomgartner dhe Dr. Skender Asani, u dakorduan, që në vitin e ardhshëm kalendarik të organizohen disa aktivitete të përbashkëta, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit të dyanshëm midis kulturave e civilizimeve të popujve e gjuhëve të të dyja vendeve.