Qerkin Morina, ndihmës i auditorit të përgjithshëm, ka thënë se Portfolja e borxhit publik në Kosovë është themeluar në vitin 2009, duke filluar të merren kredi të jashtme dhe më pas, nga 2012-a, edhe borxhe të jashtme.
Ai ka deklaruar në Raport të KTV-së se borxhet e jashtme merren nga institucionet financiare, bankat, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe agjencionet e tjera financiare.
“Që nga themelimi deri më tash, shteti ka ratifikuar marrëveshje për hua të jashtme në shumën prej 1 miliard e 312 milionë, mirëpo prej tyre, janë tërhequr 387 milionë ndërsa të pa tërhequra janë 475 milionë. Brenda kësaj periudhe, kredi të jashtme janë kthyer në shumën prej 428 milionë, kjo do të thotë se gjendja ka një dinamikë të vetën sepse një borxh merret këtë vit, shfrytëzohet, ai i mëhershmi kthehet mirëpo gjendja aktuale me borxhet e jashtme është 409 milionë”, ka deklaruar Morina.
Ai ka shtuar se borxhe të brendshme, Kosova ka 701 milionë, që në total kapin shifrën e 1.2 miliardë eurosh.
“Për nevoja të kalkulimeve në kuadër të borxheve publike, kalkulohen edhe garancione. Garancionet janë fletët garantuese që i lëshon Qeveria që nuk janë tërhequr para mirëpo është si dëshmitarë, nëse dikush nuk paguan, shteti e merr përsipër. I vetmi institucion që është i autorizuar në borxhet e jashtme është Ministria e Financave, pra Qeveria”, ka shtuar ai.
“Garancione të tilla deri tani i kemi 43 milionë, 10 milionë janë për blerjen e autobusëve ndërsa shuma tjetër 34 milionë janë për fondin e sigurimit të depozitave. Në total, borxhi i përgjithshëm është rreth 1.2 miliardë. Prej kreditorëve të jashtëm, kryesorë kanë qenë Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Banka Evropiane e Investimeve, Naticis, Un crediti, Fondi për Zhvillim Ndërkombëtar, Raiffaisen dhe banka gjermane”.
Morina ka potencuar se me këto institucione financiare aktualisht janë 475 milionë euro kredi të ratifikuara, të cilat janë të gatshme por nuk janë shfrytëzuar deri tash.