Nga: «Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912» (Shkruar prej Hasan Prishtinës) Shkodër 1921, f. 5-29.
PARATHANË
Tue lanë botimin e nji libri ma të plotë për atë herë kur kam me pasë në dorë dokumentat q’i përkasin kryengritjes shqyptare të vjetit 1912, të cilat më gjinden në Stambollë e Kosovë, tesh për tesh, po e shoh të nevojshme vetëm me qitë ket broshurë me qëllim për me ndritsue pjesërisht mendimin e përgjithshëm e me forcue pa-vjetsin e disa çpifjeve pa-logjikë qi përfliten për punë të kësaj kryengritje.
Fitimin qi ka me u nxjerrë prej kësaj broshure, kam m’e kushtue për sigurim t’arësimit të femivet jetima të Kosovës, Dibrës e të Çamërisë qi gjinden në Shqypni.
Hasan Prishtina
NJI DITË HISTORIKE NË PARLAMENT OTHOMAN
Nji mizori pa farë frëni mbretnonte në Shqypni fill prej asaj dite qi operacioni i Turgut Pashës (1910) mori fund me fitim të plotë të Turkis.
… Kah fundi i vjetit 1911, tue u frymëzue nga idhnimet e mizoria tyrke, partija kundërshtare bani nji pyetje mbi gjendjen e Shqipnis dhe e ngushtoi Haki Pashën me dhanë hesape mbi ket pikë përpara Parlamentit.
Shumica e deputetëvet të Shqypnis më patën ngarkue me i ba ball shpiegimevet të Vezirit turk, tue iu mbështetë dokumentave qi kishim mbledhun përmbi këto mizorina.
Biseda u hap e qysh në fillesë shkoi tue u ashprue. Çashtia kishte nji landë të pa kufizueme. Na ishim të fortë në lamë të logjikës e me prova të gjalla në dorë.
Mora pra edhe unë fjalën. Kritikova ashprisht politikën e turpshme qi po ndiqej në Shqypni. I derdha arësyenat qi më shtyjshin në ket kritikë kaq të rreptë e ma në fund tue përmbledhë krejt energjin t’eme ia lidha kryet me ket frasë:
«Në kjoftë se Qeveria nuk ndrron politikë e administrim në Shqypni, në kjoftë se shqiptarët nuk i gëzojnë të drejtat e tyne politike, asht për t’u vu oroë qi kanë me shpërthye nji varg ndodhinash të përgjakëshme t’idhta.»
Nji deputet arab m’a priti:
«Ç’kuptoni me fialën ndodhina të përgjakshme e t’idhta?»
Iu përgjegja:
«Po due me thanë qi në kioftë se «Jeunes turcs»1 vijojnë në zbatim të këtij sistemi mizuer në lamë të politikës së përmbrendshme, kam me kenë njëni, e ndoshta i pari i atyne, qi kam për t’a ngreh flamurin e kryengritjes».
Ky deklarim përpara ma se dy qind deputetëve, kabinetit tyrk e mija ndigjuesave u bani efektin e njij bombe.
Haki Pasha u çue në kambë e tha:
«Hasan begu t’a kishte përdorur kët fjalë për dobi të vendit pat me krye nji shërbim të madh. Por, Hasan begu me këto fjalë ka për qëllim me ia shti zjarmin krejt Perandorisë.»
Ia prita:
«Pashë, Pashë, nuk po flas veç se nji të vërtetë. Në kjoftë se nji ditë themelohet në ket vend nji liri e vërtetë, vendi i yt e i shokëvet t’uej nuk ka për të kenë këtu, por në Gjygj të Naltë (divan alij)».
Kur duelem nga Parlamenti, deputetët e Shqypnis e shqyptarët e Stambollit rrëfyen një gëzim të pa kufizuem e më përshëndeten me nji sympathi krejt të posatshme.
Ismail Kemal begu më përgëzoj nxehtësisht e më propozoi me u gjetë në darkë në shpi t’eme për me pasë shteg me bisedue pak ma gjatë mbi situation të ri.
Kështu mbaroi kjo ditë historike qi nuk pat lanë shteg pajtimi në mes të Shqypnis e të Komitetit «Jeunes-turcs»
VENDIMI
Ismail Kemal begu, sikur m’a pat dhanë fjalën, u gjet në shpi t’eme për darkë dhe e kaluem natën së bashku. Gjanë e gjatë biseduem mbi fatin e Shqypnis e ma në fund venduem me i dhanë mbarim mizorivet tyrke me nji kryengritje. Biseda u mbyll me këto fjalë:
Ismail Kemal begu: «Hasan beg, i besoi fetarisht karakterit të Zotnis s’ate. Ky besim më ka shty me i shkrue në zemër t’eme ato fjalë qi i përdorove sot në Parlament tue thanë: kam me kenë njeni e ndoshta i pari i atyne qi kam për t’a ngrehë flamurin e kryengritjes»!..
I përgjegja:
«Ismail beg, para se me folë nji fjalë mbatem shum e mbasandej flas; por, mundem me Ju sigurue qi zakoni i em asht me mbajtë nji fjalë qi më del nga goja. Pra mbasi edhe Zotnija e Juej po e ndin nevojën e nji kryengritje, ndoshta vetëm vendimi i ynë nuk mund të mjaftojë për me qitë në krye kët qëllim, po më duket qi do të na duhet me u bashkue edhe me katër, pesë veta rreth këtij vendimi.»
Ismail Kemal begu më përgjegji: — «Po, dhe unë jam në mendim të Zotnis sate.»
Mbasandej më propozoi me u gjetë n’e nesre në Hotel «Pera Palace» e me vijue bisedën aty mbi ket pikë.
NË HOTEL «PERA PALACE»
Të nesërmen kuvendi në mes të Ismail Kemalit e meje zgjati ma se tre sahat, e në fund … venduem me ba një mbledhje … në Taksim.
KOMPLOTI I TAKSIMIT
Mbledhja u mbajtë nën kryetari t’Ismail Kemalit.
Tue marrë parasysh randësin e çashtjes qi kishim për të bisedue propozova me u betue të gjithë para se të fillojshin kuvendin.Ky propozim u pranue dhe betimi u ba tue dhanë fjalën e nderes seicili prej nesh mos me i kallxue kurrkuj shka do t’u flitte e t’u vendote n’at mbledhje. Mbas betimit filloi kuvendi.
U numruen e u përmendën dhe nji herë krejt mizorit e «Jeunes-turcs» në Shqypni e politika e tyne në çashtje të shkollave e të shkronjave qi pat shkue gjithnji tue u rreptësue.Sa për ndonji privilegj politik e administruer jo me u marrë vesh, por nuk ish punë as me hy në bisedë me ta.
Pra kuvendi nuk zgjati shum e te gjith shokët u bashkuen mbi ket pikë:
«Për me i dhanë fund politikës tyrke në çashtje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni nuk ka tjetër mjet veçse me fitue më nji kryengritje të përgjithshme.»
Kështu pra u vendue qi t’u organizonte kryengritja e biseda nisi me rrjedhë mbi ket pikë të dytë: Qysh do t’u organizonte kjo lëvizje e kur kishin me fillue veprimet?
Në ket mes rolin ma të çmueshëm kishte për t’a luejtë Kosova.
Për ket arësye u vendue me gjetë e me i futë nga Mal i Zi në Kosovë pesë-mbëdhetë mijë pushkë «mauzer» e me mbajtë n’urdhën t’em, posë këtyne, edhe dhetë mijë napoleona ari.
Zbatimin e këtij vendimi e mori mbi veti Ismail Kemal begu qi pat çfaqë nji uzdajë2 të fortë me sigurue ket punë ndëpër Europë.
I sigurova shokët se kisha për t’a organizue kryengritjen ndëpër të gjitha krahinat e Kosovës e kjo kryengritje kishte për të plasë kur armët e të hollat do ‘t’i kishte në disposition t’em.
Me gjithë këtë, për me fitue ma mirë e ma shpejt, menduem se nuk kishte me mjaftue nji lëvizje e kufizueme vetëm në Kosovë.
Pra, shtova, se kishte me i u dashtë si Toskënis ashtu edhe Shqypnis së mesme me marrë pjesë në kryengritje disa dit mbas Kosovës.
Ismail Kemali u detyronte me mbetë n’Europë e me na ndihmue me armë e me të holla tue sjellë në të mirë të lëvizjes s’onë mendimin e përgjithshëm t’Europës.
Tue iu përdrejtue shokvet u thaçë!
. . . po ju deklaroj edhe nji herë qi, ku të dalë le të’dalë, unë kam për të kenë në mal kur ka me tingllue çasi i kryengritjes. Për këtë kam vu peng pak përpara fjalën t’eme të nderes. Ju lutem pra mos me më lanë vetëm, pse jeni betue edhe ju.
M’u përgjegjen të gjith me nji herë:
«Mundeni me kenë të sigurt se edhe na kemi për t’a krye detyrën t’onë».
Kështu mori fund kuvendi e u mbyll komploti i Taksimit.
NJI PRITJE PREJ ANËS SË SULLTANIT (AUDIENCË)
Nuk ishin vetëm shqyptarët qi i kundërshtoheshin sundimit të «Jeunes-turcs», por krejt elementat e perandoris, edhe nji pjesë e popullit tyrk, punë këto qi na i lehtësonte në nji mënyrë të posatshme veprimet në lamë të përgatimevet e na siguronte simpathin e krejt elementave të Shtetit të Turkis nder minuta të para të kryengritjes.
Pra, për me i dhanë nji shkas pak ma të gjallë lëvizjes anti «Jeunes-turcs», me inisiativë të grupit shqyptar u formue nji deputation prej pesë deputentësh (shqyptarë, arabë, tyrk, qyrd, armen) për me ia paraqitë Sulltanit ankimet e partis kundërshtare3.
Mora pjesë në ket deputation edhe unë.
Nafi Pasha, përfaqësuesi i grupit arab, kritikoi me ashprim politikën e partis «Jeunes-turcs» dhe shtoi se kjo politikë heret a vonë kishte për t’i tronditë themelet e Perandoris.
Kur Nafi Pasha i mbaroi fialët e veta, mora fialën unë tue i thanë
Sulltanit:
«. . . Në kioftë se nuk i nepet fund nji orë e ma parë politikës së shtrembët qi po ndiekë partija «Jeunes-turcs» ndëpër të gjitha krahinat e Perandoris, vendi ka për t’u ba lama e shumë ndollinavet të përgjakëshme dhe do të heci me vrap kah njij rrënim i plotë.
I vetmi shpëtim për t’a pritë ket rrezik asht të largumunit e partis së «Jeunes-turcs» nga fuqija».
Audienca muer fund mirë, por, fitimi mbeti fieshtë moral, pse Sulltani nuk e kishte at fuqi sa me shkatrrue sundimin «Jeunes-turcs». Këtë, muejtëm me e kuptue të nesërmen kur «Tanini», organi i partis «Jeunes-turcs», botoi nji artikull të rreptë kundra mejet me ket titull:
«Hassan begu nga Vulçiterni, deputeti i Prishtinës, filloi me na u kërcnue (tehdidë) përpara Mbretit.»
TË SHPËRNDAMIT E PARLAMENTIT OTOMAN
Partija kundërshtare ishte tue fitue dita me ditë, antagonismi pat mërrijtë më nji shkallë aq t’ashpër sa partis «Jeunes-turcs» nuk i pat mbetë tjetër armë për veç se me shpërda parlamentin, mjet që mund të quhet fysheku i dishprimit qi i takon me provue ose me kërkue me provue çdo partije politike në të bjerrun të davas.
. .. u shpërnda pra parlamenti tue lanë mbrapa nji pezma tim të pashoq nder rrethe t’oppositionit.
…
Me kët rasë u thashë deputetëvet arabë e kurdë qi Xhemietxhit4 kanë për të kërkue të fitojnë ndepër zgjedhjet e reja tue përdorun mënyra të paligjshme e ndoshta edhe mjetet e terrorismit e kështu nuk ka me na mbetë ne veç se me i rrokë armët për me i dalë zot të drejtavet t’ona politike.
Qëllimi i em me ket propagandë ishte, me iu dhanë guxim e me i shty edhe ata kah udha e kryengritjes.
KOMITETI BULLGAR I MAKEDONIS E KRYENGRITJAE 1912-ës
Mbassi u shpërnda parlamenti othoman, Ismail Kemal begu u nis për Europë e un për Kosovë, tue vendue me përmbajtë korrespondencë ndermjet të Konsulatës Britanike të Shkupit.
Kur arrita në Shkup puna e parë qi m’u desht me krye kje me qitë nji hap të njimendëshëm për nji të marrëmvesh Shqiptar-Makedonas.
E kërkova dhe u poqa me Z. Pavlof, ish-deputetin e Shkupit në kohë të Turkis dhe ambasadorin e Bullgaris pranë Mbret Vidit më 1914.
Këtu po shkurtoi proponimin qi i bana:
«Tyrqit, mbas konstitutionit të 1908, kanë ba e po bajnë mjaft mizori në Shqypni e në Makedoni».
«Nuk i kanë nderue kurrqysh të drejtat e shqyptarëvet e të bullgarvet».
«Terrorismi i tyne po shkon gjithnji tue u ashprue e po ndiekin nji politikë fieshtë panturkiste. Pra, më duket se ka arrijtë koha me pështue prej kësaj zgjedhe mizore ndëpërmjet të nji kryengritje të përbashkët. . . »
«Më duket shumë e nevojshme qi mos t’a bjerrim [humbim] ket rasë e unë jam aq sigurët qi kemi për të fitue tue kenë se po pranoni të mermi pjesë në kryengritje, vetëm atëherë kur keni për të pa se shqyptarët po fitojnë».
Z. Pavlof m’u përgjegj.
«Propozimi i zotnis së Juej ka nji randësi aq të madhe sa nuk mundem me ju përgjegj pa dërgue nji njeri të posatshëm në Sofje e pa marrë urdhra prej qendres së përgjithshme të Komitetit t’ynë. Qandra e Shkupit nuk ka kompetencë me vendue mbi nji çashtje kaq të randësishme. Ju lutem pra me më dhanë leje deri sa të më kthehet njeriu.»
TË PËRPJEKUNAT ME KONSULIN E ANGLIS TË SHKUPIT5
Tue pritë përgjegjen e Z. Pavlofi u përdrejtova Konsulit Britanik të Shkupit dhe i bana ket deklaration me gojë:
«Na shqiptarët, për me i dhanë fund mizoris tyrke në Shqypni si edhe pengimevet qi po na bahen në çështje t’alfabetit e kulturës s’onë kombëtare, kemi zgjedhë si të vetmin mjet shpëtimi me ba nji lëvizje t’armatosun kundra sundimit tyrk.
Me ket rasë të rezikëshme kemi nevojë të madhe për përkrahjen e Anglis.
Ju lutem pra të lajmoni Ministrin t’Uej të Punëvet të Jashtme mbi ket deklaration.»
Konsuli ish një zotni shumë liberal. Më përgjegji tue më thanë se kishte për t’ia komunikue me nji herë ket deklaration qeveris së vet e cila sigurisht nuk kishte për ta kursye nji përkrahje të gjallë në të mirë të nji Shqypnije qi rrokë armët për liri.
«Me gjith këtë, shtoi Konsulli Britanik, kam me muejtë me ju dhanë nji përgjigje të këputme mbasi të marr përgjegjen e Londrës.»
TË PARËT E KOSOVËS
Në Kosovë mbretnonte nji pezmatim shumë i ashpër kundra Xhemijetit. Pra, kujdo qi ia hapa nevojën e njij lëvizje me armë m’u përgjegj pozitivisht.