Lëvizja Vetëvendosje ka dalë të jetë partia më e pasur në Kosovë, me 136 mijë e 508 euro të deklaruara. Pas VV-së rreshtohet PDK-ja me 70 mijë e 986 euro, AAK-ja me 45 mijë e 255 euro, Nisma me 42 mijë e 044 euro, Lista Serbe me 40 mijë e 255 euro dhe LDK me vetëm 12 mijë e 817 euro.
Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar të dhënat sa i përket raporteve financiare të subjekteve politike. Lëvizja Vetëvendosje prin me pasuri në krahasim me partitë tjera politike.
Në pasurinë e subjekteve politike përfshihen tokat, objektet, pajisjet, pasuritë e paprekshme, llogaritë e arkëtueshme, parapagimet, paratë dhe pasuritë tjera. Në këtë listë prin Lëvizja Vetëvendosje me 136 mijë e 508 euro sipas publikimit të KDI-së.
Pas VV-së rreshtohet PDK-ja me 70 mijë e 986 euro, AAK-ja me 45 mijë e 255 euro, Nisma me 42 mijë e 044 euro dhe Lista Serbe me 40 mijë e 255 euro. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar vetëm 12 mijë e 817 euro pasuri duke u renditur si subjekti i tetë me më së shumti pasuri.
Subjektet politike parlamentare duket që janë në borxhe të shumta, në kuptim të bilancit negativ mes të hyrave dhe shpenzimeve që ato kanë deklaruar gjatë vitit 2019. Ato kanë deklaruar 4 milionë e 665 mijë euro të hyra, ndërsa kanë shpenzuar 5 milionë e 433 mijë euro.
E si burim kryesor të të hyrave të tyre, subjektet politike i kanë deklaruar mjetet që marrin nga buxheti i shtetit, përmes Fondit për mbështetjen e subjekteve politike.
Në përgjithësi, subjekti me më së shumti të hyra të deklaruara për vitin 2019 është PDK-ja me mbi 1.2 milion euro. Pas PDK-së radhiten LVV-ja me mbi 1.1 milion euro, LDK-ja me mbi 910 mijë euro, AAK me mbi 320 mijë euro, LS me 300 mijë euro, NISMA me 200 mijë euro, AKR me 120 mijë euro, KDTP me rreth 90 mijë euro dhe koalicioni VAKAT me rreth 65 mijë euro. Pas tyre renditen subjektet tjera Alternativa, PLE, PAI, NDS, PREBK, JGP të cilat kanë deklaruar rreth 30 mijë euro të hyra secila.
Hulumtimi i KDI-së “‘Kuletat’ e subjekteve politike parlamentare: Si qëndrojnë financiarisht ato?”, paraqet një analizë të raporteve vjetore financiare të subjekteve politike parlamentare në Kosovë për vitin 2019, të cilat janë publikuar, në version të paaudituar, në fund të tetorit të këtij viti.
Eugen Cakolli, i cili paraqiti gjetjet kryesore të këtij hulumtimi, vlerësoi që mospublikimi në kohë i raporteve vjetore financiare të subjekteve politike paraqet mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies së tyre ndaj publikut.
Ai theksoi që, në periudhën 2013-2017 Kuvendi kishte dështuar të përzgjedhë auditorë të jashtëm, duke pamundësuar publikimin e raporteve vjetore financiare. “Madje, raportet e vitit 2018 nuk janë publikuar ende në faqen zyrtare të KQZ-së”, shtoi Cakolli.
Raporti nënvizon që subjektet politike parlamentare zotërojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë të përgjithshme prej mbi 420 mijë euro. Megjithatë, sipas tij, subjektet politike parlamentare nuk qëndrojnë mirë me borxhet, me mbi 2 milionë euro detyrime të deklaruara.
Vetëm PDK dhe LDK – kanë deklaruar mbi 1,1 milionë euro detyrime apo gati 2/3 e detyrimeve të përgjithshme të të gjitha subjekteve politike parlamentare në Kosovë.
“Në përgjithësi, subjektet politike kanë deklaruar bilanc negativ financiar, me afro një milion euro më shumë shpenzime se të hyra të deklaruara. Ky fenomen është vazhdimësi e trendeve paraprake edhe të vitit 2017, kur në përgjithësi ishin deklaruar mbi 2 milionë euro shpenzime më tepër sesa të hyra”.
Sa i përket shpenzimeve, subjektet politike parlamentare pjesën më të madhe të shpenzimeve të vitit 2019 i kanë deklaruar për fushatë dhe paga, përkatësisht 2.1 milionë euro në fushatë dhe 1.3 milionë euro në paga dhe kompensime.
Megjithatë, ekziston shpërputhje midis shpenzimeve që subjektet politike i kanë deklaruar për fushatë dhe raporteve që Demokracia në Veprim ka publikuar për shpenzimet e partive gjatë fushatës. Sipas vlerësimit të DnV-së, vetëm në kuadër të aktiviteteve publike të monitoruara, janë shpenzuar 3 milionë e 636 mijë euro, apo rreth 1 milion e gjysmë euro më shumë sesa deklarimet e subjekteve politike.
“Në anën tjetër, edhe pse donacionet shihen si një nga burimet kryesore të financimit, sidomos gjatë viteve zgjedhore, subjektet kanë deklaruar vetëm 214 mijë euro donacione, që përbën vetëm 4.6% të të hyrave të përgjithshme të tyre”.
Edhe subjekti i dytë në zgjedhje, aktualisht udhëheqës i koalicionit qeverisës, LDK, përgjatë tërë vitit 2019 ka deklaruar se ka pranuar vetëm një donacion, dhe atë në vlerë prej vetëm 38.54 euro. AKR është subjekti që prin me donacione, pasuar nga LVV dhe Alternativa. Në bazë të raporteve, vërehet se pjesa më e madhe e donacioneve që kanë pranuar subjektet politike kanë ardhur nga anëtarë të tyre, në vlera prej 10 deri në 1,000 euro.