Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, dy vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi që ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.
Dy vjet më parë u bë i mundur transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, ndërsa lidhur me këtë kryeministri Avdullah Hoti ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së për të arriturat e vazhdueshme.
Ai tha se synimi i tyrë është anëtarësimi i FSK-së në NATO. “Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë”, tha ai.
Njoftimi i plotë i Hotit:
Kosovë, Urime 14 Dhjetori – Dita e Ushtrisë!
Dy vjet më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tri Ligje, të cilat bën të mundur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Në këtë ditë historike uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa pjesëtarët e FSK-së i përgëzoj për të arriturat e vazhdueshme.
Angazhimi dhe përkushtimi i djemve dhe vajzave tona në FSK është për çdo lëvdatë, ndërsa ndihma e miqve tanë në ngritjen e kapaciteteve të tyre ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme, për çka u jemi falënderues përherë.
FSK-ja në NATO është synimi ynë. Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë.