Kosova është duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ky opsion ka më shumë gjasa të ndodhë sesa gjetja e një zgjidhjeje ndërmjet partive politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, thonë zyrtarë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje.Partitë politike parlamentare, aktualisht janë të betonuara në pozicionet e tyre lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Prishtinë, 15 dhjetor – Partitë politike parlamentare në Kosovë tashmë e kanë shprehur se nuk kanë vullnet që të ulen dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vazhdon të insistojë se posti i presidentit i takon të parit të kësaj partie, Ramush Haradinaj. Nga kjo parti kanë deklaruar ditë më parë se nuk kanë vota për askënd tjetër përveç Haradinajt si president.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), deri më tani ka refuzuar kandidaturën e Haradinajt.
Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ditë më parë tha për Telegrafin se ka këmbëngulje nga disa parti që e votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo ndonjë kandidat tjetër. Ai theksoi se në këtë situatë jemi duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve.
Subjekti më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se vendit i duhen zgjedhje të reja, prej të cilave do të dalë një qeveri, e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve.
Kurse nga Partia Demokratike e Kosovës, i kanë quajtur të papranueshme “shantazhet” e subjekteve tjera politike të cilat deklarojnë se nëse nuk ka konsensus për emrin e presidentit vendi shkon në zgjedhje. Nga PDK kanë thënë se kjo parti nuk bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.
Lidhur me tërë këtë mos koordinim të partive për të gjetur zgjidhje për postin e Presidentit të Kosovës, analistët i shohin të pashmangshme zgjedhjet në vitin e ardhshëm.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Telegrafin se mungesa e vullnetit te partive politike për presidentin nënkupton se zgjedhjet janë të pashmangshme.
Ai ka shtuar se aktualisht në qeveri kemi një koalicion shumë të brishtë i cili përveç që po ka vështirësi në funksionimin normal të qeverisë, kanë dallime edhe sa i përket emrit të Presidentit.
“Në anën tjetër partitë politike opozitare po ashtu kanë dallime në qëndrime, ku Vetëvendosje kërkon që Presidenti të zgjedhjet pas zgjedhjeve të parakohshme që kërkojnë të mbahen sa më shpejtë, dhe PDK që kërkon që Presidenti të jetë një kandidat i propozuar nga ta. Megjithatë, duke e ditur përbërjen aktuale të Kuvendit dhe qëndrimet aktuale të secilit subjekt politik është e vështirë të mendohet që edhe propozimi i tyre të marrë mbështetjen e duhur”, u shpreh Ismaili.
Ismaili më tej përmendi dy skenarë të mundshëm që mund ta dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve.
Sipas tij skenari i parë është që Kuvendi të shpërndahet, dhe në këtë situate do të kishim zgjedhjet në një periudhë ndërmjet 30-45 ditësh pas shpërndarjes së Kuvendit.
“Skenari i dytë do të ishte nëse Kuvendi i Kosovës do të fillonte procedurën e zgjedhjes së Presidentit por do të dështonte që të arrinte të bënte një gjë të tillë brenda një periudhe prej 60 ditësh. Në këtë skenar data e zgjedhjes do të varet nga koha se kur Kuvendi do të filloj procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, kjo nuk mund të shkoj më shumë se gjashtë muaj që nga koha kur Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje”, tha Ismaili.
Kujtojmë se pozita e presidentit hyri në kalkulimet e koalicionit pasi ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi dha dorëheqje për t’u përballur me aktakuzën për krime lufte të ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Haradinaj: Nëse s’ka dakordim për kandidaturën time për President, shkojmë në zgjedhje
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se paraqitja e kandidaturës së tij për president të vendit ka qenë një ofertë për partitë e tjera në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Haradinaj thotë se nëse nuk ka marrëveshje për kandidaturën e tij, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Zgjedhjet janë zgjidhje politike, nuk mund të precizojë se si do të shkojnë diskutimet mes partive politike. Ne si AAK kemi ofruar një opsion dhe kemi ofruar një kandidaturë që është e imja. Do të kemi diskutime të ndërsjellat dhe nëse nuk arrihet të ketë një dakordim rreth kësaj formule do të kemi zgjedhje. Kjo është çështje negocimi mes partive dhe nëse kanë interesim, nëse jo ne i kemi të rregulluar këto procese, do të kemi zgjedhje. Ne kemi zgjedhjet po qe se nuk ka marrëveshje, por me ndihmuar arritjen e një marrëveshje kemi nxjerrë një propozim dhe një opsion dhe kemi nxjerrë kandidatin dhe argumente pse. Nëse nuk ka marrëveshje me opsionin që kemi dhënë, mbetet opsioni legjitim dhe i barabartë për të gjithëve e që janë zgjedhjet”, tha Haradinaj.
Këto komente kryetari i AAK-së i bëri në një intervistë për Report Tv nga Tirana, ku foli edhe për shumë çështje tjera.
Haziri: Më shumë po shkojmë drejt zgjedhjeve
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se ideja e liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, është që të ftojë tryezën e partive politike për të nisur dialogun e brendshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Është duke bërë përpjekje qe sa kohë, por po presim konfirmimin e partive. Në qoftë se nuk do të ketë marrëveshje, atëherë nuk ka tjetër opsion. Më shumë po shkojmë drejt zgjedhjeve. Duhet qenë të përgatitur patjetër dhe natyrisht që të gjithë janë të përgatitur (për zgjedhje). Por, ato nuk janë të mirëpritura për vendin as për stabilitetin politik. Nuk po shoh se mund të prodhohet zgjidhje e qëndrueshme pas zgjedhjeve. Do të hyjmë në një cikël të ri të krizave politike. Nëse mungon vullneti politik që të zgjidhen problemet sot në tavolinë, do të kemi prapë problemin e njëjtë. Përsëri kanë për t’u tërhequr palët në pozitat e njëjta politike”, theksoi Haziri.
Lëvizja Vetëvendosje, deri më tash nuk ka marrë ndonjë ftesë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës për pjesëmarrje në një tryezë të partive politike parlamentare. Këtë e konfirmon zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.
Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje konsideron që qëllimi i kësaj tryeze është përpjekja e koalicionit qeverisës për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin, por që qëllimi kryesor, siç thekson ai, është gjetja e një zgjidhjeje për zgjatjen e jetës së qeverisë aktuale. Kryeziu thekson që Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në një tryezë të tillë.
“Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, rrugëdalja nga kjo situatë është përmes zgjedhjeve të reja, me një Kuvend të ri dhe të rilegjitimuar e pastaj, me kritere të pajtuara për një figurë unifikuese për presidentin. Pra, pasi që të kemi një Kuvend të ri, të fillojmë një diskutim të përbashkët, së pari mbi kriteret dhe virtytet e presidentit të ardhshëm dhe më pas identifikimin e këtyre figurave unifikuese që mund të jenë kandidatë potencialë për president”, theksoi Kryeziu.
Në anën tjetër, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë qëndrimi i tyre është publik dhe se nuk duan të flasin lidhur me atë se a do të shkojë vendi në zgjedhje apo do të gjendet një zgjidhje për presidentin e ri.