Bankat e Kosovës cak i grabitjeve

Kosova është sfiduar edhe në rrafshin e sigurisë në vitin 2020 pasi që në sektorin bankar ka pasur një numër të lartë të grabitjeve në bankomate. Kjo ka shkaktuar një rritje të rrezikut ndaj jetës dhe pronës. Shoqata e Bankave është shprehur e shqetësuar me rritjen e numrit të sulmeve ndaj bankave. Edhe në BQK thonë se çështja e grabitjes së bankave është kthyer në dukuri shqetësuese.

Grabitjet nëpër banka kanë qenë thuajse të zakonshme gjatë vitit 2020 në Kosovë. Brenda këtij viti kanë ndodhur dhjetëra plaçkitje nëpër filiale bankare.  Kurse, rasti i fundit ka ndodhur në një bankomat në një nga qendrat tregtare në lagjen Veternik në Prishtinë, ku cak i hajnave ishte përsëri banka BKT. Kjo është hera e 3 radhazi brenda pak muajve.

Ditë më parë preh i grabitjes ishte bankomati i bankës TEB. Bankomati i bankës “TEB” në rrugën Ahmet Krasniqi në Prishtinë, ishte sulmuar rreth orës 17:00. Raste të tilla gjatë këtij viti ka pasur thuajse çdo ditë.

Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar lidhur me sulmin e armatosur të kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ndaj filialit të një banke komerciale në Prishtinë ku si pasojë është plagosur një zyrtar policor.

Kjo shoqatë vlerëson se gjendja e sigurisë në vend për bizneset dhe në veçanti për sektorin bankar është alarmues dhe po përkeqësohet në vazhdimësi.

“Sektori bankar ka ndjekur me shqetësim rritjen e numrit të sulmeve ndaj bankave me përdorim të armatimit dhe lëndëve shpërthyese gjatë vitit 2020. Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar disa herë gjatë vitit duke ngritur alarmin që sulmet dhe tentim-grabitjet janë duke u bërë çdo herë e më të dhunshme duke rrezikuar jetën dhe pronën. Në lidhje me këtë dukuri negative, janë mbajtur edhe takime të shumta me Policinë e Kosovës ku është theksuar se duhet të ketë hetime intensive për zbardhjen e rasteve të ndodhura më herët pasi që nëse nuk zbulohen rastet e mëhershme, atëherë numri i sulmeve mund të vazhdojë të rritet në të ardhmen duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve”, thuhet në reagimin e SHBK-së.

Shoqata e Bankave të Kosovës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e sektorit bankar për punën që po bën policia e Kosovës për të rritur sigurinë në vend duke uruar që zyrtari policor të shërohet sa më shpejtë.

Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mbështesë Policinë e Kosovës me resurset e nevojshme në mënyrë që ata të mund të kryejnë detyrat e tyre me sukses dhe siguri të lartë.

Rastet e shumta të plaçkitjeve të bankave, kanë shqetësuar tash e një kohë të gjatë edhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Në këtë institucion, që ka për detyre mbikëqyrjen e bankave të Kosovës, patën thënë kohë më parë për Monitor se çështja e plaçkitjeve të bankave është kthyer në dukuri shqetësuese.

“Çështja e plaçkitjeve të bankave është kthyer në dukuri, e cila mund të shkaktojë humbje për bankat, si dhe mund të dekurajojë investitorët e mundshëm për të investuar në sektorin bankar dhe në ekonominë tonë në përgjithësi”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar për ngjarjen e sotme në Veternik të Prishtinës ku një polic u plagos me armë zjarri. Me anë të një reagimi të lëshuar nga qeveria, thuhet se Hoti dënon sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dënon sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës, parandalimit të kryerjes së vjedhjes, në njërën prej qendrave tregtare në kryeqytet. Kryeministri Hoti, zyrtarit policor i dëshiron shërim sa më të shpejtë, ndërkohë që thekson se integritetit fizik i policit është i pacenueshëm, ndërsa sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të pa pranueshme. Kryeministri Hoti shpreh mbështetje të parezervë dhe mirënjohje për punën e Policisë së Kosovës, Institucionit më të besuar në vend për zbatimin e rendit dhe ligjit”.

Si ka ndodhur rasti kanë i vjedhëses së ditës së premte,  ka treguar edhe në Policinë e Kosovës, rajoni i Prishtinës.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

Në Kosovë sot operojnë 11 banka komerciale dhe përbëjnë 65 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking. Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë. Nga totali i kredive i cili është 3,031.9 milion euro, kreditë për ndërmarrjet janë 63.3% ndërsa kreditë për individë/familjare 36.5 %..

Në vitin 2019, sektori bankar ka pasur gjithsej 3,331 punëtorë, ndërsa në shtator 2020 në sektorin bankar janë 3,381 punëtorë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.