Boris Johnson ka anuluar Krishtlindjet për Londrën dhe Jug-Lindjen këtë pasdite. Shqetësimi kryesor është mutacioni i ri i Koronavirusit që po përhapet shumë shpejt në popullatë.
Tipi mutant i Covidit u prezantua në publik këtë javë. Besohet se është rreth 70% më ngjitës se sa llojet e mëparshme të koronavirusit.
Sidoqoftë, nuk ka akoma ndonjë provë që të tregojë se varianti i ri është më i dëmshëm.
Kryeministri anglez Boris Johson doli në një konferencë për shtyp dhe njoftoi se ka një ndryshim planesh dhe shtrëngim masash për ditët e festave. Shkak është bërë versioni i ri i koronavirusit që është zbuluar në Londër.
“I shqetësuar duhet t’ju them se nuk mund të vazhdojmë me Krishtlindjet siç ishte planifikuar”, tha kryeministri Johnson.
Dyqanet dhe çdo aktivitet jobazik do të mbyllet, njerëzit do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Nuk duhet të udhëtojnë gjatë ditëve të festave dhe rregullat e reja të izolimit hyjnë në fuqi nga nesër.
Profesori Whitty tha se mbi 60% e rasteve të reja në Londër duket se janë variante të reja të virusit. Gjithsesi, gjatë konferencës së sotme dhe prezantimit të masave të izolimit që nis nga nesër, kryeministri Johnson tha se studiuesit, nga puna e deritanishme, besojnë se vaksina vlen edhe për këtë variant.
“Kjo padyshim që duhet parë më tek dhe ne duhet të jemi vigjilentë për këtë. Por, ndryshimi më i madh nuk është progresi i sëmundjes, as imuniteti, por transmetimi. Ky virus përhapet më lehtë dhe për këtë arsye nevojiten më shumë masa për ta mbajtur nën kontroll”, tha Johnson.
Mjeku Chris Whitty është shprehur se “Siç u njoftua të hënën, Britania e Madhe ka identifikuar një formë të re të Covid-19 përmes mbikëqyrjes gjenomike të Shëndetit Publik të Anglisë .
“Si rezultat i përhapjes së shpejtë të variantit të ri, të dhënat paraprake të modelimit dhe ritmet e rritjes së shpejtë të incidencës në Lindjen e Jugut, Grupi Këshillëdhënës për Kërcënimet e Virusit të Ri dhe të Ri (NERVTAG) tani konsiderojnë që lloji i ri mund të përhapet më shpejt.”
Ekspertë të shumtë në gjenetikë dhe epidemiologji të viruseve po vërejnë se ky mund të jetë mutacioni që disi e bën atë të përhapet më lehtë pa shkaktuar sëmundje më serioze.