Djali i Vuçiqit në Kosovë, shpërndan dhurata në Skënderaj, Vushtrri e Graçanicë

Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje ka qenë në Kosovë. Gjatë vizitës së tij në komunitetet serbe, ai ka hyrë deri në Skënderaj e Vushtrri, duke u shpërndarë fëmijëve serbë dhurata për Vitin e Ri, raporton Gazeta Express.

Djali i Vuçiqit u shpërndau pako të Vitit të Ri fëmijëve në fshatrat Suhogërl dhe Bajë në Komunën e Skenderajt. Ai vizitoi kopshtin e fëmijëve “Maja” dhe shkollën fillore lokale. Danilo Vuçiq shkoi edhe në fshatin Prolluzhë të Vushtrrisë, ku e vizitoi një kopsh të fëmijëve. Pamje nga vizita e tij u publikuan në faqen e këtij kopshti në Facebook.

Siç duket, gjatë kësaj vizite, fëmijët janë shtyrë të flasin me falenderim e përulje për babain e Danilo Vuçiqit, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Në emër të vetvetes dhe të gjithë miqve të mi, unë do të doja ta falënderoja presidentin tonë Aleksandar Vuçiq. Ai na dërgoi pako të Vitit të Ri, ne ishim shumë të lumtur”, tha një nga fëmijët e kopshtit në fshatin Prolluzhë, ndërsa videoja u publikua në Facebook.

“Sot, Danilo Vuçiq vizitoi institucionin parashkollor “Car Kostantini dhe Perandoresha Jelena” në Prolluzhë, dhe me atë rast shpërndau pako të Vitit të Ri për fëmijët tanë, në emër të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne dëshirojmë ta falënderojmë Presidentin që mendoi për fëmijët tanë edhe këtë vit, dhe shumë faleminderit për buzëqeshjen e çdo fëmije”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

Danilo Vuçiq gjithashtu vizitoi edhe familjen Markoviq në Graçanicë, ku u dha dhurata tre fëmijëve aty.

“I nderuar Z. President, është nder dhe kënaqësi e madhe ta presësh djalin tënd. Danilo është një djalë i mrekullueshëm, i cili me të vërtetë na foli për gjithçka. Për jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Ai erdhi në shtëpinë time pa njoftuar dhe u takua me djemtë e mi, bisedoi… Ai më përcolli përshëndetjet e ngrohta të babait të tij dhe Presidentit tonë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Faleminderit shumë”, tha nëna e këtyre fëmijëve, Aleksandra Markoviq-Mihajloviq në Facebook.

Leave a Comment

Your email address will not be published.