Ka dalur nga shtypi libri “Shqiptarët e harruar të Turqisë” i autorit Qamil Bytyçi. Ky libër (shqip-turqisht) është rezultat i një hulumtimi disa vjeçar, kurse autori, siç e thotë edhe në parathënie, gjithmonë kishte menduar që të linte një vepër me disa të dhëna të shtuara nga historia e shpërnguljes së shqiptarëve.
Ai një kohë të gjatë merret me këtë problematikë, duke botuar herë pas herë shkrime në media, përfshi intervista e reportazhe, por kjo nuk i ka mjaftuar, andaj ai i hyn hartimit të këtij libri, një punë kjo që koincidon edhe me kohën e pandemisë.
I frymëzuar nga disa mendje gjeniale, siç ishin fizikanti Isak Njutni, shkrimtari Wiliam Shekspir etj. edhe Qemal Bytyçi vendos ta shkruaj këtë libër “si një kujtim të këtyre ditëve të coronës për t’i bërë produktive këto ditë në karantinë dhe fillova të shkruaj. Këtë libër unë e shoh si një dhuratë nga sëmundja Covid19”, thotë autori.
Libri “Shqiptarët e harruar të Turqisë” vjen me një informacion të bollshëm, me të dhëna besnike të mbledhura nga terreni, nga goja e bashkëbiseduesve e dëshmitarëve, duke ruajtur në këtë mënyrë kriterin e argumentimit shkencor të ngjarjeve, njerëzve e periudhave të ndryshme historike, si dhe gjerësinë e këndvështrimit hapësinor e kohor, që përfshihet brenda kopertinave të këtij libri.
Autori i librit Qamil Bytyçi është një intelektual i shquar që aktualisht jeton në Stamboll.
Familja e tij ishte shpërngulur nga Sllovia e Lipjanit në vitin 1964. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në Turqi, kurse Fakultetin e Makinerisë në Prishtinë.
Ai shquhet për shumë veprimtari publike kulturore e arsimore, duke qenë edhe në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe. Për shumë vite ka drejtuar Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll.