Autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit kanë hapur një hetim penal për sulmin e së mërkurës ndaj Kapitolit nga protestuesit pro-Trump, duke rekrutuar qindra hetues për të identifikuar dhe arrestuar autorët, njoftuan zyrtarët të enjten.
Prokurori në detyrë i Distriktit të Kolumbias tha se ndaj 15 personave janë ngritur akuza në gjykatën federale në Uashington në lidhje me trazirat, ndërsa ndaj 40 të tjerëve në gjykatën e lartë të Uashingtonit për përfshirjen në trazirat e së mërkurës në Kapitol. Shumica e tyre akuzohen për hyrje të paligjshme në kompleksin e Kongresit, tha prokurori Sherwin.
Akuzat federale përfshijnë vjedhje të pronës së qeverisë dhe shkelje të ligjit të armëmbajtjes. Një burrë u arrestua pranë Kapitolit nën akuzat për mbajtje të një arme gjysmë-automatike dhe 11 bombave molotov që ishin “të gatshme për përdorim”, tha prokurori Sherwin.
Gjatë sulmit në Kapitol katër persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u plagosën.
Prokurori Michael Sherwin tha se arrestimet shënojnë fillimin e një përpjekje disa mujore për të sjellë autorët e krimeve para drejtësisë.
“Kjo ishte padyshim një situatë shumë e rrezikshme”, tha prokurori Sherwin. “Ne jemi duke u përpjekur në mënyrë agresive t’i trajtojmë këto raste sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe të mos bëjmë asnjë gabim në lidhje me të, edhe pse deri më tani kemi përgatitur vetëm 15 raste, mendoj se ky është një fillim i mirë, por nuk është fundi i përpjekjeve tona.”
Numri i madh i akuzave brenda 36 orëve, që pritet të rritet më tej në ditët në vijim, nënvizon agresivitetin me të cilin prokurorët po e trajtojnë hetimin.
Zoti Sherwin paralajmëroi se duke marrë parasysh se Policia e Kapitolit lejoi shumicën e njerëzve të largoheshin nga kompleksi i Kongresit, përpjekja për të identifikuar dhe arrestuar autorët mund të zgjasë me muaj, ndoshta gjatë gjithë vitit.
Ai tha se qindra hetues po analizojnë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe ato të publikuara në mediat sociale për të identifikuar autorët.
“Ne do të ngrejmë akuza në mënyrë agresive për këto raste”, tha zoti Sherwin.
Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Jeffrey Rosen tha se Departamenti i Drejtësisë “është i përkushtuar të sigurohet që ata që janë përgjegjës për këtë sulm ndaj qeverisë sonë dhe sundimit të ligjit të përballen me pasojat e plota ligjore për veprimet e tyre”.
“Prokurorët tanë kanë punuar gjatë gjithë natës me agjentë specialë dhe hetues nga Policia e Kapitolit, FBI, ATF, Departamenti i Policisë Metropolitane dhe publiku për të mbledhur provat, për të identifikuar autorët dhe për të ngritur akuza për krimet federale në raste kur kjo do të jetë e nevojshme”, tha prokurori Rosen në një deklaratë të lëshuar të enjten. / VOA