17 JANARI – DITA KUR HERONJTË SHKOJNË NË AMSHIM

Më 17 janar të vitit 1468 vdiq Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, udhëheqësi më i madh ushtarak shqiptar. Më 17 janar 1982 vdiq edhe patrioti dhe shkrimtari Jusuf Gërvalla, bashkë me villain Bardhoshin dhe Kadri Zekën.

Gjergj Kastrioti rjedhë nga dera bujare e Principatës së Kastriotëve. Ishte udhëheqësi më i madh  ushtarak shqiptar, jo vetëm i kohës së tij, Si anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, u mor si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit, për njëzet vitet në vijim.  U ngrit në karrierë sipas gradave, duke kulmuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçës. Në vitin 1444, u emërua prijës i Lidhjes së Lezhës, që konsolidoi fisnikërinë e kohës në Shqipëri. Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve.

Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria prej dhjetëra mijëra luftëtarëve luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Në vitin 1451, nënshkroi një traktat me Alfonsin e Napolit për të siguruar një aleancë mbrojtëse, edhe pse ai mbeti një sundimtar de fakto i pavarur. Në vitet 1460–1461, Skënderbeu mori pjesë në luftërat civile të Italisë në mbështetje të Ferdinandit të Parë  të Napolit. Në vitin 1463, ai u bë komandanti kryesor i forcave të papa Piut të II, por papa vdiq ndërsa ushtritë ishin shkapërderdhur. Së bashku me venedikasit ai luftoi kundër osmanëve gjatë Luftës osmano–venedikase të viteve 1463–1679, deri në vdekjen e tij në janar të vitit 1468. Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman, dhe ai u konsiderua nga shumë njerëz në Evropën Perëndimore si një model i rezistencës kundër turqve. Sot, ndër shqiptarë, pavarësisht bindjeve fetare e politike, Skënderbeu njihet si Heroi  i pakontestuar kombëtar në të gjitha viset shqiptare dhe i shqiptarëve kudo në botë.

 

Më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë, në një pritë të organizuar nga UDB-ja sekrete  jugosllave janë martirizuar:  Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tre ndër atdhetarët më të njohur shqiptar të kohës, në mërgatë. Pikërisht në kohën kur Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe disa mërgimtarë të tjerë shqiptarë nga Kosova  dhe viset e pushtuara, (që përfaqësonin disa grupe të veprimtarisë së fshehtë të kohës),  kishin arritur ta bashkonin lëvizjen e ndarë dhe të përçarë të rezistencës, inspektorët dhe instruktorët e UDB-së, pasi i kishin përcjellë një kohë të gjatë hap pas hapi, në mëngjesin e hershëm të 17 janarit i kishin goditur, me breshëri  të armëve të zjarrit, në momentin kur po hynin në veturën e parkuar para shtëpisë ku banonin vëllezërit Gërvalla.  Asokohe, autoritet shtetërore gjermane kanë përhapur lajmin për opinion dhe medie  se vrasës të panjohur kanë vrarë tre shqiptarë nga Kosova. Versioni zyrtar i Gjermanisë lidhur me vrasjen i adresohej, sikur thuhej, “qërimit të hesapeve” mes grupeve të emigrantëve, duke fshehur faktin se Shërbimi sekret gjerman bashkëpunonte me UDB-në për eliminimin e emigrantëve kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë.

Në momentin e fundit të jetës, i shtrirë në një spital gjerman nën “përkujdesje të rastit” të një mjeku me origjinë serbe, Jusuf Gërvalla, kishte deklaruar se vrasjen në pritë e  kishte kryer UDB-ja jugosllave me njerëzit e vet.

Edhe sot, 39 vjet pas kësaj vrasjeje mizore, organet kompetente gjermane nuk zbulojnë emrat e ekzekutuesve as të urdhërdhënësve, edhe pse tërthorazi, nëpër disa medie është bërë e ditur se UDB-ja dhe Shërbimi gjerman kanë pasur bashkëpunim të ngushtë për likuidimin e “kundërshtarëve” të regjimit të Titos.

Fshehja për kaq vite e versionit zyrtar është bërë me qëllim që për vrasjen të ketë sa më shumë të dyshuar sidomos në mesin e veprimtarëve shqiptarë, si  dhe të familjarëve të të martirizuarve, dhe duke u bazuar në këtë fshehje, të vazhdojë lufta e brendshme ndër ne për ta zbuluar fajtorin apo fajtorët dhe për ta diskredituar Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare kundër okupimit jugosllav.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.