Fatet e popujve të shtypur janë gati identike dhe ato jo rrallë pikëtakohen edhe nëpër stacione trenash. Një pikëtakim i tillë, por në kohë të ndryshme, kishte ndodhur edhe në të kaluarën, pikërisht në këtë stacion, kur shqiptarët shpërnguleshin për në Turqi përmes linjës hekurudhore Ferizaj- Shkup-Selanik-Stamboll, ndërkohë që hebrenjtë gjatë LDB depërtoheshin në një drejt të kundërt, në drejtimin që s’kishte kthim prapa, e që përfundonte në kampet naziste të vdekjes në Gjermani, Poloni e gjetiu.
Nga Dr. Skender ASANI
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ndodhemi në Ferizaj, para kësaj pllake e cila nuk është thjesht një objekt i ngurtë, por mbi të gjitha është pjesë organike e kujtesës sonë mbi një të kaluar të hidhur të popullit hebre, i cili pati fatin e keq të sprovohet me murtajën vdekjeprurëse të holokaustit.
Vendodhja e kësaj pllake na kujton ditët kur ky stacion hekurudhor ishte bërë dëshmia më rrëqethëse e deportimit të hebrenjve.
Kjo dëshmi më së miri mund të ilustrohet përmes rrëfimit i Mimi Kamhi Ergas – Faraxhi: një hebreje nga Shkupi, e cila kishte përfunduar në Ferizaj (mars,1943), në rrugë e sipër për të shpëtuar nga konvojët e vdekjes:
“Para meje pashë vijën hekurudhore dhe një konvoj vagonësh që po kalonin ngadalë. Dritaret e vogla ishin të mbyllura me shufra hekuri dhe përmes tyre mund të shiheshin shumë duar që kërkonin ndihmë. Kam dëgjuar ulërima dhe të qara. Nga dy anët e vagonëve ushtarët gjermanë po vraponin dhe bërtitnin. Në atë moment kuptova se ishte transportimi i hebrenjve të Shkupit në Gjermani dhe kampet e përqendrimit”.
Është kjo një pjesë nga rrëfimi i Kamhi Ergas – Faraxhi, shkëputur nga libri UDHËTIMI, i botuar në vitin 2017 nga ana e ITSHKSH në Shkup.
Tani kur nderojmë dhe përkujtojmë viktimat e Holokaustit, pikërisht në këtë stacion hekurudhor, pashmangshëm na imponohet nevoja për të rikthyer memorien në momentet më pikëlluese që ndërlidhen pikërisht me këtë stacion dhe me këtë hekurudhë.
Fatet e popujve të shtypur janë gati identike dhe ato jo rrallë pikëtakohen edhe nëpër stacione trenash. Një pikëtakim i tillë, por në kohë të ndryshme, kishte ndodhur edhe në të kaluarën, pikërisht në këtë stacion, kur shqiptarët shpërnguleshin, që nga prej kohës së luftërave ballkanike e deri në vitet 60-të të shekullit të kaluar, për në Turqi përmes linjës hekurudhore Ferizaj- Shkup-Selanik-Stamboll, ndërkohë që hebrenjtë gjatë LDB depërtoheshin në një drejt të kundërt, në drejtimin që s’kishte kthim prapa, e që përfundonte në kampet naziste të vdekjes në Gjermani, Poloni e gjetiu.
Mbi binarët e këtij stacioni ishin derdhur lot pikëllimi e trishtimi nga ata që po ndaheshin prej të afërmve të tyre. Shqiptarët vajtonin familjarët e tyre që po degdiseshin shkretëtirave të Anadollit, kurse hebrenjtë po i fiksonin në kujtesë fytyrat e të afërmve që nuk i panë më asnjëherë.
Duke qenë koshient për pasojat që sjell robëria dhe dhuna, shqiptarët më mirë se kushdo tjetër i kishin kuptuar vuajtjet e hebrenjve, prandaj kishte edhe jo pak zyrtarë shqiptarë në adminstratën fashiste italiane këtu në Ferizaj e gjetiu, që ndihmonin hebrenjtë të dalin nga burgjet dhe të kalojnë në zonat e sigurta, siç ndodhi me Kamhi Ergas – Faraxhi, e cila gjekti strehim në Shkodër.
Këto dhe përvoja të tjera janë sistemuar në formë dëshmish edhe në librin e sipërpërmendur, ku solidariteti i shqiptarëve, brenda mundësive që i kishin, tejkalonte kufijtë e shtetrrethimit fashist të vendosur nëpër vendbanimet e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë.
Uroj që Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit të na shërbejë si një referencë humanizmi e solidariteti global, kurse pllaka që po zbulojmë sot në Ferizaj, le të jetë një trokitje lehtë në ndërgjegjet e secilit për të mos lejuar hyrjen e ksenofobisë dhe urrejtjes në mjediset tona.
Ferizaj, 27 janar, 2021

Leave a Comment

Your email address will not be published.