Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë të enjten shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i është kushtuar albanologut austriak – hebre Norbert Jokl. Ky aktivitet u organizua në koordinim me Kosovo Jewish Organization (KJO) dhe me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit , të enjten në Universitetin “ “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt një tribunë shkencore dhe një trajnim me studentët dhe stafin akademik të këtij universiteti. Këto aktivitete u organizuan në kuadër të bashkëpunimit në mes të ITSHKSH në Shkup dhe Universitetit “Fehmi Agani”, ku në qendër të vëmendjes ishte Holokausti dhe profili shkencor i albanologut austriak me prejardhje hebreje, Norvert Jokli. Paradite u mbajt edhe një trajnim mbi trajnimin mësimor e metodik të Holokaustit, që u udhëhoq nga Maja Susha , bashkëpunëtore shkencore e Departamentit për mësimin dhe edukimin e Holokastit pranë ITSHKSH.
Mikëpritës i këtyre aktiviteve ishte rektori Artan Nimani, i cili në fjalën e tij të rastit faleminderoi ITSHKSH në Shkup dhe drejtorin Skender Asanin, për gatishmërinë e ofrimit të përvojës dhe të bashkëpunimi sa i përket edukimit dhe mësimit të Holokaustit.
Rektori Nimani shprehu interesim që kjo problematikë të përfshihet në kurikulat e Universitetit “Fehmi Agani”, kurse në të ardhmen në bashkëpunim me ITSHKSH do të vazhdojnë trajnimet mbi trajtimin e temave të Holokaustit.
“Kjo ngjarje tashmë është bërë tradicionale për universitetin, duke i kushtuar rëndësi të veçantë përkujtimit të kësaj dite jo vetëm për komunitetin hebre, por për mbarë njerëzimin, kjo ngjarje është e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, duke ndjerë obligim moral e shpirtëror, përkujtimin dhe lavdinë mbi të”, tha Nimani.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues diplomatikë, përfaqësues të institucioneve lokale në Gjakovë, përfaqësues të bashkësive fetare, studiues, profesorë dhe studentë. Ndërsa, Ambasadori izraelit në Maqedoni, Dan Oryan, përmes një video mesazhi ka përshëndetur dhe falënderuar për organizimin, duke shpjeguar rolin, rëndësinë dhe vlerat e përkujtimit të Holokaustit.
Pjesëmarrësit dëgjuan kumtesat për albanologun austriak – hebre Norbert Jokl, të Prof. Dr. Anton N. Berisha dhe të Prof. Dr. Skender Asani nga Instituti për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, nga Shkupi.
Studiuesi Anton Nikë Berisha vuri në dukje se studimet e Joklit në albanistikë kanë peshë të shumëfishtë, qoftë ato në fushën e fonetikës historike, të përcaktimit të kronologjive të ndryshimeve fonetike të mundshme, në studimet e morfologjisë historike, në historinë e fjalëve, në etimologji, qoftë përgjithësisht, në fushën e historisë së gjuhës.
Duke iu referuar kujtimeve të Stevan Zweigut, prof. Berisha nënvizoi se pa asnjë dyshim Norbert Jokli bën një nga emrat më të shquar në gjuhësi, sidomos në fushën e albanologjisë, të këtij qarku krijuesish të mëdhenj hebrenjsh.
Mbi kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve, përfshi edhe albanologun Norbert Jokli, foli drejtori i ITSHKSH, Dr. Skender Asani, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve në Shkup gjatë Luftës së Dytë Botërore në shpëtimin e hebrenjve përkojnë me angazhimet e intelektualëve të shquar shqiptarë si Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Eqrem Çabej, LasgushPoradeci etj., të cilët u përpoqën në forma të ndryshme përmbrojtjen e NorbertJoklit, një nga albanologët më të shquar, krahas Hanit, Meyerit, Pedersenit. Jokli u ndoq dhe u persekutua për shkak të origjinës së tij hebreje.
“Sa i përket angazhimit të shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë për t’i dalë në ndihmë gjuhëtarit të famshëm, të rrezikuar,Norbert Joklit, po përmend një letër të Gjergj Fishtës drejtuar Jakomonit, përmes së cilës mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokli kërkonte të nisej për Amerikë. Letra drejtuar Jakomonit është e datës 23 shtator 1939”.
Ky aktivitet u ndoq edhe nga disa përfaqësues të jetës publike të Gjakovës, si dhe drejtues të universiteteve në Pejë dhe Mitrovicë. Në mesin e të pranishmëve pati edhe nga stafi ambasadës Bullgare në Prishtinë.
Në mbyllje të aktivitetit u dorëzuan edhe disa certifikata për ndjekësit e trajnimit mbi mësimin dhe edukimin e Holokaustin, kurse të pranishmit patën rastin të shohin edhe një ekspozitë autentike me fotografi nga trashëgimia materiale e kulturore e hebrenjve në Kosovë.