Albin Kurti nuk do të jetë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kështu vendosi Gjykata Supreme të premten. Në deklaratën e lëshuar kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje është pranuar pjesërisht kjo pasi Labinotë Demi-Murezi e Liburn Aliu u lejuan të jenë pjesë e listës.
Pas vendimi të Gjykatës Supreme, subjekteve që u refuzuan ankesat u lejohet e drejta e ushtrimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimeve të GJSK-së në Gjykatë Kushtetuese e cila kishte vendosur për ndalimin e kandidimit të zyrtarëve të dënuar .
Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.
Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.15/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.240-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në që kandidatin për deputet Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e AAK-së, duke vërtetuar pjesën tjetër të vendimit të PZAP-së.
Edhe në rastin e pranimit të pjesshëm të ankesës së AAK-së, bëhet fjalë për vlerësimin e gabuar të afatit 3 vjeçar, ndërkohë që duhet referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), është refuzuar si e pathemeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), është refuzuar në tërësi e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nisma, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, ku kandidatit për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti nuk i’u lejua kandidmi në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Arbërie Nagavci nga VV-ja ka thënë që qeveria Kurti 2 është e pashmangshme dhe e shumë pritur.
Ajo theksoi se do ta përkrahin Kurtin edhe më tutje.
Postimi i plotë i saj:
Qeveria Kurti 2 është realiteti i ri, i pashmangshëm e i shumë pritur. E nderuar që në rrugëtimin poltik jam e rreshtuar drejt e në anën e duhur.
Me 14 shkurt qytetarët do të tregojnë fuqishëm përkrahjen për Albin Kurtin, e kjo do të jetë jo vetëm përgjigjja më e mirë për institucionet e kapura, por dhe fillimi i punës për shtetin e së drejtës.
Deklarohet Kurti pas vendimit të Gjykatës Supreme
Kurti, me këtë rast, duke bërë thirrje që të votohet partia e tij, ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, e cila s’e lejon atë të marrë pjesë në zgjedhjet e parakoshme.
“Secili prej duhet ta mbështet listën e VV-së. Neve na duhen 61 deputetë. Të votohet masivisht ashtu sic ka aplikuar mërgata jonë. Më 14 shkurt le ta bëjmë festë të VV-së. Unë nuk e kam parë atë vendim, kur të vjen në zyrën e LVV-së, e trajtojmë dhe e analizojmë se çfarë hapa do të ndërmarrim më tutje, që të ankohemi nëse është kështu”, ka thënë Kurti.