Kur të fortit e bëjnë shtetin, ligji për ta ‘është si llastiku’, një thënie kjo që ishte bërë virale nga një kryetar i një komune tonë të famshme. Paramendoni ku kemi rënë si shtet, e kush po na udhëheqë neve si në nivelin lokal edhe atë të qeverisjes qendrore, figura kontraverse e njerëz që nuk kanë ndonjë kredo intelektuale dhe as të ekspertizës profesionale.
Nga Astrit Veliqi
Të martën fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, e cila pritet të kurorëzohet me zgjedhjet e 14 shkurtit, pikërisht në ditën e dashurisë, por parafushata dhe entuziazmi i saj tashmë ka arritur kulmin e saj.
Dhe kjo parafushatë parazgjedhore që e kemi parë tash e sa ditë nuk ka qenë dosido por ka prodhuar pamje e sinjale të jashtëzakonshme, ku partitë politike po shkelin me të dy këmbët masat anti-covid, duke i jap këmbët edhe koronavirusit.
Por përjashtuar këtë fenomen i cili tashmë edhe nuk po përbën lajm, fushata e subjekteve politike lirisht mund ta merr epitetin e fushatave të odave, ndejave, këngëve, mezeve e sharkijave, por duke mos i harruar as rafalet e ‘alltijave’.
Tablo e pamje të tilla i ngjajnë me shumë një vendi oriental, sikur të ishte në Lindje, por odat e kanë rikthyer traditën e mikpritjes, ama musafirët janë të rrallë ngase shkojnë aty për të kërkuar vota, e premtimet e tyre pas një kohe i merr era.
Kjo është me pak fjalë ajo çka po ndodh në fushatën parazgjedhore, ku po ngjeshen njerëzit ‘një mbi një’ duke rrezikuar kështu një shpërthim endemik të koronavirusit.
Por kur të fortit e bëjnë shtetin, ligji për ta ‘është si llastiku’, një thënie kjo që ishte bërë virale nga një kryetar i një komune tonë të famshme.
Paramendoni ku kemi rënë si shtet, e kush po na udhëheqë neve si në nivelin lokal edhe atë të qeverisjes qendrore, figura kontraverse e njerëz që nuk kanë ndonjë kredo intelektuale dhe as të ekspertizës profesionale.
Shajnë, ofendojnë, privatizojnë pronën publike, shkelin vetë masat anti-covid, derisa qytetarët e shkretë i dënojnë e madje edhe i rrahin për një maskë.
Pasojat e këtij maskilizmi dhe jo barazisë po i shohum pothuaj çdo ditë, por ato do të bëhen të pakthyeshme pas 10-15 viteve, kur do ta kuptojmë se nuk ndërtohet shteti me ‘tugjarë’, kodoshë, zhvatës, patriot të rrejshëm.
E zgjedhjet e 14 shkurtit, janë një test serioz për të ardhmen tonë si shtet, ku gjithnjë e më shumë po vihet në pikëpyetje, demokracia, siguria, shteti, integrimi, sfida këto që e presin qeverinë e re.
E derisa jemi në prag të 13-vjetorit të lindjes së shtetit tonë, po jetojmë në një ‘geto’ ngase kemi mbetur vendi më i izoluar në Evropë, papunësia me shifra rekorde, ekonomia në pikiadë të thellë, përballja me Specialen, dialogu me Serbinë larg marrëveshjes finale, mungesa e vaksinës kundër Covidit, mungesa e njohjeve dhe anëtarësimet e vendit në organizata ndërkombëtare janë në vendnumëro.
Këto mungesa, e shumë sfida tjera që na presin tregojnë se kemi ngecur shumë si vend, duke pësuar regres të madh.
Prandaj, vota e 14 shkurtit e cila do të jetë në ditën e Shën Valentinit, konsiderohet si një shans e mirë për të ardhmen tonë euroantlantike.
Pritjet janë të mëdha në këto zgjedhje ku sipas sondazheve edhe po defilohet një parafitues i tyre, por kjo do të mësohet në mbrëmjen e 14 shkurtit, që si simbolikë do të kurorëzohet në ditën e dashurisë.
Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një qeveri të fortë dhe stabile.
Prandaj një pikëpamje lidhur me formulën e qeverisjes së re, në rolin e opinionistit pa krijuar hijen e një ‘tersi’ do të ishte: Kurti, kryeministër, Haradinaj, president, Osmani, kryeparlamentare.
Mos qofsha i gabuar, por kjo në fund të fundit mund të arrihet vetëm përmes një kompromisi, jo ndryshe!