AMBASADA E KOSOVËS NË JERUSALEM, BE ËSHTË KUNDËR

Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si dhe paralajmërimit të Kosovës për ta hapur ambasadën në Jerusalem.Në një prononcim për KALLXO.com, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme, ka thënë që qëndrimi i BE-së është që ambasadat e vendeve të BE-së të vendosen në Tel Aviv.

“Pozicioni i BE-së për vendosjen e ambasadave në Jerusalem është i qartë, pra në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe delegacionin e BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, tha ai.I pyetur se cilat mund të jenë masat që BE-ja mund t’i marrë ndaj Kosovës nëse vendoset ambasada në Jerusalem dhe jo në Tel Aviv, Stano ka thënë se Kosova nuk duhet ta minojë perspektivën evropiane.“Kosova ka identifikuar integrimin në BE si prioritet strategjik. BE pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e saj evropiane të mos minohet”, ka thënë ai.

Vlora Çitaku kritkon qëndrimin e BE-së

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Vlora Çitaku.

Çitaku ka thënë se Bashkimi Evropian para se të jap leksione për ambasadën në Jerusalem të deklarohet për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE-së.Madje ajo shkruan se “Hipokrizia ka emër”.“Hipokrizia ka emër. Kosova nuk ka Ambasadë në Madrid, Bratislavë, Athinë, Bukuresht, Nikozia. Qe besa, Kosova nuk ka Ambasadë as pranë BE. Kish qenë mirë Brukseli, para se të na japë leksione për Ambasadën në Jerusalem, të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE. Pastaj, a nuk është BE “neutrale” karshi statusit të Kosovës a?! Nejse…Për viza nuk po foli ma mirë”, ka shkruar Çitaku.

 

Lukas Mandl: “Një sinjal i qartë për të gjithë shtetet anëtare të BE-së cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”

 

Deputeti i Parlamentit Evropian,austriaku Lukas Mandl, thotë se për të njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit ka një domethënie të madhe.

Mandl përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në twitter ka thënë se kjo njohje është një mesazh i qartë për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Shteti i Izraelit do të njohë Republikën e Kosovës që është shteti më i ri në Evropë. Kjo do të thotë shumë për mua meqë e ndjej miqësinë mes Austrisë, Izraelit dhe Kosovës. Është një sinjal i qartë për të gjithë shtetet anëtare të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Mandl.

Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli edhe zyrtarisht kanë vendosur marrëdheniet diplomatike. Njohja e Kosovës nga Izraeli ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit e nënshkruar në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë nën drejtimin e ish-presidentit të SHBA’së Donald Trump.

 

Turqia: Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar

 

Turqia ka reaguar pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, si dhe paralajmërimit për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, përmes një njoftimi për media tha se angazhimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Jerusalem është kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.“Angazhimi në fjalë i Kosovës, përbën kundërshtim ndaj ligjit ndërkombëtar, kryesisht ndaj rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB) të miratuara për këtë çështje. Hapi që do të hidhet në këtë drejtim është i qartë se nuk do t‘i shërbejë kauzës palestineze dhe se do të dëmtojë vizionin për zgjidhjen me dy shtete”, ka shkruar Aksoy.Dje Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Gjatë ceremonisë u paralajmërua edhe hapje a ambasadës së Kosovës në Jerusalem.Ky hap u mirëprit nga SHBA-të por jo edhe nga BE-ja e cila kërkoi që Kosova të mos e minojë synimin për në BE duke theksuar se ambasadat duhet të vendosen në Tel Aviv dhe jo në Jerusalem.

Më 4 shtator, në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik.Marrëveshja, e cila është nënshkruar në praninë e ish- presidentit amerikan, Donald Trump, mes tjerash, thotë se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.Vetëm pak ditë më vonë, më 7 shtator Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, kishte shprehur “shqetësim dhe keqardhje serioze” për këtë paralajmërim.“Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e Delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem. Pasi edhe Kosova, edhe Serbia janë shprehur të përkushtuara për integrimet evropiane, si qëllim strategjik, ato edhe duhet të sillen në këtë mënyrë”, pati thënë ai.BE-ja ende e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe Autoritetit palestinez.

Leave a Comment

Your email address will not be published.