Në zgjedhjet e 14 shkurtit do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës

Të gjithë shtetasit e Kosovës që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të mund të votojnë vetëm nëse kanë një dokument identifikues valid të Republikës së Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar udhëzuesin për identifikimin e votuesve në vendvotim, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Është vendim që si dokumente identifikimi të pranohen vetëm ato dokumente që janë të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe që janë të vlefshme: letërnjoftim, pasaportë, dokument udhëtimi dhe patentë shoferë”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Radion Evropa e Lirë.

Me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës janë pajisur një numër i madh i qytetarëve serbë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës,  të cilët deri më tani kanë votuar me karta identiteti të lëshuara nga UNMIK-u, ndonëse ato kanë skaduar para gati 10 vjetësh.

Por, Adriana Hoxhiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore, ka thënë se ka ende pjesëtarë të komuniteti serbe që nuk kanë dokumente të Kosovës.

“Nga ajo çfarë kam dëgjuar, është një brengë se është një pjesë që nuk ka letërnjoftime të Kosovës, por nuk ka informatë të detajuar”, ka thënë ajo.

Hoxhiq e kishte udhëhequr Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovë në Mitrovicën Veriore, qysh nga themelimi i saj, në maj të vitit 2012. Kjo zyrë kishte shërbyer edhe si qendër për pajisje me dokumente të Kosovës.

Hoxhiq ka thënë se në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës funksionojnë zyrat e gjendjes civile, ku lëshohen dokumentet e Republikës së Kosovës. Hapja e tyre, ka qenë pjesë e marrëveshjeve të Brukselit.

Sipas numrit të aplikacioneve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë ka pasur interesim shumë të vogël për votim me postë nga Serbia. Sipas KQZ-së dritën e gjelbër për të votuar me postë nga Serbia e kanë marrë vetëm 200 aplikues.

Leave a Comment

Your email address will not be published.