Në fund të muajit shkurt, Kosova do të marrë 100 mijë vaksina nga skema e njohur si “COVAX”, është bërë e ditur nga një njoftim i fundit nga vetë ky program. Siç thuhet në listën e publikuar sot, në Kosovë do të vijnë 100 mijë e 800 doza të vaksinës së “AstraZenecas”. Efikasiteti i kësaj vaksine kalon 90 përqindëshin. Vaksina jepet në dy doza.
Në një studim të fundit të kryer në Britaninë e Madhe, sekretari i Shëndetësisë në këtë shtet ka thënë se rezultatet e kësaj vaksine janë “të shkëlqyeshme”. Njoftimi erdhi pak pasi disa shtete të Bashkimit Evropian vendosën se nuk do ta shpërndajnë vaksinën për më të moshuar se 65-vjeçarët.
Në janar, Qeveria Hoti kishte thënë se ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës së “Pfizerit”.
Kurse, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të hënën se vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji.
Sipas tij, procesi i përgatitjes për ardhje të vaksinave ka përfunduar, që nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes.
“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-covid do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensve në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë Zemaj, pa përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Ai ka paralajmëruar edhe nisjen e fushatave vetëdijësuese, sepse siç ka thënë Zemaj ky proces ka tendencë të përballet me teori të konspiracionit në Kosovë, si edhe në shumë vende tjera të botës.
“Fondin e kemi prej 40 milionësh të siguruara nga taksat. Për rastet e reja të variantit të Covidit, ne ju kemi informuar, ata janë raste të kontaktit dhe janë drejt shërimit”, ka thënë ai.
Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Megjithatë, kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Zyrtarët e saj kanë thënë vetëm se janë në diskutime për këtë çështje dhe se negociatat janë konfidenciale.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të mërkurën 341 persona të infektuar me koronavirus, pas testimit të 2,357 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar tri viktima me këtë virus.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 61.086 persona të infektuar me këtë virus. Prej tyre, 1,509 pacientë kanë vdekur.