Me nxitjen e autoriteteve frënge të Eptanezit u krijua kundër autoritetit të Ali pashë Tepelenës një aleancë e re në të cilën morën pjesë krerët e lëvizjes nacionale greke, derebej arvanitas myslimanë të Moresë, së bashku me disa krerë shqiptarë myslimanë të Çamërisë.
Lëvizjen nacionale greke e përfaqësonte Theodor Kollokotroni, derebejtë shqiptarë të Moresë Ali Farmaku, kurse fraksionin e bejlerëve shqiptarë të Çamërisë krerët e arratisur të grumbulluar në Korfuz (pinjollë nga familja e Proniove, Kaparenjve, e të tjerë).
Formimi i kësaj aleance me një program të panjohur asnjëherë më parë edhe pse nuk u realizua, përbën një temë e cila vlen të trajtohet në këtë punim.
Në qendër të kësaj aleance qëndronin nga njëra anë Theodor Kollokotroni grek nga Ramavani i Moresë, një nga udhëheqësit e lëvizjes së armatolëve çlirimtarë grekë, i cili para revolucionit çlirimtar helen kishte qenë martalloz – nga ana tjetër Ali Faramaku nga familja e Ismailatëve, arvanit nga fshatrat e Lalës të krahinës së Elidës, një nga krerët më me autoritet të barbaçëve, siç quheshin arvanitët e Moresë.
Historia e aleancës greko- arvanite, e cila u arrit më 1808 është pak e njohur në fushën e historiografisë ballkanistike. Është një ngjarje e rrallë në kuadrin e historisë së luftave çlirimtare të popujve ballkanikë.
Aktorët e saj kryesorë qenë banorët grekë dhe arvanitas të Gadishullit të Moresë. Ndonëse shtratin e saj territorial nuk e pati në Epir, por në More, megjithatë pjesëmarrja në të e një grupi shqiptarësh të Çamërisë e justifikon trajtimin e saj në këtë punim. Vëzhguesit europianë që vizituan Morenë para Revolucionit grek, formuan përshtypjen se popullsia arvanite e Gadishullit ishte e konsiderueshme.
Historiani britanik Finlay përmend kronistin bizantin të shekullit XV G. Frances (1401-1478), i cili ka pohuar se në kohën e vet arvanitët përbënin gati gjysmën e popullsisë së Moresë, afërsisht 200. 000 vetë, me 30. 000 luftëtarë.
Historia e arvanitëve të Moresë është e mbushur që në shekullin XV me kryengritje kundër invazorëve osmanë. Kryengritjet vazhduan edhe gjatë shekujve të mëvonshëm. Ato vazhduan edhe kur arvanitët lalë të Elidës dhe arvanitët barduinë të Lakonisë përqafuan në shekullin XVII fenë islame.
Arvanitët myslimanë të Moresë ashtu si shqiptarët myslimanë të Shqipërisë, nuk u shkrinë asnjëherë me turqit osmanë… Historiani grek T. Kandiloros, i cili shkruan: “në ndërgjegjjen e popullit ortodoks grek arvanitët myslimanë nuk u konsideruan kurrë njëlloj me turqit anadollakë, të cilët edhe vetë arvanitët myslimanë i urrenin”.
1 Dijetari i shquar grek K. Sathas shkruan ndër të tjera se: “që në shekullin XVII arvanitët e krishterë maniotë dhe cakonë i shikonin si vëllezër të tyre myslimanët e Bardhuinës, që banonin në skërkat e Lakonisë”.
Një nga shprehjet më interesante të marrëdhënieve miqësore midis këtyre popullsive me gjuhë dhe fe të ndryshme ishte “vëllamëria”. Shumë shqiptarë myslimanë dhe grekë të krishterë të Moresë bëheshin vëllamë (probatina) midis tyre.
3 Zakonisht, kjo vëllamëri trashëgohej nga baballarët te djemtë dhe më tutje, te nipërit dhe stërnipërit e tyre.
Dy familje të tilla, të lidhura me vëllamëri të lashtë, ishin ajo e Ismailatëve të Lalës dhe e Kollokotronëve të Ramavunit në Meseninë fqinje, një familje e njohur kapedanësh grekë, e shquar si pjesëmarrëse në kryengritjet e zhvilluara në More kundër sundimtarëve turq që në shekullin XV.
Këtë vëllamëri e përmend edhe Theodor Kollokotroni në kujtimet e veta diktuar Z. Tercetit më 1836, kujtime të cilat këtu do t’i shfrytëzojmë. Në këto kujtime ai thotë: “Gjyshi i Ali Farmakut dhe gjyshi im, Jani Kollokotroni, qenë miq e vëllamë.
U vra gjyshi im dhe gjyshi i Ali Farmakut dhe miqësia mbeti në baballarët tanë, pastaj vazhdoi tek neve, djemtë e tyre”.
MARRËVESHJA
Ali pashë Tepelena që kur se hodhi vështrimin e vet për t’u shtrirë në Greqi, bëri përpjekje të veçanta për të siguruar përkrahjen e këtyre formacioneve të përbashkëta, por nuk pati kurdoherë sukses.
Mjaft krerë e kapedanë shqiptarë e grekë, myslimanë e ortodoksë, u lidhën me vezirin e Janinës, por shumë prej tyre mbetën kundërshtarë të rreptë të Aliut.
Janë pikërisht këta kundërshtarë të Ali pashë Tepelenës që formuan më 1804 besëlidhjen kundër tij. Në të aderuan midis të tjerëve Mustafa Pasha i Delvinës, Hasan Çapari dhe Islam Pronja nga Çamëria, Foto Xhavella dhe Kiço Boçari, kapedanë armatolësh grekë si S. Paleopulli i Greqisë qëndrore dhe Th. Kollokotroni në More…
Në More, Ali Farmaku u përpoq t’u vinte në ndihmë armatolëve, sidomos Th. Kollokotron- it, por nuk mundi t’i shpëtonte dot. Në fillim të vitit 1806 edhe Kollokotroni u detyrua të largohej nga Moreja e të vendosej në ishullin Zante, që ndodhej nën kontrollin e francezëve.
Ali Farmaku, përkundrazi, mbeti në More. Deri më 1808 Ali Farmaku nuk ishte takuar me Theodor Kollokotronin, por që të dy e ndjenin të përzemërt miqësinë që kishin trashëguar nga prindërit e tyre.
Që të dy qenë krerë të dëgjuar për trimëri në viset e tyre. Ali Farmaku me vëllezërit dhe nipërit e tij kishte siguruar prona dhe pozita në Elidë. Theodor Kollokotroni, me tradita të lashta kapedanerie, kishte bërë një jetë të gjatë martallozi.
Sikurse ka shkruar vetë në kujtimet e tij, ai kishte një dashuri vëllazërore për arvanitët dhe një simpati të veçantë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
“Librat që këndonja më dendur – thotë ai – qenë Historia e Greqisë, Historia e Aristomenit dhe Historia e Skënderbeut”.
Në një vend tjetër ai ka shkruar: “Lexova jetën e Skënderbeut, mendoja veprat e tij; ai nuk u mbyll kurrë në Krujë”. Rasti për t’u takuar erdhi më 1808.
Takimi u bë në rrethana të jashtëzakonshme, në fushë të luftës, nën krismën e armëve dhe nën buçitjen e topave. Me ndërhyrjen e ambasadorit frëng në Stamboll, Sebastian, Porta e Lartë emëroi më 1807 vali të Moresë birin e dytë të Ali pashë Tepelenës, Veli Pashën.
Detyra e valiut të ri ishte të thyente ndikimin e armatolëve, që simpatizonin Rusinë, e cila ishte në luftë me Turqinë. Nga kundërshtarët më të rreptë që ndeshi Veli Pasha në More, qe edhe Ali Farmaku.
Pasi dështuan orvatjet e Veli Pashës, për t’i nënshtruar me të mirë arvanitët dhe para se të nisej kundër Bardhuinës dhe Lalës, Veli Pasha vendosi të shkatërronte kalanë Manastiraqi, ku ishte përqendruar me forcat e veta Ali Farmaku. Brenda në kala nuk kishte më tepër se 400 vetë.
Megjithatë, Veli Pashës iu desh të ngrinte një ushtri prej 8000 vetësh, sepse parashikonte që kundërshtari të bënte një rezistencë të ashpër.
Ali Farmaku e kuptoi se do ta kishte të vështirë të përballonte sulmin e ushtrive të shumta të Veliut, të pajisura me artileri, prandaj vendosi t’i drejtohej për ndihmë mikut të vjetër të familjes së tij, që ndodhej gjithnjë i arratisur në ishullin Zante.
Në letrën drejtuar Kollokotronit, Ali Farmaku i shkruante: “Mik prej babe, Veli Pasha përgatitet të më godasë dhe në je mik eja të më ndihmosh”.
7 Kollokotroni iu përgjigj se ishte gati ta mbante besën e prindërve ndaj mikut të familjes, por shtonte se e shikonte të dëmshme për vetë Ali Farmakun vajtjen e tij në Manastiraq para se të niste ekspeditën Veli Pasha. “Unë iu përgjigja – thotë Kollokotroni – se nuk vij tani për tani, mbasi do të të bëj dëm.
Kur të mësojë Veli Pasha se erdha unë, atëherë do të vijë edhe ai kundër teje, por në rast se ushtritë e tij nisen kundër teje, atëherë do të vij”.
KOLLOKOTRONI E FARMAKU
Kollokotroni u bë menjëherë gati për të kaluar nga ishulli Zante në steren e Moresë. Së bashku me të u bënë gati të niseshin edhe 100 martallozë grekë të Kollokotronit.
Kapedanët e tjerë grekë, që ndodheshin në Zante, si dhe autoritetet ushtarake frënge, që kontrollonin ishullin, u munduan ta pengonin Kollokotronin të zbarkonte në gadishull.
Por Kollokotroni nuk u bind. I shoqëruar nga 16 vetë, midis të cilëve ndodheshin edhe kapedanë të njohur të armatolëve grekë si Petmezaj e Nikitaj, zbarkuan në stere, në Glorenxë të Kotihisë dhe së andejmi u nisën për në Manastiraq.
Kur çeta e vogël arriti në Manastiraq, ushtritë e Veliut sapo kishin filluar të rrethonin kalanë. Megjithatë çeta mundi të kalonte natën përmes ushtarëve të Veli Pashës dhe të hynte pa u diktuar brenda në kala….
Në mbrëmje të asaj dite, Ali Farmaku ua tregoi agal-larëve dhe bylykbashëve të tij propozimin e Veli Pashës për të dorëzuar Kollokotronin.
Vetë Kollokotroni, i cili ndodhej në këtë mbledhje interesante, tregon: “Kur dëgjuan fjalët e Aliut, të gjithë u përgjigjën me një gojë: “Hasha të vdesim të gjithë, po këtë nuk e bëjmë dot”. Unë (Kollokotroni) u thashë atëherë: “Hajde, dorëzomëni mua, të marrë fund kjo punë. Unë e hëngra çairin tim!”.
Por Ali Farmaku më tha: “Kjo nuk është puna jote, kjo është puna jonë”. Kështu vendosën të gjithë të vdesin”. Lufta vazhdoi për 64 ditë me radhë deri më 2 korrik 1808.
Gjatë këtyre ditëve, të arrestuarit numëruan 3734 të shtëna topash. Ditën e 65, më 3 korrik, Ismail pashë Beu i njoftoi të rrethuarit se ishte gati ta hiqte rrethimin, zotohej se nuk do ta prekte kështjellën, se do ta linte Kollokotronin të lirë të vinte në Zante, me kusht që Ali Farmaku të dorëzonte pengje dhe të vinte në Tripoli te Veli Pasha që t’i kërkonte ndjesë.
Marrëveshja u arrit, por Ismail pashë Beu nuk e mbajti fjalën. Sapo Kollokotroni arriti në bregdet dhe ishte duke hipur mbi një anije për të kaluar në Zante, arritën pas tij njerëz të Veli Pashës për ta kapur.
Kollokotroni shpëtoi, por kështjella e Manastiraqit pasi u plaçkit, u hodh në erë. Duke parë këtë pabesi, Ali Farmaku u arratis dhe, me një varkë që i dërgoi Kollokotroni, arriti gjithashtu në Zante.
Ngjarja e Manastiraqit nuk tregoi vetëm lidhjen e fortë vëllazërore midis dy familjeve të ndryshme nga kombësia e nga feja, por edhe diçka tjetër.
Vetë Kollokotroni, në kujtimet e veta, na jep mjaft lëndë për të kuptuar se prapa këtij gjesti ishin duke u zhvilluar edhe procese politike shumë pozitive për të ardhmen e popullsive greke e arvanite të Moresë e të mbarë Greqisë.
Jemi në kohën kur tendencat shoviniste greke ende ishin shfaqur me atë forcë, që më vonë u ushqyen nga borgjezia megalomane e Greqisë së pavarur.
Theodor Kollokotroni dhe shumë kapedanë kleftësh grekë nuk mund ta kuptonin dëbimin e sundimtarit turk nga Greqia dhe krijimin e një shteti të lirë e të pavarur grek pa pjesëmarrjen e popullsive arvanite pa u siguruar edhe këtyre lirinë e barazinë e merituar.
Për këtë arsye, gjatë ditëve të rrethimit në Manastiraq, Theodor Kollokotroni u muar vesh me Ali Farmakun që të formonin një besëlidhje greko-ar-vanite të drejtuar kundër turqve.
Këto bisedime u zhvilluan më tej kur të dy vëllamët shkuan në Zante. Sipas marrëveshjes që u arrit në Zante më 1808, u vendos që pas çlirimit të Greqisë, të formohej një “Mbretëri greko-arvanite”.
Nga pala arvanite në këtë marrëveshje aderuan, përveç arvanitëve të krishterë të Greqisë, edhe arvanitë myslimanë të Bardhuinës e të Lalës, bile edhe krerët e Çamërisë, kurse nga pala greke, përveç Kollokotronit, edhe kapedanë kleftësh e parësi të njohur nga Greqia qëndrore dhe nga Peloponezi.
PLANET PËR MBRETËRI SHQIPTARO-GREKE
U hartuan me këtë rast edhe plane për kryengritjen e armatosur, bile u bënë edhe hapa të mëtejshme për të siguruar përkrahjen e Francës. Për këtë qëllim, Th. Kollokotroni së bashku me A. Farmakun shkuan në Korfuz, ku i parashtruan gjeneralit Donzelot, komisarit të Francës në ishujt jonianë, planin e kryengritjes dhe nevojat për të holla dhe armatime.
Duke u paraqitur i pari si përfaqësues i arvanitëve që të dy krerët i kërkuan gjeneralit frëng lejen që të venë në Paris për t’ia parashtruar planin gojarisht Napoleonit.
Gjenerali Donzelot refuzoi t’u jepte lejen të vinin në Paris, mbasi e dinte se në atë kohë Napoleoni nuk e përkrahe idenë e krijimit të një shteti grek apo greko- arvanit të shkëputur nga Turqia, por nga ana tjetër u premtoi se do t’u jepte ndihmën materiale e morale.
Sipas planit që u hartua dhe u miratua nga gjenerali Donzelot, Th. Kollokotroni dhe A. Farmaku, francezët do të lejonin rekrutimin e ushtarëve grekë që ndodheshin në ishujt e Jonit dhe do të dërgonin armatime për të rekrutuar vullnetarë arvanitë grekë në stere.
Në kuadrin e këtij plani, Ali Farmaku siguroi se, sapo të fillonte kryengritja çlirimtare, arvanitë myslimanë të Moresë do të kalonin me gjithë kalatë e tyre në anën e kryengritësve.
Formalisht kryengritja do të shpërthente kundër sundimit të Ali pashë Tepelenës, që kishte nën kontroll këto vise dhe që tani ishte prishur me francezët.
Në fakt, ajo synonte çlirimin e Greqisë dhe krijimin e një mbretërie shqiptaro-greke. Në këtë mbretëri të pavarur do të vendosej një regjim demokratik; qeveria do të përbëhej nga 24 anëtarë – 12 myslimanë dhe 12 të krishterë.
Plani i kryengritjes filloi të vihej në veprim dhe në sterë u formuan njësitet e para të kryengritjes çlirimtare.
Kollokotroni dhe Ali Farmaku zbarkuan në More, ku ndërlidhës midis shoqërisë kryengritëse të grekëve dhe asaj të shqiptarëve, që u formuan me këtë rast, u caktua biri i Ali Farmakut.
Por plani i kryengritjes u përmbys në mënyrë të papritur kur në shtatorin e vitit 1809 anglezët zbarkuan në Zante, duke dëbuar këtej francezët.
Meqenëse gjenerali Donzelot nuk u dha ndihmat e premtuara dhe me qenë se organizatorët e kryengritjes i kishin varur shpresat e fitores te këto ndihma, përgatitjet dështuan dhe në janarin e vitit 1810 kapedanët grekë e arvanitë i shpërndanë forcat e rekrutuara.
Bashkë me dështimin e kryengritjes u fundos edhe plani i krijimit të një Mbretërie greko-shqiptare. Ali Farmaku qëndroi në arrati deri më 1812.
Por këtë vit, pasi u sëmur rëndë, anglezët e lejuan të kthehej në Lalë pranë familjes së tij. Po atë vit, pasi u kthye, vdiq. Theodor Kollokotroni, sapo e mori vesh, u nis në Lalë.
Duke i paraqitur ngushëllimet së shoqes së Ali Farmakut, kapedani grek i tha: “Ulkonjë, humbët ujkën, por këlyshët nuk mbetën jetimë; ata më kanë mua. Ejani t’u puth. Kështu deshi zoti. Çdo gjë bëhet për hajir”.
Me dështimin e projektit të kryengritjes greko-arvanite shqiptarët e Çamërisë mbetën të izoluar përballë despotizmit të Ali pashë Tepelenës.
Për t’u shpëtuar ndjekjeve, jo pak krerë të tyre u larguan nga Çamëria dhe u vendosën në Korfuz. Aty qëndruan deri më 1821 kur filloi fushata ushtarake që ndërmori Porta e Lartë kundër Pashallëkut të Janinës.
*Pjesë nga libri