Pikëtakim i historisë, dhe jo vetëm kujtim, por edhe dëshmi se së bashku mund të kapërcehen sfidat, u konsiderua takimi i dy qeverisë në Kukës, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kështu vlerësuan ministrat e punëve të jashtme të këtyre dy shteteve, në ditën kur u mblodhën në shenjë përkujtimi për 15 vjetorin e eksodit të shqiptarëve gjatë vitit 1999 dhe nderim për të gjithë atyre shqiptarëve që i pritën të ikurit nga Kosova.
Enver Hoxhaj vlerësoi se ky pikëtakim tregon se sa rrugë e gjatë, e dhimbshme dhe me sakrifica, është bërë për të arritur aty ku jemi tani.
Ndërsa, Ditmir Bushati tha se sfida e të dyja vendeve është arritja e progresit të qëndrueshëm ekonomik, e shoqëror dhe stabiliteti demokratik. Sipas tij, dy qeverita janë mbledhur sot, jo vetëm të kujtojnë, por edhe të dëshmojnë se së bashku mund të kapërcejnë këtë sfidë.
“Kur dukej se gjithçka ishte humbur shpirti i shqiptarit nuk u përkul, përkundrazi i tregoi botës çdo të thotë mikpritje çdo të thotë vëllazëri dhe mbi të gjitha i tregoi botës se çdo te thotë të kesh shpirt të madh. Të gjithë u prekën nga kjo dhimbje e pashoq e përmasave ndërkombëtare, të gjithë kontribuuan në jetësimin e kësaj dhimbje, secili sipas mënyrës dhe mundësisë së tij”, ka thënë Bushati.
Bushati thotë se janë mbledhur nga të gjithë trevat shqiptare për të konfirmuar vlerat evropiane dhe njëkohësisht për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj partnerëve si SHBA, NATO dhe të tjerë. Që sipas tij, aata ndalën spastrimin etnik.
“Pas 15 vjetësh më 11 janar të këtij viti, arritëm të jetësojmë vullnetin e shumë brezave për ti dhënë udhë projekteve tona të përbashkët. Forma e re e bashkëpunimit e institucionalizuar në Prizren është strategjike për ne, stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike. Sakaq ne jemi të vetëdijshëm që fjalët për bashkëpunim duhen pasuar nga vepra dhe masa konkrete që synojnë përmir ësimin e jetës së qytetarëve”, tha ai.
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se ky është një pikëtakim i të dyja qeverive dhe elitave kulturore por edhe pikëtakim i historisë.
Hoxhaj tha se para 15 viteve familjet në Shqipëri hapën dyert e bujarisë duke strehuar familje nga Kosova.
“Jemi këtu sot të falënderojmë të gjithë për këtë mikpritje vëllazërore që na është bërë në vitin 1999, jemi këtu sot që të falënderojmë shtetin shqiptarë për mbështetjen në luftën tonë për liri dhe pavarësi. Që të falënderojmë Qeverinë e Shqipërisë dhe e kryeministrit Rama për mbështetjen që i jep ndërtimit të Kosovës evropiane dhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe, po ashtu bëhet e ditur se gjatë këtij manifestimi të quajtur: “Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik”, do të nënshkruhe n disa marrëveshje në mes dy qeverive si dhe do të ketë aktivitete të ndryshme kulturo-artistike dhe sportive.