Drejtori i Institutit për Shëndetin Publik në Mitrovicën e Veriut, Millosh Mirkoviq, ka thënë se presin që nga qershori t’i kthehen normalitet pas pandemisë, ndërsa ka treguar se një numër i madh i popullsisë serbe në atë pjesë tashmë kanë marrë vaksinën anti-COVID.
Mirkoviq i ka thënë “Tanjug”-ut se nga 13 shkurti janë vaksinuar 8445 serbë nga Kosova, ndërsa 7553 e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës. Ai ka treguar se serbët e Kosovës po vaksinohen në Rashkë, Kurshumli dhe Bujanoc.
Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se dozat e para të vaksinës në vendin tonë pritet të vinë në fund të muajit shkurt, ndërsa deri tani nuk ka ndonjë datë të saktë për këtë.
Serbia ka pranuar kontingjentin e parë të vaksinave të Pfizerit në masë 4.800 copë, duke u bërë ndër vendet e para evropiane që nis me programin e vaksinimit kundër COVID-19.
Kosova nuk ka siguruar ende vaksina, por ka aplikuar në programin COVAX, i cili u mundëson vendeve të varfra dhe me zhvillim të mesëm të arrijnë te një numër i kufizuar i vaksinave.