Lajçak: Asociacioni i komunave serbe nuk duhet të cenojë integritetin, sovranitetin dhe kushtetutën e Kosovës

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i ka zvogëluar shqetësimet e kosovarëve se Brukseli mund të mbështesë synimin e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive.

Diplomati sllovak, i cili ndodhet në Kosovë për të shtyrë përpara procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, ka thënë se marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni, e cila është nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013, duhet të zbatohet në praktikë.

Por, ai ka theksuar se ky asociacion nuk bën të cenojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rregullimin kushtetues të Kosovës.

Lajçak ka thënë se zgjidhja e çështjes së Asociacionit duhet të gjendet në bazë të tri dokumenteve

“Kemi tri dokumente. Kemi marrëveshje që u nënshkrua në vitin 2013 dhe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash. Pastaj është një marrëveshje e vitit 2015. Ky dokument u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që publikoi vendimin e saj që thotë se është e rëndësishme që Asociacioni i ardhshëm të respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Pra, nuk thuhet se Asociacioni nuk duhet të implementohet, por thuhet se do të implementohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Pra, tani në bazë të këtyre tri dokumenteve, ne duhet të ulemi ose palët të ulen dhe të diskutojnë se si t’i implementojnë. Dhe ne i respektojmë plotësisht vijat e kuqe për Kosovën”, ka thënë Lajçak, në emisionin “Desku”, në KTV.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi e ka përjashtuar katëgorikisht opsionin e ndryshimit të kufijve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.

Lajçak ka thënë se krijimi i shteteve etnike nuk është opsion evropian, prandaj Bashkimi Evropian nuk mund ta përkrahë një opsion të tillë.

Në të njëjtin emision, qëndrimin e Uashingtonit për dialogun dhe për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës e Serbisë, e ka shprehur zëvendës-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili është përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit për dialogun.

Ai ka thënë se njohja e ndërsjellë është e domosdoshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që hap rrugën e qartë për integrimin evropian për të dyja palët, për Serbinë dhe për Kosovën. Ky ka qenë qëllimi i disa administratave amerikane, një marrëveshje me njohje reciproke. Ne e mbështesim fuqishëm këtë”, ka thënë Palmer.

Ai ka thënë se marrëveshja për normalizim ekonomik midis Kosovës e Serbisë, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, mund të shërbejë si bazë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve, por nuk ka dashur të flaës në mënyrë specifike për elementet e marrëveshjes.

Palmer ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkëpunojnë ngushtë me Bashkimin Evropian për arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës e Serbisë, pavarësisht se do të jenë apo jo të pranishëm në tryezën e dialogut bashkë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Leave a Comment

Your email address will not be published.