Autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën, në bazë të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, bënë të ditur se Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit në objektin e paraburgimit në Hagë.
“Pjetër Shala arrestohet në Belgjikë në zbatim të fletarrestimit të lëshuar nga dhomat e specializuara të Kosovës. Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë. Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale për arrestimin e “Ujkut”.
E menjëherë pas këtij arrestimi, ka ardhur edhe reagimi i familjes së Haki Imerit, anëtarit të vrarë të LDK-së.
Familja Imeri ka shkruar në facebook se arrestimi i “Ujkut”, është mesazh edhe për personat e tjerë.
“Gjykata Speciale paska arrestuar në Belgjikë komandant Ujkun, Pjetër Shalen. Pjetër Shala një protagonist i rëndësishëm i shumë ngjarjeve në Kosovë dhe Shqipëri. Pjetër Shala ka shumë për të rrëfyer! Po e shohim se Gjykata Speciale ka filluar në një dimension tjetër aktivitetin, arrestimin e të akuzuarve jashtë Kosovës, kjo është një shenjë edhe për të tjerët që janë strehuar jashtë Kosove duke menduar se i ikin drejtësisë. Por nuk mund ti ikin. I urojme suksese të mëtejme Gjykatës Speciale në operacionet e ardhshme dhe mbështesim pa rezervë zbardhjen e vrasjeve politike”, shkruan familja Imeri në reagimin e tyre në facebook.
Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, ka thënë se arrestime të tilla mund të priten edhe në të ardhmen, njofton Klan Kosova.
“Nëse shohim statistikisht numrat e të arrestuarve nuk është befasi që të ndodhë ky arrestim, por që të ketë edhe arrestime të tjera. Bazuar në punën që e ka bërë deri më tani Gjykata Speciale ne ende nuk e dimë se sa persona janë duke u dyshuar dhe sa raste janë në procedurë e sipër për konfirmim të aktakuzës. Për këtë arsye shfaqja e personave të rinj të cilët arrestohen pranë kësaj gjykate mund të ndodhë edhe ditëve në vijim. Nëse i referohemi numrit të të arrestuarve ky është personi i gjashtë që është arrestuar për çështje që lidhen me Gjykatën Speciale, sepse dy të tjerë kanë qenë për vepra penale të administrimit të drejtësisë me punën e Speciales. Edhe në të ardhmen mund të ketë arrestime për vepra penale që janë në kuadër të juridiksionit të kësaj gjykate”.
Shala në Info Magazine ka folur edhe për kohëzgjatjen e gjykimit të këtyre të pandehurve nga Gjykata Speciale.
“E drejta e të pandehurit flet përfundimin e gjykimit brenda një periudhe të arsyeshme. Nuk e përcakton saktë se sa ditë, muaj apo vite. Por bëhet fjalë që secili rast t’i ketë specifikat e veta dhe në bazë të tyre të bëhet procesi”
.Ai po ashtu tha se Gjykata Speciale duhet të mos mbajë qasje armiqësore në mënyrë që të bindë edhe publikun se ajo ka drejtësi.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar tashmë aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ata gjenden në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit të kaluar dhe janë deklaruar të pafajshëm. Përpara tyre është arrestuar dhe dërguar në Hagë edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë për kryerje të krimeve të luftës.