Banka Zhvillimore e Këshillit të Europës (CEB) miratoi financimin shtesë prej 25 milionë eurosh për të mbështetur përpjekjet e Kosovës për të blerë vaksinat COVID-19 për rreth 50% të popullsisë. Kredia e CEB do të mbulojë gjithashtu koston e materialeve shpenzuese që lidhen me shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mjekësore, njofton Ministria e Financave.
Financimi i CEB vjen me një grant të subvencionimit të normës së interesit dhe është mbështetje kyçe së bashku me partnerët tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Kredia e re bazohet në një marrëveshje financimi prej 35 milionë euro të nënshkruar në gusht të vitit 2020, e cila ka mbuluar një pjesë të kostove të kujdesit shëndetësor emergjent të Kosovës, me një fokus në përkrahjen e ballafaqimit të vështirësive për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe barnatoreve, si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore, furnizimeve dhe materialeve shpenzuese.