Lufta heroike e Vlorës dhe Selam Musai që kapi topin nga gryka

Lufta e Vlorës është një nga faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë. Një luftë ku fitoi heroizmi i një populli të vogël që nuk mund të krahasohej me forcat pushtuese. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ato tashmë kishin marrë proktetoratin e Shqipërisë dhe po përgatiteshin që të gllabëronin perlën e bukur shqiptare.Konferenca e Paqes kishte bërë në plan që Vlora t’i jepej Italisë.

Synimet e tyre për aneksimin e Vlorës, fyerjet e mëdha që ato po i bënin shqiptarëve ishin të padurueshme. Shumë incidente ndodhën gjatë pushtimit nga italianët. Më 28 nëntor 1919 ato e lidhën flamurin shqiptar në bisht të qenit.

Por akoma më fyese ishte sjellja e ushtrisë italiane. Ata u kërkonin lebërve vajzat për të bërë dashuri, një gjë e papranueshme për mentalitetin e kohës dhe veçanërisht të lebërve.

Kështu në 29 maj 1920 në Baçalla do të mblidheshin burrat më të njohur të krahinës dhe do vendosnin përgjigjen me armë për armikun. Kuvendi zgjodhi Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare me në krye Osman Haxhiun.

Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye, i cili më vonë u zëvendësua nga Qazim Koculi. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë.

Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.

Selam Musai lindi më 1860-ën në fshatin Salari të Tepelenës. Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos me shokë.

Në dhjetor 1912, duke ju përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos.

Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të vetë të armatosur dhe të katundeve të afërta, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës.

Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët e vet u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës. Në luftimet trup me trup me pushtuesit, Selam Musai u vra në Qafën e Koçiut me 11 qershor 1920.

Gjatë Luftës së Vlorës, trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. (Historia e popullit shqiptar)

Leave a Comment

Your email address will not be published.