Në kërkim të votës së 80-të për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vijuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota në kuti, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.

Dje, për një votë më pak në kuti, LVV-ja dhe Lista Guxo nuk arritën ta bëjnë presidente Vjosa Osmanin. Procesi për zgjedhjen e saj dështoi që në tentimin e parë, i cili u përsërit, por pa sukses. Në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së, ish partisë së Vjosa Osmanit. Por problemi nuk qe te mosvotimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanaj, pasi pozitës i munguan dy deputetë të komuniteteve jo-serbe që pritej të ishin aty. Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk morën pjesë në seancë, ndonëse kishte marrëveshje për këtë.

Në kërkim të votës së 80-të për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente e Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje sot do të provojë të sigurojë votën e deputetit Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija).

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se sot në orën 15:00 në Prishtinë do të mbahet takimi i kryeministrit dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti me Adem Hoxhën, për të siguruar votën e këtij të fundit për Vjosa Osmanin.

Sipas burimeve të sigurta edhe të shtunën ishte mbajtur një takim mes Hoxhës dhe Kurtit, por nuk ishte arritur marrëveshja, që ky deputet të marrë pjesë në seancën ku do të votohej për presidentin e Kosovës, pasi Kurti nuk kishte ofruar asgjë në kompensim për votën, shkruan Telegrafi.

Ende nuk dihet se cilat janë kërkesat konkrete, por mësohet se kërkesat e kreut të partisë së goranëve për ta dhënë votën për kandidaten për presidente janë modeste dhe kanë të bëjnë me disa poste në kabinetin qeveritar.

Duke e konsideruar si të mjaftueshme votën e Hoxhës, mësohet se LVV nuk do ta kontaktojë deputetin Fadil Gashi nga Iniciativa Rome.

Ndryshe, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur sot se janë në bisedime me disa deputetë, të cilët sipas saj kanë pasur një vullnet më të mirë që të marrin pjesë në votimin e presidentes dhe gjithashtu pret që edhe dy deputetët nga pakicat sot të marrin pjesë në seancë.

Në anën tjetër, Kryeministri Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, po akuzohen se kanë dashur të bëjnë pazare me dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës me synimin që ata të votojnë në seancën e sotme ku do të synohet sërish që Osmani të zgjidhet shefe e shtetit.

Akuzat vijnë direkt nga zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi. Ai ka thënë se kjo është e ulët dhe e papranueshme. Bytyçi u ka bërë thirrje Kurtit dhe Osmanit që “t’i ndalojnë sekserët të bëjnë kësi lojëra të pista”.

Për t’i bërë 80 vota në kuti, ministrja e Drejtësisë nga LVV, Albulena Haxhiu, e ftoi deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, që të vinte dhe të votonte, ashtu siç ky i fundit paraprakisht tha se do ta bënte, por që s’ishte në Prishtinë. Rreth një orë më herët, Xhavit Haliti ishte lajmëruar nga Pogradeci i Shqipërisë, duke u shprehur i painformuar se ka seancë për zgjedhjen e presidentit.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vijuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota në kuti, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.