Sot bota katolike feston Pashkët. Edhe në Kosovë u organizuan mesha dhe rituaale të shumta për nder të kësaj feste të lavdishme, e cila sjell më shumë paqe e harmoni në mes të njerëzve
Me rastin e festës së Pashkëve, liderët politik në Kosovë kanë uruar të gjithë besimtarët katolikë.
“Janë këto ditët e afrimit me njëri-tjetrin por edhe të besimit mes nesh. Si festë e ringjalljes dhe ripërtëritjes, Pashkët janë simbol i sakrifikimit dhe i shpresës, i fillimeve të reja”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas tij ky fillimvit ka dëshmuar sërish se “kur bëhemi bashkë tejkalojmë çdo pengesë, sado e madhe të jetë”, shtoi Kurti.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar një urim në nder të festës së Pashkëve.
“Le të jetë kjo ditë e ringjalljes së besimit që shpejt do të jemi bashkë në çdo kremtë duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit për ta uruar”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai duke theksuar se kjo festë shënon ditën e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen dhe rikthimin e besimit në vlerat më sublime njerëzore, ka shpresuar se “shpresa është ajo e cila për një ditë të mirë do të na mbajë gjallë gjithmonë”.
Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka postuar një shkrim përmes të cilit ka uruar besimtarët e fesë katolike, ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe të gjithë miqtë ndërkombëtar.
“Pashkët na kujtojnë sakrificën dhe triumfin e jetës mbi vdekjen, vlera me të cilat shqiptarët u mishëruan gjatë historisë”, ka shkruar Haradinaj.
Një tjetër urim është bërë edhe nga ana e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
“Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolik. Mbarësia, harmonia, lumturia dhe begatia mbizotëroftë gjithmonë në familjet tuaja! Urime dhe për shumë mot”, ka shkruar Pacolli.
Ndërkohë edhe deputetja Vjosa Osmani, ka shkruar një urim, që sipas së cilës festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë.
“Kjo ditë shënon triumfin e të mirës ndaj të keqes. Në këtë ditë feste kam veç një urim. Që në një të ardhme të afërt, secilën festë ta presim bashkë, që ta kemi mundësinë secilit t`ia zgjatim dorën, ta urojmë e ta përqafojmë”, ka shkruar Osmani.