Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është finalizuar dhe proceduar në Qeveri koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Haxhiu ka deklaruar se hartimi i këtij dokumenti hap rrugë për hartimin e projektligjit të pasurisë së pajustifikueshme.
“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet i Qeverisë tonë prandaj edhe do ta fuqizojmë bazën ligjore kundër korrupsionit si dhe do fuqizojmë kapacitetet e institucioneve të drejtësisë në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar e korrupsionit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ministrja Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti para marrjes së mandatit kanë premtuar se ndër pikat e para të planit qeverisës do jetë Vettingu.
“Në mandatin e kaluar ne kemi punuar në hartimin e koncept-dokumentit për këtë, tani ka mbetur që në bazë të atij koncept-dokumenti, i cili ka qenë edhe publik, të draftohet projektligji dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, kishte thënë Haxhiu.
Ajo pati theksuar se “qëllimi është fuqizimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vendosja e barrës së provës te personi që i kërkohet justifikimi i pasurisë”.
“Po ashtu ne do të punojmë edhe në themelimin e Byrosë së lartë të hetimeve që do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë”.