Emri Iliridë përgjatë historisë ndeshet tepër i zbehtë, ose fare nuk përmendet si i tillë në literaturën historiografike apo hartat e vjetra të këtij rajoni dhe të Evropës. Termi Iliridë është një sajesë mbi rrënjën e fjalës ILIRI dhe ILIRIK dhe nuk ka asnjë kuptim plotësues, as nuk paraqet diçka më tepër se kuptimi i këtyre emrave. Pse duhet të kufizohet ky emërtim vetëm me një territor të ngushtë, në Maqedoninë e sotme Perëndimore, ndërkohë që Iliria dhe Gadishulli Ilirik kanë përfshirë një territor shumë të gjerë, duke i kaluar edhe kufijtë e kontinentit të Evropës (Dardania, Troja në Azi të Vogël)?!
Nga Abdulla MEHMETI
Cila është Ilirida, ku shtrihet ajo, ku janë kufijtë e saj, cila është historia, dokumentet arkivore, hartat e vjetra që bëjnë fjalë për ekzistimin e ndonjë krahine apo territori me emrin Iliridë, qoftë në Antikitet, Mesjetë apo në Kohën e re? Këto shpjegime duhet t’ia japin opinionit njohësit e mirë të historisë dhe studiuesit e tjerë seriozë.
Pse shqiptarët duhet të heqin dorë nga emri i lashtë, historik dhe gjeografik – Maqedoni, përkatësisht Makedhoni, Emadhi apo Pajoni? A mos pandehni se do të ndjehen më krenarë banorët shqiptarë në Maqedoni me emrin shqiptarë të Iliridës, më shqiptarë dhe më atdhetarë seç janë?!
Pse shqiptarët në Maqedoni duhet të quhen shqiptarë të Iliridës dhe pse duhet të afirmohet edhe më tej ideja për Republikën e Iliridës? Që shqiptarët autoktonë në Maqedoni të heqin dorë vullnetarisht nga emri i krahinës së tyre të lashtë, mbretëria e dikurshme me këtë emër dhe lavdia e Lekës së Madh ilir (me një histori paragreke dhe parasllave), nga trashëgimia kuturore-historike e Maqedonisë? Që banorëve sllavë të Maqedonisë dhe fqinjëve grekë e bullgarë të sotëm t’u krijohet hapësirë e lirë ta forcojnë dhe afirmojnë më lehtë dhe rrejshëm identitetin e tyre kombëtar mbi bazë të këtij emri të lashtë historik dhe gjeografik, që nuk u takom me asgjë vetëm atyre, sidomos para shqiptarëve autoktonë, me këtë edhe t’u njihet papengueshëm banorëve sllavë të Maqedonisë së sotme e drejta ekskluzive e tapisë mbi territorin dhe traditën shtetformuese të këtij shteti të sotëm? T’u jepet vullnetarisht të tjerëve tapia historike mbi këtë territor dhe mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të krijuar ndër shekuj dhe mijëvjeçarë nga të parët tanë, pajonët, maqedonët, dardanët, përkatësisht ilirët?
Emri Iliridë përgjatë historisë ndeshet tepër i zbehtë, ose fare nuk përmendet si i tillë në literaturën historiografike apo hartat e vjetra të këtij rajoni dhe të Evropës. Termi Iliridë është një sajesë mbi rrënjën e fjalës ILIRI dhe ILIRIK dhe nuk ka asnjë kuptim plotësues, as nuk paraqet diçka më tepër se kuptimi i këtyre emrave. Pse duhet të kufizohet ky emërtim vetëm me një territor të ngushtë, në Maqedoninë e sotme Perëndimore, ndërkohë që Iliria dhe Gadishulli Ilirik kanë përfshirë një territor shumë të gjerë, duke i kaluar edhe kufijtë e kontinentit të Evropës (Dardania, Troja në Azi të Vogël)?!
Fjala iliridë është krijuar, aktualizuar si term politik dhe ka filluar të përdoret si i tillë pas vitit 1992, duke pretenduar t’u imponohet shqiptarëve ndarja territoriale, ndoshta edhe shkëputja e një pjese të vogël të Maqedonisë (me dy-tri qytete, Tetova, Gostivari dhe Dibra), si pjesë e projekteve politike djallëzore serbe dhe një pjese të pushtetit të atëhershëm në Maqedoni, më vonë të demaskuara si ide dhe projekt nga faktori ndërkombëtar, si të dëmshshme për shqiptarët, të ardhmen e tyre në këtë shtet, në kontekst të perspektivës evropiane dhe euroatlantike të rajonit.
Emri Iliridë mund të përdoret edhe më tej, si pjesë e folklorit, apo si emër personal, të cilin me krenari mund ta mbajnë djemtë dhe vajzat shqiptare të lindura pas vitit 1992, por assesi nuk kanë nevojë shqiptarët ta përdorin këtë emërtim si term politik, aq më pak shqiptarët në Maqedoni duhet të quhen shqiptarë të Iliridës, ose të pretendohet për një shtet me emrin Iliridë në territorin e Maqedonisë Veriore të sotme.
Askush nuk ka të drejtë t’u diktojë shqiptarëve në Maqedoni që të heqin dorë nga emrat e lashtë të krahinave të tyre, historia e mbretërive të tyre të lashtësisë, me emrat Makedhoni, Emadhi, Pajoni, siç nuk i është kujtuar askujt që ta emërtojë Kosovën e sotme si Iliridë, meqë edhe territori i saj ka qenë në lashtësi pjesë e Ilirisë, e Gadishullit Ilirik, ndërkohë që secila krahinë e ka ruajtur emrin e saj në lashtësi, Kosova e sotme të Dardanisë, ndërsa Maqedonia e sotme të Emadhisë dhe Pajonisë.
Sa më tepër të hulumtoni dhe studioni do të gjeni argumete të mjafteshme se projekti politik “Republika e Iliridës” ka qenë një projekt i huaj, eksperiment i rrezikshëm në kundërvënie për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni, i ngjashëm si projektet e huaja të dikurshme “Republika (franceze) e Korçës” dhe “Republikës (serbe) e Mirditës”.
* Termi Iliridë është marrë (keqpërdorur) fillimisht nga drejtuesit e PPD-së për nevoja politike ditore, pas realizimi të Referendumit për Autonomi Politike-territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni (jo në Iliridë), në janar të vitit 1992, sipas një projekti shkencor të papërfunduar për shqiptarët në Maqedoni, nga prof. dr. Ali Vishko, në bashkëpunim me prof. dr. Masar Kodrën dhe konsultime edhe me studiues të tjerë.