Tension dhe dhunë në Mal të Zi për ligjin e shtetësisë

Në kulmin e një krize qeveritare në Mal të Zi, vendi i vogël ballkanik anëtar i NATO-s është përfshirë sërish në tensione të forta.

Në kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi, Cetinje, ka ndodhur një incident ku është sulmuar një seminar teologjik të Kishës Ortodokse Serbe.Incident që ka trazuar ujrat dhe ka sjellë reagimin e fortë të partive filoserbe, që akuzojnë Milo Gjukanoviçin si nxitës i destabilizimit.
Gjithçka ka ndodhur pas një paralajmërimi për një ligj të ri për shtetësinë, i cili parashikohet tu japë dokumente shtetësie edhe banorëve që jetojnë prej vitesh në Serbi, si shtetas të saj, por kanë origjinën ose kanë banuar në të shkuarën në qytetet e Malit të Zi.

Opozita dhe pakicat kombëtare e konsiderojnë këtë ligj një manovër për të ndryshuar përfundimisht shtratin e votuesve, për krijimin e një shumice serbe.

Një grup i ngritur në rrjetet sociale që e quajnë veten “Komitët” dhe që janë nacionalistë malazezë, kanë protestuar edhe në qytetin e Nikshiqit, duke rritur më shumë tensionet e përplasjet.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka deklaruar se është i gatshëm që të bëjë një qeveri koalicioni me URA-n e Dritan Abazoviçit, pasi e ka cilësuar më demokrate se partitë nacionaliste serbe.

“Unë jam politikisht përgjegjës dhe nuk dua që Mali i Zi të përfshihet në kaos, kam bërë përpjekje për të qetësuar situatën”, tha Gjukanoviç në një intervistë në televizionin publik.

Presidenti malazez ka thirrur nesër një mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, pikërisht në kulmin e tensioneve dhe përplasjes në koalicionin qeveritar për të larguar kryeministrin aktual, Zdravko Krivokapiç.

Megjithëse shumë duan të destabilizojnë Malin e Zi, “pranvera malazeze” nuk do të ndodhë, tha kryeministri malazes Zdravko Krivokapic.
Gjukanoviç ka akuzuar Beogradin që ushqen projektin e Serbisë së Madhe. Ndërkaq, kryeministri Krivokapiç ka bërë të ditur se tensioni është pjesë e atmosferës për zgjedhjet presidenciale që zhvillohen vitin e ardhshëm.

Krivokapiç tha se: “Megjithëse shumë duan të destabilizojnë Malin e Zi, pranvera malazeze nuk do të ndodhë”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.