Republika Çeke dhe Federata Ruse e kanë vazhduar përplasjen e ashpër diplomatike që e nisën në fillim të kësaj jave. Çekia e paralajmëroi Rusinë se mund t’ia dëbojë rreth 60 diplomatë, nëse nuk e respekton ultimatumin e vendosur një ditë më parë për kthimin e diplomatëve të dëbuar çekë në Ambasadën Çeke në Moskë. Në anën tjetër, Rusia tha se do të hakmerret nëse kjo ndodh dhe se Çekia do ta marrë përgjigjen e duhur.
Ministri i porsazgjedhur i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jakub Kulhanek, tha se dhjetëra pjesëtarë të stafit të Ambasadës Ruse në Pragë do të dëbohen, nëse Rusia nuk e respekton ultimatumin që mbaron të enjten në mesditë për lejimin e kthimit në ambasadë të 20 diplomatëve çekë.
Vendet anëtare të NATO-s shprehën mbështetje të plotë për Çekinë në mosmarrëveshjen e saj me Rusinë, por nuk treguan gatishmëri për veprime të përbashkëta kundër Moskës.
Tensionet janë rritur midis dy vendeve, pasi Praga akuzoi inteligjencën ushtarake ruse se qëndron pas një shpërthimi vdekjeprurës më 2014 në një depo municionesh. Nga shpërthimi kishin mbetur të vdekur dy persona.
Ministri i Jashtëm i Çekisë i informoi anëtarët e tjerë të NATO-s të enjten se Praga kishte fajësuar për shpërthimin dy agjentë rusë të cilët njëherësh janë të dyshuar edhe për helmimit e ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani më 2018.
“Aleatët shprehin shqetësim të thellë mbi veprimet destabilizuese që Rusia vazhdon të kryejë në të gjithë zonën euro-atlantike, dhe qëndrojnë në solidaritet të plotë me Republikën Çeke”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga NATO-ja. Praga të martën u bëri thirrje vendeve të BE-së dhe NATO-s që të dëbojnë diplomatët rusë si pjesë e një përgjigjeje të koordinuar e cila do të ishte e ngjashme me atë që ndodhi pas sulmit ndaj Skripalit në Britani të Madhe.
Aleatët e NATO-s deri më tani kanë hezituar të marrin masa të përbashkëta ndëshkuese kundër Moskës në një kohë të tensioneve në rritje me Kremlinin për shkak të grumbullimit të trupave të saj në kufirin me Ukrainën dhe shëndetin e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny i cili gjendet në burg.
Në një intervistë për një faqe çeke, kryediplomati Kulhanek tha se rreth 60 pjesëtarë të stafit të Ambasadës Ruse do të dëbohen, nëse Moska e injoron ultimatumin, shkruan Free Europe, transmeton Express.
Në anën tjetër, Rusia tha të enjten se do të hakmerret ndaj çfarëdo mase të re që merret nga Çekia kundër stafit diplomatik. Mariha Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e akuzoi Pragën se po bën performanca dhe u zotua se Moska do të kundërpërgjigjet.
“Nëse jemi në rrugën e përballjes, të zgjedhur nga Praga, atëherë do të ketë një përgjigje të duhur”, tha Zakharova për Radion “Govorit Moskva”.
Republika Çeke ka thënë se dëbimi i 20 pjesëtarëve të stafit diplomatik në Moskë e ka paralizuar në mënyrë efektive funksionimin e ambasadës, e cila është më e vogël se Ambasada Ruse në Pragë.
Bazuar nga të dhënat e sondazhit të kryer nga “Median”, ka dalë se shumica e çekëve e konsiderojnë Rusinë si kërcenim për sigurinë e Çekisë.
Sondazhi është bërë me kërkesë të radios ”Radiožurnál”, pas tensionimit të raporteve diplomatike, ku autoritetet çeke kishin dëbuar 18 diplomatë rusë, të identifikuar si punonjës të shërbimeve inteligjente ruse.
Dëbimi i diplomateve rusë kishte ndodhur si kundërpërgjigje e implikimit të Shërbimeve inteligjente ruse në shpërthimin e depove të municionit në Vrbetice, në vitin 2014.
Pos pyetjeve për siguri, një nga pyetjet e sondazhi kishte të bënte me vendimin e Qeverisë çeke për eliminimin e kompanisë shtetërore ruse “Rosatom” nga gara për ndërtimin e Termocentralit Bërthamorë. Nga rezultatet e dala mbi 65% e të anketuarve e mbështesin vendimin e qeverisë për eliminimin e “Rosatom”. Kjo tregon se pjesa dërmuese e çekëve nuk janë për thellim të bashkëpunimit me Rusinë, në sektorë të ndjeshëm, siç është prodhimi i energjisë nga Termocentralet Bërthamore.
Se çekët e shohin Rusinë si kërcim për sigurinë, pos rezultateve të dala nga sondazhi e tregon edhe protesta para Ambasadës së Rusisë në Pragë. Protesta ishte mbajtur pasa lajmit për deportimin e 18 diplomatë rusë, të identifikuar si punonjës të shërbimeve inteligjente ruse.
Qëllimi i protestës ishte që para ambasadës të vendoset statuja e Putinit të zhveshur, i cili ishte i ulur në tualet të arit dhe në dorë mbante pastruesen dhe letrën e tualetit.
Statuja e Putin afër kishte edhe një sprej ku shkruante Novichok, e që është helmi nervor ushtarak Novichok, të cilin agjentet e Shërbimeve ruse e kishin shfrytëzuar në tentimet për likuidimin e biznesmenit bullgar Emilian Gebrev në Bullgari , ish-agjentit rus Sergei Skripal në Britaninë e Madhe dhe së fundmi kundër opozitarit rus Alexei