SHBA do të ndajë deri në 60 milionë doza të vaksinës AstraZeneca me vendet e tjera, sapo ato të bëhen të disponueshme. Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë. Dozat do të jenë në gjendje të eksportohen në muajt e ardhshëm pasi të kontrollohen për sigurinë e tyre nga agjencitë federale.
Shtetet e Bashkuara posedojnë një numër të madh të vaksinës edhe pse rregullatorë amerikanë nuk e kanë autorizuar akoma përdorimin e saj për publikun. Kritikët e kanë akuzuar qeverinë për grumbullimin e vaksinës, ndërsa vendet e tjera kanë nevoja të shumta për doza.
Muajin e kaluar, presidenti Joe Biden, u zotua t’i japë rreth 4 milionë doza të vaksinës AstraZeneca Meksikës dhe Kanadasë.
Kriza në Indi gjithashtu ka krijuar presion mbi administratën e Biden që të shpërndajë ndihmat shëndetësore të SHBA-së.
Të hënën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, deklaroi se priste që rreth 10 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, të jepen për publikun sapo Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) të përfundojë shqyrtimin e saj, në javët e ardhshme.
“50 milionë të tjera, janë në faza të ndryshme të prodhimit”.
Psaki shtoi se zyrtarët e FDA do të kryenin kontrolle për cilësinë dhe sigurinë e dozave para se të eksportoheshin.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tashmë se do të sigurojnë materialet e para për prodhuesit indianë të vaksinave ndërsa vendi lufton me një rritje shkatërruese në raste.
Në një telefonatë “të ngrohtë dhe pozitive” me kryeministrin indian, Narendra Modi, të hënën, Presidenti Biden, premtoi më shumë ndihma emergjente. Këto ndihma përfshinin “furnizime me pajisje oksigjeni, vaksina dhe barna”, shkruhej në një prononcim të Shtëpisë së Bardhë.
FDA deri më tani ka autorizuar tre vaksina kundër Covid- 19, Pfizer BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson. Ekspertët janë të sigurt se këto tre vaksina janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e vendit, prandaj përdorimi i AstraZeneca-s mund të mos jetë i nevojshëm.
Sipas shifrave të fundit, më shumë se 53% e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë vaksine.
Diplomacia e vaksinave
Trajtimi i pandemisë nga SHBA-ja, ka pasur shumë mangësi, por prodhimi i vaksinave nuk është një prej tyre, shkruan agjencia mediatike, BBC.
“Administrata e Biden ka një bollëk dozash dhe tani po ndan një pjesë të kësaj mirësie me vendet e tjera”.
Vendimi për të dërguar rreth 60 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat ende nuk janë miratuar për përdorim në SHBA, vjen në një moment kritik, pasi shtetet fqinje si, Kanadaja dhe Meksika, janë në vështirësi të madhe dhe India po përballet me një rritje dërrmuese të rasteve.
Kjo i jep administratës së Biden mundësinë për t’u përfshirë në “diplomacinë e vaksinave”. Dërgesat po përdoren për të bërë presion ndaj kombeve të tjera që të ndjekin të njëjtin shembull.
Të paktën, kjo përjashton Joe Biden nga kritikat se SHBA-ja i ka kthyer shpinën botës ndërsa posedonte miliona doza që nuk i përdorte ndërkohë ato mund të shpëtonin jetë.