Kurti: Kosova e pranon dialogun si palë e barabartë me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, për të ardhmen e Kosovës drejt BE-së. Ai ka thënë se Kosova duhet të fitojë liberalizimin e vizave dhe të ketë rrugë të qartë në integrimin drejt BE-së.

“Shtetet anëtare nuk mund të ndalojnë vullnetin demokratik në Parlament, Kosova duhet ta ftojë liberalizimin e vizave dhe të ketë rrugë të qartë në integrim drejt BE-së pa veto e pa bllokime”, ka thënë ai.

Kryeministri ka folur edhe për dialogun me Serbinë e për të cilin ka thënë se Kosova e pranon dialogun që është i drejtë dhe i barabartë në raport me palën serbe.

“Kosova e pranon dialogun me Serbinë, dëshiron të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura, që dy popujt tanë të punojnë në harmoni. Jemi për dialog që është i mirë përgatitur dhe me parime, i drejtë dhe i barabartë. I pari është pranimi i realitetit, që do të thotë se nuk mund të kthehemi para pavarësisë. E dyta është pranimi i të vërtetesës. Serbia duhet të pranojë krimet e të kaluarës. Së treti është barazia e përfaqësuesve, në tavolinë ulemi të barabartë. E katërta qytetarët duhet të jenë përfitues”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se BE-ja duhet të dalë me një plan mini-Marshall përmes së cilit do të plotësonte reformat dhe ta ndihmonte Ballkanin Perëndimor ekonomikisht.

“Ballkani Perëndimor rrethohet me vendet e BE-së dhe duhet të trajtohemi si vende anëtare e jo shtete fqinjë. Është në interes të BE-së dhe Evropës që të dalin me një plan mini-Marshall që do të plotësonte reformat dhe do të përfundonte anëtarësimin. Pani Marshall kishte krijuar mrekulli ekonomike, tani është koha e BE-së që të shpëtojë e të ndërtojë Ballkanin Perëndimore”, ka thënë Kurti.

Kurti katakuar kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë. Kurti ia shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të McAllisterit në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kurti ia shpalos prioritetet e tij Komisionit Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, është takuar edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas njoftimit nga Qeveria, aty Kurti ka shprehur falënderime për ndihmën e BE-së për vaksinat kundër COVID-19 si dhe ka shpalosur prioritetet e Qeverisë që udhëheq “për investime që ofrojnë vende të reja të punës dhe reforma në drejtësi”.

“Ai theksoi se me një qeveri që ka punësimin dhe drejtësinë në fokus, është shans i mirë edhe për Bashkimin Evropian që të dëshmojë se reformat për Ballkanin Perëndimor funksionojnë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim që ka pasur të enjten pasdite me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka kërkuar që shtetet anëtare të Këshillit të Bashkimit Evropian që sa më shpejt të vendosin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti ka thënë se Qeveria që ai udhëheq është e përkushtuar dhe angazhuar për reforma.

“Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill. Kryeministri Kurti tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

Leave a Comment

Your email address will not be published.